EuroNews – Rruga e Shqipërisë në BE, Gjipali: Lufta kundër korrupsionit, çelësi i suksesit, 15 tetor 2024
Gledis Gjipali, Drejtori Ekzekutiv i EMA-s, i ftuar në EuroNews, u shpreh se tashmë me hapjen e negociatave, BE-ja do të rrisë mbikëqyrjen e saj drejt çdo hapi që Shqipëria do të hedhi në vazhdim, një lupë zmadhuese e thënë ndryshe, për të monitoruar me imtësi çdo reformë që do të ndërmerret, pasi disa prej tyre duhen përfunduar brenda një afati të shpejtë, dhe nuk mund të vonohen, të spostohen apo të bëhen viktimë e cikleve elektorale të Shqiperisë. Ky grupkapitull i parë, që u hap, ofron garancitë më të rëndësishme për procesin e negociatave dhe është thelbësor për gjithë procesin. Po ashtu, nëse nuk ka ecuri pozitive për këtë grupkapitull, nuk hapen ose mbyllen pesë grupkapitujt e tjerë. Pra, Grupkapitulli I orienton gjithë ritmin e procesit të negociatave me BE. Më tej, Gjipali preku dhe çështjen e menaxhimit të parasë europiane, por edhe të buxhetit të shtetit, që më pas do të jetë brenda BE-së. Bashkë me legjislacionin, janë elemente të rëndësishme, që nuk mund të shkojnë në drejtim të kundërt me BE, pasi ka penalitete.



