ABC News – Shqipëria ka zgjeruar Planin e Rritjes – Samiti në Bruksel, Deliu: Raporti i KE vlerësime pozitive për vendin tonë, 17 dhjetor 2025

E ftuar në ABC News, Nirvana Deliu, eksperte e procesit të integrimit europian pranë Lëvizjes Europiane për Shqipërinë (EMA), analizoi gjerësisht Samitin e Brukselit zhvilluar më 17 dhjetor dhe çështjet e diskuruata. Deliu thekson rëndësinë e këtij Samiti, sepse bën bashkë liderët e shteteve anëtare të BE dhe të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Diskutimet e zhvilluara u fokusuan te procesi i zgjerimit dhe se si vendet e Ballkanit Perëndimor janë duke bërë progres në kuadër të integrimit në Bashkimin Europian, si dhe në çështje të tjera që lidhen me sigurinë, mbrojtjen, politikën e vizave, migracionin etj.

Për sa i përket Planit të Rritjes, Shqipëria mbetet i pari vend i Ballkanit Perëndimor që ka realizuar më shumë reforma në kuadër të tij, duke përfituar edhe disbursimin e parë nga ana e Bashkimit Europian. Ndërsa Kosova dhe Serbia mbeten ende mbrapa, duke mos realizuar asnjërën prej masave apo reformave të parashikuara. Më tej, Deliu u ndal te vlerësimet pozitive të raportit të fundit të Komisionit Europian për Shqipërinë, kryesisht në Grupkapitullin 1 – Themeliret. Por, për mbylljen e 33 grupkapitujve, Shqipëria duhet të ketë realizuar të gjitha kriteret e ndërmjetme, të lidhura me gjyqësorin si lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe çështje të tjera si siguria dhe politika e brendshme.

Në përfundim, Deliu komenton edhe mungesën e Serbisë në Samitin e Brukselit dhe zëvendësimin si vend udhëheqës i procesit të negociatave për Ballkanin Perëndimor, që vijnë për shkak të problemeve të brendshme, marrëdhënieve jo të mira me Kosovën dhe marrëdhënieve të mira me Rusinë. Braktisja e Samitit nga ana e Serbisë dhe rritja e pakënaqësisë ndaj BE-së, shihen jo pozitivisht. Megjithëse nuk ndikon në rrugëtimin e shteteve të tjerë të Ballkanit Perëndimor, kjo mungesë ndikon drejtpërdrejtë në procesin e integrimit të rajonit në tërësi, pasi është theksuar gjithnjë e më shumë se duhet të ketë bashkëpunim midis tyre dhe jo vende problematike në mënyrë që të bëhen pjesë e Bashkimit Europian.

ABC News – Shqipëria ka zgjeruar Planin e Rritjes – Samiti në Bruksel, Deliu: Raporti i KE vlerësime pozitive për vendin tonë, 17 dhjetor 2025