ABC News & Vizion+ / Gledis Gjipali: Komiteti i Përbashkët për Integrimin në BE, 19 shtator 2024

Drejtori Ekzekutiv i EMA-s, Gledis Gjipali, gjatë një interviste në “Tirana Live” – ABC News dhe në Vizion+, komentoi mbi  konferencën e zhvilluar në Bruksel mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit të Komitetit Ekonomik dhe Social Europian, Oliver Röpke, ku edhe u njoftua krijimi i një Komiteti të Përbashkët Konsultativ. Ai u shpreh  se krijimi i një Komiteti Konsultativ është një sinjal i mirë afrimi, sidomos për vendet që synojnë integrimin në BE, për shkak se synohet që të kemi pjesëmarrës në Parlamentin Europian si vend vëzhgues, pa të drejtë vote, njëkohësisht edhe në Këshillin e Ministrave të BE-së. Ky anëtarësim gradual shihet edhe si baraspeshë e vonesës së këtij procesi, pra është një mbështetje me shumë për vendet që e shohin të largët ditën e anëtarësimit në BE. Gjithashtu, ai u ndal edhe te takimi i Von Der Leyen me liderët europianë duke e vlerësuar si të rëndësishëm për faktin se ka qenë mbështetësja dhe inicatorja e Planit të ri të Rritjes, duke marrë shkas nga Plani i Mbështetjes në nivel europian, për t’i siguruar vendeve të Ballkanit Perëndimor një instrument të tillë pa qenë anëtar. Gjipali më tej sqaroi se ky instrument është domethenës në më shumë financime nëpërmjet projekteve, por edhe në buxhet në mënyrë të drejtpërdrejtë, si edhe një kontroll më i shpejtë i progresit të reformave me vlerësim 6-mujor për indikatorët nëse janë arritur apo jo për Planin e Rritjes. Shqipëria e ka dorëzuar në kohë të gjithë agjendën e reformave, dhe duke qenë se është paketë për të gjashtë vendet, pritet edhe miratimi për të gjashta. Ndërsa në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, ai u shpreh se mungesa e tij ndikon tek të dy vendet, pasi nuk mund të ecin përpara në procesin e anëtarësimit. Është një kusht i qartë, pasi BE nuk dëshiron të sjellë probleme bilaterale dhe t’i bëjë probleme europiane. Prandaj, çdo gjë duhet të zgjidhet përpara anëtarësimit.

ABC News – Gledis Gjipali: Komiteti i Përbashkët për Integrimin në BE, 19 shtator 2024

Vizion+ / Gledis Gjipali: Komiteti i Përbashkët për Integrimin në BE, 19 shtator 2024