Euronews: Shqipëria në BE në 2024? Gjipali: E vështirë pa dialog politik, 31 tetor 2024
I ftuar në EuroNews Albania për të folur mbi raportin e fundit të BE-së për Shqipërinë publikuar më tetor 2024, Gledis Gjipali u shpreh se vendi ynë po përballet me sfida në procesin e integrimit europian, ku financimi dhe mobilizimi i plotë i administratës paraqesin pengesa kryesore. Sipas tij, do të duhen specialistë të nivelit të lartë për të realizuar këto procese. Për më tepër, një situatë e stabilizuar politike është e domosdoshme për të arritur sukses në këtë drejtim. Pa një dialog politik funksional, qoftë në Kuvend apo në institucione të tjera, realizimi i reformave të rëndësishme është i pamundur. Një organizim politik i mirë dhe një marrëveshje ndërpartiake mund të mbështesin pjesën teknike të procesit të integrimit. Megjithatë, Z.Gjipali theksoi se ky proces është i vështirë për t’u realizuar, pasi partitë politike janë të përqendruara në maksimizimin e rezultateve përpara periudhës zgjedhore, gjithsesi, shpresat mbeten se në Parlamentin e ri do të mbizotërojë dialogu, veçanërisht për çështje madhore që lidhen me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Për hapjen e Grupkapitullit të dytë, Gjipali, theksoi se është e rëndësishme të fitohet sa më shumë nga koha që është humbur për shkak të pengesave në vitet e shkuara. Në lidhje me raportin për Kosovën dhe rrugën drejt statusit të vendit kandidat, Gjipali vuri në dukje se ky proces është vonuar, si rrjedhojë e kohëzgjatjes për ndërmarrjen e reformave të duhura, siç është shembulli i sanksioneve që Kosova vendosi ndaj Rusisë, të cilat janë në përputhje të plotë me politikën e Bashkimit Europian. Kjo tregon një përpjekje për të përmbushur kërkesat e BE-së, ndonëse disa shtete kandidate për anëtarësiim në BE, si Serbia, kanë mbajtur qëndrime të kundërta.
Euronews: Shqipëria në BE në 2024? Gjipali: E vështirë pa dialog politik, 31 tetor 2024



