Forum Diskutimi – Europa midis idealit dhe identitetit: Bisedë me të rinjtë, 12 dhjetor 2025
Në kuadër të Ditës Kombëtare të Rinisë, e cila kujtohet çdo 8 dhjetor, si dhe Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, e shënuar më 10 dhjetor, Lëvizja Europiane në Shqipëri zhvilloi më 12 dhjetor 2025 një forum diskutimi, i cili shërbeu si një hapësirë reflektimi për studentët dhe të rinjtë profesionistë mbi kuptimin e Europës sot si një komunitet vlerash dhe mbi mënyrën se si procesi i integrimit europian përkthehet në më shumë mundësi dhe perspektivë për të rinjtë shqiptarë. Të rinjtë pjesëmarrës u përfshinë në një dialog të hapur me Ambasadorin e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Shqipëri, Sh.T.Z. Reinout Vos, i cili ishte i ftuari kryesor i këtij takimi.
Nirvana Deliu, Drejtore Projekti pranë Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA), hapi takimin duke përshëndetur pjesëmarrësit dhe duke nënvizuar se kur flasim për Europën, shpesh nuk i referohemi vetëm gjeografisë, por edhe një hapësire të përbashkët vlerash, të cilat janë formësuar brenda Europës dhe kanë formësuar vetë Europën. Shqipëria ka aspiruar të jetë pjesë e kësaj hapësire dhe integrimi në BE është pikërisht procesi që do të “vulosë” identitetin tonë si europianë, duke qenë se shpeshherë kemi qenë në një udhëkryq historik, u shpreh ajo. Në përfundim, ajo theksoi se ky diskutim merr shkas në kuadër të Ditës së Rinisë, pasi të rinjtë janë gjithmonë në pararojë për të sjellë, por edhe për të pranuar, ndryshimet dhe, në një moment transformues ku ndodhet Shqipëria në kuadër të integrimit europian, përfshirja e tyre aktive është thelbësore.
Sh.T.Z. Reinout Vos, Ambasador i Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Shqipëri, në fjalën e tij theksoi se Europa është ndërtuar mbi vlera të përbashkëta që nuk janë abstrakte, por që udhëheqin politikat e përditshme. Ai u shpreh se historia ka treguar se identiteti europian dhe ajo që na bën të quhemi europianë nuk është diçka e ngurtë dhe e dhënë njëherë e përgjithmonë, por kërkon aftësinë për të reflektuar, ndryshuar dhe përshtatur. Në kontekstin e ndryshimeve gjeopolitike aktuale, ku Europa përballet me sfida të reja dhe ka humbur pjesë të ndikimit të saj, promovimi i vlerave dhe identitetit europian mbetet i rëndësishëm, jo për të nxitur nacionalizëm ekstrem, por për të forcuar parimet dhe vlerat mbi të cilat është ndërtuar projekti europian. Ai u ndal gjithashtu te rëndësia e diversitetit të identiteteve brenda Bashkimit Europian dhe vetë Europës, të cilat e pasurojnë projektin europian, duke përfshirë edhe politikën e zgjerimit si e vetmja ‘politikë ekspansioni’, ku një shtet ndërmerr vetë iniciativën për t’u anëtarësuar, duke përmbushur kriteret e përcaktuara, dhe nuk bashkohet i detyruar. Siç u shpreh z. Vos, historia ka njohur perandori që kanë funksionuar përmes forcës, dhunës apo pushtimit, por jo BE. Ndër të tjera, Ambasadori theksoi se të rinjtë shqiptarë tashmë kanë më shumë mundësi për t’u angazhuar me të rinjtë europianë përmes programeve që BE ofron, si Erasmus+, trajnime, studime dhe shkëmbime të tjera. Ai e mbylli fjalën e tij me mesazhin se duhet të jemi krenarë për Europën, historinë dhe zhvillimin e saj dhe të vazhdojmë të promovojmë këto vlera.
Dr. Ines Stasa, lektore dhe eksperte e çështjeve europiane, rikujtoi rëndësinë e vlerave europiane për transformimin e shoqërive, duke u ndalur te periudha pas Luftës së Dytë Botërore, kur shtetet europiane që dikur ishin në konflikt zgjodhën paqen dhe themelimin e institucioneve si Bashkimi Europian për të garantuar bashkëpunimin. Ajo vuri në dukje se kur flasim për BE-në apo Europën, duhet kuptuar se nuk bëhet fjalë thjesht për një konstrukt politik të formësuar nga institucionet në Bruksel, por për një projekt shumë më të gjerë, i cili përfaqëson vlerat dhe idetë e Europës së Bashkuar.
Në pjesën e dytë të takimit, të rinjtë, përmes komenteve, pyetjeve dhe reflektimeve të tyre, u shprehën mbi pritshmëritë që kanë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, por edhe mbi atë çfarë Shqipëria mund t’i ofrojë Europës, si dhe mbi sfidat dhe mundësitë që ata kanë si të rinj. Përveç diskutimeve mes të rinjve dhe ambasadorit, u shfaq një video-mesazh dhe u lexuan disa artikuj të përgatitur nga vetë të rinjtë mbi mënyrën se si ata e perceptojnë projektin europian. Ata u ndalën te ngjashmëritë dhe dallimet mes tyre dhe të rinjve europianë, te ndikimi i izolimit dhe nevojën për të mos u harruar, si dhe te pyetja nëse për të përqafuar identitetin europian duhet hequr dorë nga identiteti kombëtar, apo nëse këto dy identitete mund të bashkëjetojnë. Gjithashtu, ata ndanë eksperiencat e tyre si studentë në vendet e Bashkimit Europian dhe aspiratat që kanë për të ardhmen, si për veten, ashtu edhe për zhvillimin e mëtejshëm të demokracisë dhe shoqërisë në Shqipëri.
*Ky forum diskutimi zhvillohet në kuadër të projektit Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC ve për procesin e anëtarësimit në BE , me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian IPA Civil Society Facility 2021, i cili zbatohet nga Lëvizja Europiane në Shqipëri dhe në bashkëpunim me Akademinë e Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), Slovak Foreign Policy Association (SFPA) dhe Qendrën për Transparencë dhe Informim të Lirë (CTFI).



