ABC News – Real Story: Gjipali – Grupkapitulli i parë përcakton negociatat, 15 tetor 2024
I ftuar në Real Story, drejtuar nga gazetari Sokol Balla, në ABC News, Gledis Gjipali shprehet se mbajtja e Konferencës së Dytë Ndërqeveritare është e rëndësishme, pasi gjithmonë kemi pasur zhgënjime dhe lodhje për nisjen e negociatave me BE-në. Hapi përfundimtar është anëtarësimi, por vetë procesi ka rëndësi të veçantë, pasi të gjitha reformat që po ndërmerren në këto vite dhe puna e të gjithë grupeve të përfshira në proces, do të rriten më tepër në vazhdim, kështu dhe ndikimi do të jetë i madh në dekadat e ardhshme. Gjipali vuri theksin te institucionet demokratike, ku rëndësia e tyre nuk lidhet vetëm me kuadrin institucional, por edhe me mirëfunksionimin e tyre, në mënyrë që të sigurojnë shtetin ligjor, të mbrojnë të drejtat e njeriut dhe të jenë baza e një shteti funksional. Nuk është rastësi që ky grupkapitull quhet themeloret, pasi janë baza që të lejojnë të vazhdosh me grupkapitujt e tjerë; duke qenë se nëse bllokohet ky grupkapitull, atëherë bllokohen edhe grupkapitujt e tjerë. Pra, progresi në këtë grupkapitull ndikon te grupkapitujt e tjerë. Në lidhje me aspiratën e Shqipërisë për të qenë pjesë e BE-së deri në vitin 2030, nëse do të jetë një realitet i prekshëm, ai shprehu se citimi i komisionerit Varhelyi ndikon pozitivisht, por pati një reagim nga ana e Gjermanisë, e cila tha se nuk jemi për të përcaktuar data, pasi ka akoma paqartësi në proces. Në fjalën e tij, Gjipali përmendi gjithashtu veton si një nga elementët shqetësuese për vazhdimësinë e procesit.
ABC News – Real Story: Gjipali – Grupkapitulli i parë përcakton negociatat, 15 tetor 2024