Dokument Politikash – Inteligjenca artificiale në prokurimin publik në Shqipëri, një udhërrëfyes për inovacion të balancuar në politikat publike, maj 2026

Ky punim, i hartuar nga Alba Brojka për Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA), shqyrton mundësitë dhe rreziqet që lidhen me përdorimin e inteligjencës artificiale në prokurimin publik në Shqipëri, duke ofruar një udhërrëfyes për inovacion të balancuar dhe të përgjegjshëm në politikat publike. Punimi argumenton se, ndonëse Shqipëria është pozicionuar si një ndër vendet e para që zbaton teknologjitë digjitale, përfshirë edhe emërimin shumë të komentuar të sistemit të inteligjencës artificiale, “Diella”, si ministre qeveritare me përgjegjësi mbikëqyrëse mbi prokurimin publik, kjo ambicie ka perparuar më shpejt sesa bazat ligjore, institucionale dhe teknike të nevojshme për një përdorim të sigurt dhe të përgjegjshëm të IA-së.

Punimi analizon tre dimensione të ndërlidhura: (i) panoramën praktike të përdorimit të inteligjencës artificiale në prokurimin publik në nivel global, përfshirë mënyrën dhe fazat ku sistemet e IA-së mund të përdoren gjatë proceseve para-tenderuese, tenderuese dhe pas dhënies së kontratës, si dhe rreziqet që burojnë nga cilësia e të dhënave, transparenca algoritmike dhe mungesa e aftësive profesionale; (ii) kuadrin ndërkombëtar dhe atë të BE-së për rregullimin e inteligjencës artificiale, me fokus të veçantë te qasja e bazuar në rrezik e Aktit të BE-së për IA-në dhe implikimet e tij për Shqipërinë si vend kandidat për në BE, i detyruar të përafrojë gradualisht legjislacionin me acquis-in; dhe (iii) gjendjen aktuale të përgatitjes ligjore dhe institucionale të Shqipërisë, për të identifikuar boshllëqe të konsiderueshme në legjislacionin e prokurimit publik dhe kapacitetet institucionale për monitorimin dhe auditimin e sistemeve të IA-së në përdorim.

Punimi arrin në përfundimin se ndryshimet e vitit 2024 në Ligjin për Prokurimin Publik në Shqipëri kanë sjellë dispozita që lejojnë përdorimin e e inteligjencës artificiale, por të pamjaftueshme, pasi nuk përcaktohet qartë përfitimi publik, menaxhimi i rreziqeve apo përgjegjësia institucionale. Gjithashtu, në punim theksohet se vendi ende nuk ka miratuar një Strategji Kombëtare për Inteligjencën Artificiale dhe nuk ka ngritur infrastrukturën rregullatore të nevojshme për të qeverisur përdorimin e IA-së në politikat publike në përputhje me standardet e BE-së.

Punimi përmbyllet me rekomandime konkrete si për sektorin e prokurimit publik, ashtu edhe për mjedisin më të gjerë të politikëbërjes publike, duke theksuar se inteligjenca artificiale nuk duhet të përfshihet në vendimmarrjen publike pa një kuadër funksional rregullator, pa të dhëna trajnuese të paanshme, pa procese transparente prokurimi, staf të trajnuar dhe mbikëqyrje të vazhdueshme njerëzore. Në mungesë të këtyre garancive, paralajmërohet se IA-ja rrezikon të riprodhojë modelet ekzistuese të korrupsionit dhe diskriminimit, në vend që t’i korrigjojë ato.

Dokument Politikash – Inteligjenca artificiale në prokurimin publik në Shqipëri, një udhërrëfyes për inovacion të balancuar në politikat publike, maj 2026 (në anglisht)

 

Ky material është prodhuar në kuadër të projektit “Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC-ve për procesin e anëtarësimit në BE”, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Lëvizjes Europiane në Shqipëri dhe autorëve, dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet dhe qëndrimet e Bashkimit Evropian.

Projekti “Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC-ve për procesin e anëtarësimit në BE”, po zbatohet nga Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) me mbështetjen financiaretë Bashkimit Evropian – IPA Civil Society Facility and Media 2021, në bashkëpunim me Akademinë e Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), Slovak Foreign Policy Association (SFPA) dhe Qendrën për Transparencë dhe Informim të Lirë (CTFI).