Forum Diskutimi – Midis Reformës dhe Realitetit: Liria e Shprehjes, Media dhe Transparenca, 18 shkurt 2026

Forumi i diskutimit, i organizuar nga Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), më 18 shkurt 2026, nën moderimin e gazetarit Syrjan Rahova, u përqendrua në tematikat e lidhura kryesisht me Kapitullin 23 – Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore, në lirinë e shprehjes, medias, të drejtën për informim dhe transparencën e institucioneve publike, mbrojtjen e konsumatorëve dhe siguri online, duke marrë shkas nga artikujt e përzgjedhur në revistën online EuroSpeak.

Gjatë fjalës përshëndetëse, Nirvana Deliu, Drejtore Projekti pranë Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA), nënvizoi rëndësinë e të kuptuarit të procesit të integrimit europian si dhe të menduarit kritik në kuadër të reformave që po bëhen. Në këtë kuadër, thirrjet e shpeshta të hapura për artikujv në revistën EuroSpeak kanë përherë në fokus zhvillimet e fundit të procesit në Shqipëri, por edhe në BE, duke synuar të krijojnë një hapësirë debati dhe reflektimi mbi sfidat dhe prioritetet e reformave. Përmes analizave dhe opinioneve, revista kontribuon në rritjen e informimit publik, si dhe në nxitjen e një kulture dialogu konstruktiv mbi çështjet europiane. Gjithashtu, Deliu theksoi rëndësinë e angazhimit të të rinjve dhe profesionistëve të rinj në këtë proces, duke i inkurajuar ata të kontribuojnë me qasje kritike ndaj zhvillimeve aktuale. Në këtë mënyrë, EuroSpeak synon të shërbejë jo vetëm si një platformë informimi, por edhe si një mjet fuqizimi për ata që duan të jenë pjesë aktive e rrugëtimit europian të vendit.

Sami Nezaj, Drejtor Ekzekutiv, Qendra për Transparencë dhe Informim të Lirë, autor i artikullit “Një media e censuruar mes njerëzish të lirë – absurdi shqiptar”, trajtoi lirinë e shprehjes në Shqipëri si një paradoks mes publikut dhe medias, ku kjo e fundit përballet me forma të ndryshme censurimi dhe vetëcensurimi. Ai argumentoi se, ndonëse qytetarët gëzojnë në parim lirinë për të shprehur mendimet e tyre, hapësira mediatike shpesh ndikohet nga interesa të ngushta politike dhe ekonomike që kufizojnë pavarësinë editoriale. Nezaj shpjegoi se ky dallim lidhet me një sërë faktorësh strukturorë, si ndërthurja e interesave politike dhe ekonomike, përqendrimi i pronësisë mediatike në pak duar, mungesa e transparencës financiare, presionet dhe format e frikësimit ndaj gazetarëve, si dhe kushtet e pasigurta të punës në redaksi. Këto elemente, sipas tij, krijojnë një klimë që cenon profesionalizmin dhe autonominë e medias, duke e bërë atë më të ndjeshme ndaj ndikimeve të jashtme. Ai theksoi rëndësinë e monetizimit të përmbajtjes mediatike online (pasi 80% e përmbajtjes nuk monetizohet) si një nga faktorët kyç për garantimin e qëndrueshmërisë financiare, rritjen e cilësisë së raportimit dhe nxitjen e inovacionit. Sipas tij, ndërtimi i modeleve të reja të biznesit, investimi në teknologji dhe zhvillimi i kapaciteteve profesionale janë thelbësore për t’u përshtatur me format e reja të dixhitalizimit dhe me ndryshimet në sjelljen e audiencës. Në përfundim, Nezaj nënvizoi se përmirësimi i situatës kërkon një bashkëpunim të qëndrueshëm dhe të balancuar mes shtetit dhe medias, të mbështetur në respektimin e pavarësisë, rritjen e transparencës dhe krijimin e një mjedisi ligjor që garanton lirinë e shprehjes dhe konkurrencën e ndershme në tregun mediatik.

Inva Hasanaliaj, Gazetare & Studiese në fushën e Komunikimit dhe Medias, autore e artikullit “Liria e shprehjes dhe medias, testi i vërtetë i integrimit europian për Shqipërinë”, u fokusua tek debatet mbi mbrojtjen penale të gazetarëve dhe dekriminalizimin e shpifjes. Ajo theksoi se, ndonëse janë ndërmarrë disa hapa formalë pozitivë në kuadër të përafrimit me standardet e Bashkimi Europian, realiteti në terren mbetet sfidues. Sipas Hasanaliajt, presionet politike, paditë strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP), mungesa e ndëshkueshmërisë për kërcënimet dhe sulmet ndaj gazetarëve, vonesat procedurale, “financimet e errëta” të mediave dhe pengesat në aksesin ndaj informacionit publik vazhdojnë të cenojnë ushtrimin e lirë dhe të pavarur të profesionit. Ajo argumentoi se këto fenomene krijojnë një klimë pasigurie që ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e raportimit dhe në rolin mbikëqyrës të medias në një shoqëri demokratike. Një tjetër element i rëndësishëm i trajtuar prej saj ishte e drejta e autorit, që duhet të mbrohet qartë dhe efektivisht me ligj, veçanërisht në epokën e dixhitalizimit dhe riprodhimit të shpejtë të përmbajtjeve. Mbrojtja e kësaj të drejte është thelbësore jo vetëm për garantimin e integritetit profesional, por edhe për qëndrueshmërinë ekonomike të mediave. Në përfundim, Hasanaliaj u shpreh se këto problematika devijojnë fokusin e gazetarëve nga misioni i tyre kryesor informues dhe mbikëqyrës, ndërsa jo rrallëherë ndikojnë negativisht edhe në gjendjen e tyre psikologjike.

Ina Allkanjari, Gazetare & Hulumtuese, autore e artikullit “Transparenca në Shqipëri: Sfida e të Drejtës për Informim”, theksoi rëndësinë themelore të së drejtës për informim si një shtyllë e demokracisë funksionale dhe e llogaridhënies publike. Ajo vuri në dukje sfidat e vazhdueshme me të cilat gazetarët përballen në përpjekjet për të aksesuar informacionin nga institucionet shtetërore dhe publike. Sipas Allkanjarit, përjashtimet ligjore si mbrojtja e të dhënave personale apo sekretit shtetëror në jo pak raste keqpërdoren për të shmangur transparencën, duke fshehur kontrata publike, marrëveshje koncesionare dhe procese vendimmarrëse me interes të lartë publik. Ndërkohë, transparenca proaktive nga institucionet shpesh mbetet në nivel formal, pa reflektuar një vullnet real për informim të plotë dhe të kuptueshëm për qytetarët. Ajo argumentoi se e drejta për informim, edhe pa nevojën e paraqitjes së një motivimi nga kërkuesi, është e rregulluar qartë me ligj dhe duhet të zbatohet në praktikë pa pengesa. Megjithatë, në realitet, procedurat burokratike, vonesat dhe refuzimet e pajustifikuara e kthejnë këtë proces në një “betejë të lodhshme” për gazetarët, duke bërë që informacioni i kërkuar të humbasë aktualitetin dhe relevancën. Allkanjari përmendi gjithashtu se shpeshherë kërkohet ndërhyrja e vazhdueshme e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale për të siguruar akses në dokumente dhe materiale zyrtare, çka tregon për mangësi në zbatimin e drejtpërdrejtë të ligjit nga institucionet. Në përfundim, ajo theksoi se garantimi efektiv i së drejtës për informim mbetet një provë e rëndësishme për forcimin e transparencës në vend sipas standardeve europiane.

Eranda Zorba, Lektore, Fakulteti i Shkencave Natyrore dhe Humane, Universiteti “Fan S. Noli” Korçë, autore e artikullit “Zgjerimi i Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor: kostot dhe përfitimet politiko-ekonomike në dritën e teorive të integrimit europian”, analizoi kostot dhe përfitimet politiko-ekonomike në rrafshin e teorive të integrimit europian, duke argumentuar se kundërshtimi ndaj zgjerimit buron më shumë nga llogaritë e brendshme politike të shteteve anëtare sesa nga kosto reale financiare. Zorba theksoi se përfitimet nga zgjerimi janë të shumanshme, duke përfshirë stabilizimin ekonomik, rritjen e tregtisë, forcimin e institucioneve demokratike dhe promovimin e bashkëpunimit rajonal. Ajo argumentoi se implementimi i politikave të integrimit dhe shfrytëzimi i fondeve europiane kërkojnë kapacitete të forta administrative dhe institucione të konsoliduara, për të siguruar që investimet dhe mbështetja e BE-së të transformohen në rezultate konkrete për qytetarët. Në këtë kuadër, sfidat kryesore mbeten jo vetëm në nivel politik, por edhe në nivel teknik dhe administrativ, duke kërkuar trajnime të vazhdueshme, standardizim të procedurave dhe transparencë në menaxhimin e fondeve. Në përfundim, Zorba nënvizoi se sukseset e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor nuk maten vetëm nga përfitimet ekonomike, por edhe nga aftësia e shteteve aspiruese për të ndërtuar institucione funksionale, për të zbatuar ligje dhe politika të standardeve europiane dhe për të garantuar që qytetarët të ndjejnë përfitimet konkrete të integrimit.

Erjonilda Hasrama, Lektore, Departamenti i Marketingut, Universiteti “Aleksandër Moisiu Durrës, autore e artikullit “Më shumë informacion, por më pak besim: Siguria online dhe të drejtat e konsumatorit në epokën dixhitale” diskutoi mbi cilësinë e informacionit në ditët e sotme duke e cilësuar atë si pak të besueshëm, çka shkakton pasiguri e hezitim të konsumatorëve ndaj tregtisë elektronike. Ajo theksoi se mbigarkesa informative, reklamat e personalizuara, praktikat manipuluese shpesh e zhvendosin konsumatorin nga aktor të informuar drejt një përdoruesi të orientuar algoritmikisht. Në përfundim, Hasrama nënvizoi se edukimi dhe informimi i vazhdueshëm i konsumatorëve, krahas përmirësimit të rregulloreve ligjore, janë të domosdoshme për fuqizimin e tyre dhe për ndërtimin e një sistemi dixhital të qëndrueshëm dhe të besueshëm.

Gjatë diskutimeve u evidentuan një sërë sfidash kyçe, ndër to mbrojtja e të drejtës së autorit si thelbësore për garantimin e pavarësisë editoriale dhe nxitjen e krijimtarisë në mediat shqiptare. Mungesa e monetizimit të qëndrueshëm në rrjetet kryesore mediatike e bën sektorin të varur nga tregu i brendshëm i reklamës, i cili shpesh ndikohet nga interesa politike dhe ekonomike, duke rritur rrezikun e vetëcensurës dhe reduktuar cilësinë e përmbajtjes informative. Diskutimi gjithashtu përqendroi vëmendjen te sfidat e aksesit ndaj informacionit publik dhe proceset e ankimit pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, si dhe te siguria ushqimore, ku u theksua nevoja për informim të duhur të qytetarëve mbi standardet që garantojnë cilësinë e ushqimit.

***

Ky forum diskutimi u zhvillua në kuadër të projektit “Ndërtimi i Partneritetit mbi Cështiet Themelore Fuqizimi i OSHC-ve për procesin e anëtarësimit në BE”, me mbështetien financiare të Bashkimit Evropian – IPA Civil Society Facility 2021, i cili zbatohet nga Lëvizja Europiane në Shqipëri dhe në bashkëpunim me Akademinë e Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), Slovak Foreign Policy Association (SFPA) dhe Qendrën për Transparencë dhe Informim të Lirë (CTFI).