Forum Diskutimi – Peisazhi i ri ligjor: Si po ndryshojnë drejtësia, privatësia dhe siguria publike?, 22 dhjetor 2025

Forumi i diskutimit, i organizuar nga Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), më 22 dhjetor 2025, nën moderimin e gazetares Katerina Hysenllarit, u përqendrua në tematika që lidhen me çështjet e Kapitullit 23 dhe 24 të acquis së BE-së, duke marrë shkas nga artikuit e publikuar në Revistën Juridike Shqiptare (ALJ).

Në fjalën e tij prezantuese, Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv, Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), theksoi se forume të tilla sjellin më pranë jo vetem autorë të revistës, por edhe aktorë të tjerë të shoqërisë civile dhe grupeve të tjera të interesit, per tematika qe na prekin ne perditshmeri.

Dr. Irene Dule, Avokate & Eksperte, Qendra “Res Publica”, autore e artikullit “Strategjitë – Sindroma e përsëritjes: Pse strategjia e KLGJ-së rrezikon të kthehet në përsëritje të dështimit të planifikimit, ndërsa rritja e efektivitetit të gjyqësorit është sot emergjencë kombëtare?” trajtoi Strategjinë Kombëtare të KLGJsë për Uljen e Numrit të Çështjeve të Prapambetura (2024-2027) ku theksoi se mbështetet në projeksione sasiore jorealiste për rritje produktiviteti (50–80%), pa bazë metodologjike të verifikueshme, pa vlerësim të dështimeve të mëparshme, me tregues statistikorë të përgjithësuar që fshehin barrën reale të çështjeve të vjetra. Ajo përmendi gjithashtu se Reforma në drejtësi ka prodhuar një krizë funksionale të thellë, të shkaktuar nga vakancat masive të vetingut, mungesa e arkitekturës tranzitore dhe ndryshimi i hartës gjyqësore të vitit 2023, i cili centralizoi apelimet në Tiranë pa analizë ndikimi, duke krijuar një “gyp hinke” dhe mijëra çështje në pritje me vonesa deri në 14.6 vjet.

Haxhire Vezi, Oficere Ligjore dhe e Politikave, PPNEA, autore e artikullit“Përafrimi me GDPR dhe sfidat e zbatimit të ligjit të ri për mbrojtjen e të dhënave personale në Shqipëri”, u shpreh se Ligji i ri nr. 124/2024 “Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, i cili hyri në fuqi më 1 shkurt 2025, shënon një kthesë historike për Shqipërinë duke përafruar plotësisht legjislacionin vendas me Rregulloren e Përgjithshme të BE-së për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (GDPR). Ky ligj sjell disa risi thelbësore, duke filluar me përforcimin e të drejtave të individëve për kontrollin e të dhënave të tyre, në veçanti “e drejta për t’u harruar”, e cila u jep individëve kontroll  mbi të dhënat e tyre  digjitale, duke lejuar fshirjen e të dhënave të pasakta ose jo relevante. Megjithatë, suksesi i kësaj reforme do të varet nga forcimi i kapaciteteve të Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, edukimi i vazhdueshëm i publikut dhe bashkëpunimi i ngushtë me BE-në për të kthyer mbrojtjen e privatësisë nga një normë formale në një kulturë institucionale të qëndrueshme.

Vilson Blloshmi, Koordinator Projektesh & Hulumtues pranë Institutit Shqiptar të Studimeve Ndërkombëtare (AIIS), autor i artikullit “Ligji i ri për kanabisin: Oportunitetet, Risqet dhe Reflektimet nga Praktikat Europiane”, analizoi sfidat e legalizimit të kanabisit mjekësor dhe industrial në Shqipëri, duke u fokusuar tek rëndësia e gjurmueshmërisë “nga fara te shitja” si kusht për përafrimin me standardet e BE-së. Blloshmi theksoi rreziqet e larta të devijimit të produktit ligjor drejt tregjeve kriminale, duke marrë si shembuj dështimet rregullatore në Portugali, por dhe në rajon si Serbi dhe Maqedoni e Veriut. Në Shqipëri, procesi mbikëqyret nga shoqëria “ALBTrace Co”, ndërsa 10 zonat kadastrale të miratuara për kultivim synojnë të jenë larg qendrave të banuara dhe zonave të mbrojtura për të garantuar sigurinë. Në përfundim, ai solli në vëmendje se, ashtu siç përmendet edhe në rekomandimet kryesore të Raportit të Komisionit Europian 2025, forcimi i kapaciteteve mbikëqyrëse, transparenca mbi pronarët përfitues dhe kontrollet e rrepta kundër pastrimit të parave për të ruajtur integritetin e sistemit janë të nevojshme.

Ilenia Kaso, Koordinatore Projektesh & Hulumtuese, autore e artikullit “Progresi i Shqipërisë për Kapitullin 24 të acquis së BE: Forcimi i bashkëpunimit policor dhe roli i agjencive europiane të zbatimit të ligjit në rajon”, theksoi se bashkëpunimi me agjencitë europiane si Europol, Eurojust dhe Frontex luanë një rol kritik në forcimin e kapaciteteve zbatuese dhe sigurisë kufitare. Që nga nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit në dhjetor 2013, Shqipëria dhe Europol-i kanë krijuar një partneritet të fortë për të luftuar krimin e rëndë ndërkombëtar, trafikun e drogës dhe terrorizmin. Marrëveshjet operacionale me këto institucione mundësojnë shkëmbimin e inteligjencës në kohë reale përmes rrjeteve të sigurta si SIENA. Në përfundim, vazhdimi i reformave në shtetin e së drejtës dhe bashkëpunimi ndërkombëtar janë thelbësorë që Shqipëria të kontribuojë në arkitekturën e sigurisë europiane.

Pjesëmarrësit u angazhuan në diskutime mbi reformën në drejtësi, duke theksuar nevojën për rritjen e kuotave të pranimit në Shkollën e Magjistraturës me qëllim plotësimin e vakancave në sistemin gjyqësor. Gjithashtu, u trajtua domosdoshmëria e përcaktimit të qartë të asaj që përbën të dhëna personale dhe parandalimi i abuzimit të tyre nga palë të tjera për qëllime të tjera përtej informimit. Diskutimet përfshinë edhe zgjerimin e bashkëpunimit të Shqipërisë me agjenci të tjera, me synim rritjen e ndërveprimit në çështjet që lidhen me Kapitullin 24, si dhe nevojën për transparencë në identifikimin e pronarëve përfitues në kuadër të ligjit për kanabisin në vend.

*Ky forum diskutimi u zhvillua në kuadër të projektit “Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC-ve për procesin e anëtarësimit në BE”, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian – IPA Civil Society Facility 2021, i cili zbatohet nga Lëvizja Europiane në Shqipëri dhe në bashkëpunim me Akademinë e Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), Slovak Foreign Policy Association (SFPA) dhe Qendrën për Transparencë dhe Informim të Lirë (CTFI).