Grupkapitulli 1 – Themeloret

Grupi i parë i kapitujve është Themeloret, i cili përfshin themelet e shtetit të së drejtës dhe demokracisë. Ky grupkapitull përbëhet nga 5 kapituj që  hapen njëkohësisht, dhe janë kapitujt e parë që hapen në kuadër të përafrimit të legjislacionit shqiptar me acquis-in dhe të fundit që do të mbyllen.

Kapitulli 23 Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore. Ky kapitull ka për qëllim arritjen e një sistemi gjyqësor të paanshëm dhe efikas që siguron sundimin e ligjit dhe zbatimin e tij të efektshëm. Ai gjithashtu ka për qëllim garantimin e procesit të drejtë në përputhje me parimet kushtetuese dhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut. Shtetet anëtare dhe vendet në procesin e anëtarësimit duhet të luftojnë efektivisht kundër korrupsionit për të siguruar stabilitetin e institucioneve demokratike dhe funksionimin e duhur të shtetit të së drejtës. Ky kapitull përfshin këto çështje: 1- Funksionimi i sistemit gjyqësor, 2- Lufta kundër korrupsionit, 3- të Drejtat Themelore

Pas hapjes së negociatave për Grupkapitullin 1, janë vendosur këto pikata ndërmjetëse për këtë kapitull:

Shqipëria vazhdon të zbatojë reformën e saj gjithëpërfshirëse në drejtësi, duke sjellë përmirësime në paanshmërinë, pavarësinë, përgjegjshmërinë, profesionalizmin, cilësinë dhe efikasitetin e sistemit gjyqësor. Në veçanti, Shqipëria do ta përmbushë këtë standard pasi të ketë arritur sa vijon:

  • Një zbatim të mirë në vazhdimësi të reformës në drejtësi, që duhet të konsolidohet në përputhje me acquis-në përkatëse të BE-së dhe standardet evropiane, duke përfshirë forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve, efikasitetit dhe pavarësisë, duke përfshirë parimet e integritetit, meritës dhe transparencës, të organeve vetëqeverisëse të gjyqësorit, veçanërisht Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke përfshirë edhe emërimin e anëtarëve të tyre;
  • Forcimin e pavarësisë dhe llogaridhënies nëpërmjet përmbylljes së rregullt të procesit të vetingut nën mbikëqyrjen e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit dhe ruajtjen e llogaridhënies dhe integritet në sistemin gjyqësor në të gjitha nivelet edhe pas vetingut dhe sigurimit të rezistencës sistematike të sistemit gjyqësor ndaj tentativave për ndikim të paligjshëm nga brenda dhe jashtë sistemit;
  • Përmirësimin e cilësisë së gjyqësorit, duke përfshirë uljen e ndjeshme të çështjeve të prapambetura me arritjen e dy të tretave të parashikimeve të planifikimit vjetor, duke avancuar ndjeshëm publikimin në kohë të vendimeve të zbardhura, forcimin e Shkollës së Magjistraturës;
  • Rritjen graduale të efikasitetit dhe performancës së gjykatave dhe prokurorive dhe promovimin e shërbimeve cilësore të drejtësisë, promovimin e zgjidhjeve alternative të mosmarrëveshjeve dhe krijimin e një sistemi mirëfunksional të menaxhimit të integruar të çështjeve.

Shqipëria duhet të bëjë përparim të mëtejshëm dhe të konsiderueshëm në goditjen dhe parandalimin e korrupsionit. Në veçanti, Shqipëria do ta përmbushë këtë standard të nërmjetëm pasi të ketë arritur sa vijon:

  • Rritjen e kapaciteteve operacionale dhe konsolidimin e burimeve financiare dhe njerëzore të organeve të specializuara kundër korrupsionit dhe të institucioneve të zakonshme gjyqësore për të luftuar korrupsionin;
  • Të ketë bërë përparim të prekshëm në të gjitha nivelet drejt një historiku solid hetimesh, procedimesh dhe dënimesh në çështjet e korrupsionit, veçanërisht dënime të formës së prerë të niveleve të larta, duke përfshirë sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve;
  • Forcimin e efikasitetit të kuadrit për parandalimin e korrupsionit, duke përfshirë arritjen e një progresi të konsiderueshëm në zbatimin e rekomandimeve të GRECO-s, sigurimin e verifikimit efikas të deklaratave të pasurisë dhe përmbylljen konsistente të hetimeve administrative me sanksionet përkatëse dhe referimin në prokurori;

Shqipëria duhet të forcojë më tej mbrojtjen e të drejtave themelore në praktikë. Në veçanti, Shqipëria do ta përmbushë këtë standard të ndërmjetëm pasi të ketë arritur sa vijon:

  • Miratimin dhe fillimin e zbatimit të reformës për mbrojtjen e të dhënave në përputhje me acquis-në e BE-së, duke përfshirë reagimin sistematik dhe marrjen e masave mbrojtëse efikase për mbrojtjen e privatësisë dhe të dhënave personale;
  • Forcimin e lirisë së shprehjes, duke përfshirë edhe lirinë e medias, ndër të tjera nëpërmjet një kuadri legjislativ dhe rregullator të reformuar në përputhje me standardet evropiane, praktikat më të mira dhe rekomandimet përkatëse dhe nëpërmjet masave konkrete për rritjen e sigurisë së gazetarëve;
  • Forcimin e kapaciteteve institucionale, duke përfshirë kapacitetet e organeve të barazisë, sigurimin e përafrimit legjislativ me acquis-në e BE-së për mosdiskriminimin, barazinë gjinore dhe luftën ndaj dhunës me bazë gjinore, dhe ofrimin e mekanizmave efikasë për kompensimin dhe ndihmën ndaj viktimave siguruar në masën më të madhe nga buxheti i shtetit;
  • Përforcimin e sistemit të mbrojtjes së fëmijëve udhëhequr nga interesi më i mirë i fëmijës;
  • Arritjen e një progresi vendimtar drejt krijimit të një sistemi efikas dhe transparent të regjistrimit dhe menaxhimit të integruar të pronës që ofron tituj të qartë dhe të sigurt pronësie dhe drejt një shërbimi plotësisht të dixhitalizuar në praktikë. Të ketë arritur një përparim vendimtar drejt marrjes së masave që të gjitha të dhënat kadastrale, duke përfshirë edhe titujt e pronësisë dhe hartat kadastrale, të digjitalizohen dhe përditësohen me kujdes për të hequr sistematikisht të dhënat dhe ankesat e mbivendosura ose të pasakta, të trajtohen në mënyrë efikase. Të ketë ulur numrin e çështjeve të prapambetura gjyqësore sa i përket pronësisë dhe të ketë zbatuar me efikasitet vendimet e gjykatës;
  • Miratimin e akteve nënligjore që lidhen me vetëidentifikimin e lirë dhe përdorimin e gjuhëve të personave që u përkasin pakicave dhe ngritjen e kapaciteteve zbatuese, duke përfshirë edhe ato të Komisionit për Pakicat Kombëtare dhe burimet e tij;
  • Përforcimin e përafrimit të kornizës së saj legjislative me acquis-në e BE-së për të drejtat e shtetësisë.

Kapitulli 24 mbi Drejtësinë, Lirinë, Sigurinë. Ky kapitull ka si qëllim të mbajë dhe të zhvillojë me tutje Bashkimin si një zonë lirie, sigurie dhe drejtësie. Ai kërkon një kapacitet administrativ të fortë dhe të mirëintegruar brenda agjensive të zbatimit të ligjit dhe organeve të tjerë përkatës, të cilët duhet të arrijnë standartet e nevojshme. Një polici e besueshme, efikase dhe profesionale është shumë e rëndësishme. Pjesa më e detajuar dhe e rëndësishme është ajo e Shengen acquis, e cila bazohet në heqjen e kontrolleve kufitare të brendshëm dhe lëvizjen e lirë brenda BE-së.

Ky kapitull konsiston në këto çështje:

  1. Lufta kundër krimit të organizuar
  2. Lufta kundër terrorizmit
  3. Bashkëpunimit në fushën e drogave
  4. Migracioni ligjor dhe të parregullt
  5. Azili
  6. Shengen dhe kufinjtë e brendshëm
  7. Bashkëpunim juridik në çështje penale dhe civile

Pas hapjes së negociatave për Grupkapitullin 1, disa piketa të ndërmjetme janë vendosur për këtë kapitull:

Shqipëria duhet të bëjë progres të dukshëm në luftën kundër krimit të organizuar. Specifikisht, Shqipëria do të përmbushë piketat e ndërmjetme pasi të ketë:

  • Përshtatur më tepër me acquis të BE-së mbi luftën kundër krimit të organizuar, duke përfshirë kriminalizimin e pastrimit të parave, si dhe rekuperimin dhe konfiskimin e pasurisë;
  • Bërë një progres të dukshëm në hetimin, ndjekjen penale dhe dënimin përfundimtar në të gjitha fushat e krimeve të rënda apo të organizuara (duke përfshirë trafikimin e qenieve njerëzore dhe të abuzimit seksual me fëmijët, krime kibernetike, trafikimin e armëve dhe të drogave);
  • Demonstruar një praktikë konsistente dhe të vazhdueshme të hapjes së hetimeve paralele financiare në rastet e krimit te organizuar apo të pastrimit të parave;
  • Bërë progres të dukshëm në sekuestrimin dhe konfiskimin përfundimtar të aseteve, me një zyrë plotësisht funksionale të rikuperimit të pasurive përgjegjëse për identifikimin dhe gjurmimin e aseteve kriminale, siç parashikohet nga legjislacioni kombëtar;
  • Bërë përparim thelbësor në çmontimin e rrjeteve të trafikimit të qenieve njerëzore, me fokus në ndikimin e rëndësishëm që ka tek gratë dhe vajzat.

Shqipëria duhet të rrisë bashkëpunimin në fushën e drogave. Specifikisht, Shqipëria do të përmbushë piketat e ndërmjetme pasi të ketë:

  • Krijuar një Sistem Kombëtar të Paralajmërimit të Hershëm funksional dhe me burime të mjaftueshme dhe një Observator Kombëtar të Drogave, dhe të ketë përafruar legjislacionin me acquis të BE-së për drogat dhe prekursorët e drogës;
  • Bërë progres të dukshëm drejt sekuestrimeve të drogës, shkatërrimit dhe konfiskimit të aseteve përkatëse, dhe të sigurojë zbatim të fortë të shkeljeve kundër kultivimit të ligjshëm të kanabisit.

Shqipëria duhet të tregojë rezultate konkrete në fushën e migracionit ligjor dhe të parregullt dhe azilit, dhe mbi çështje që lidhen me acquis të Shengen-it dhe kufinjve të jashtëm, sipas Planit te aksionit te BE-së për Ballkanin Perëndimor. Specifikisht, Shqipëria do të përmbushë piketat e ndërmjetme pasi të këtë:

  • Siguruar kapacitete të mjaftueshme të kontrollit kufitar dhe staf adekuat për menaxhimin e flukseve të përziera të migracionit, si dhe rritjen e harmonizimit mbi politikat e vizave;
  • Bërë progres në fushën e migrantëve që futen kontrabandë;
  • Siguruar eksiztencën e një sistemi funksional të azilit sipas acquis të BE-së dhe të standardeve europiane, ku shteti siguron shërbimet e nevojshme për azil kërkuesit.

Kapitulli 5 mbi Prokurimin Publik. Ky kapitull është i bazuar mbi respektimin e disa parimeve të përgjithshme si transparenca, trajtimi i barabartë dhe konkurrenca e lirë për sa i përket kontratave publike në sektorë të caktuar.

Ky kapitull konsiston në këto çështje:

  1. Prokurimi Klasik
  2. Sektori i Shërbimeve
  3. Koncesionet dhe PPP
  4. Prokurimi i mbrojtjes dhe sigurisë
  5. Proceset e rishikimit

Kapitulli 18 mbi Statistikat. Ky kapitull kërkon aderimin ndaj disa parimeve të insituticionit statistikor si paanshmëria, besueshmëria, transparenca, mbrojtja e të dhënave personale dhe publikimi periodik i statistikave të rëndësishme për shtetin dhe individin.

Ky kapitull konsiston në këto çështje:

  1. Infrastruktura Statistikore
  2. Statistika makroekonomike
  3. Statistikat e biznesit
  4. Statistika sociale
  5. Statistika agrikulturore
  6. Statikstika mjedisore
  7. Statistika energjetike

Kapitulli 32 mbi Kontrollin Financiar. Ky kapitull fokusohet tek kontrolli i brendshëm financiar publik bazuar në parimin e decentralizimit. Është shumë e rëndësishme që kontrolli të përfshijë menaxhimin financiar të fondeve kombëtare dhe të BE-së. Aspekti unik i këtij kapitulli është që kërkon një trup auditi të jashtëm dhe të pavarur, i cili raporton periodikisht në parlament për përdorimin e fondeve publike.

Ky kapitull konsiston në këto çështje:

  1. Kontrolli financiar publik i brendshëm
  2. Audit i jashtëm
  3. Mbrojtjen e interesit financiar te BE-së
  4. Mbrojtjen e Euros kundër falsifikimit

 

Kalendari Screening për Grupkapitullin 1 BE-Shqipëri

Grupkapitulli 1 Institucioni Drejtues Takimi shpjegues Takimi dypalësh
Funksionimi i Institucioneve Demokratike Ministria e Drejtësisë 26 shtator 2022 16 janar 2023
Reforma e Administratës Publike Ministria e Drejtësisë 19 shtator 2022 12 dhjetor 2022
Kriteri Ekonomik Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit 30 shtator 2022 09 dhjetor 2022
Kapitulli 23 – Gjyqësori dhe të Drejtat e Njeriut  Ministria e Drejtësisë 27 shtator 2022 24 – 25 nëntor 2022
Kapitulli 24 – Drejtësi, Liri dhe Siguri Ministria e Brendshme 22 – 23 shtator 2022 8 -10 nëntor 2022
Kapitulli 5 – Prokurimi Publik Agjencia e Prokurimit Publik 15 shtator 2022 18 nëntor 2022
Kapitulli 18 – Statistikat INSTAT 16 shtator 2022 16 – 17 nëntor 2022
Kapitulli 32 – Kontrolli Financiar Ministria e Financave 19 shtator 2022 9 dhjetor 2022

 

Dokumente të rëndësishme:

Raporti Screening për Grupkapitullin 1 – Themeloret, korrik 2024

Pozicioni i Përbashkët Negociues i BE për Grupkapitullin 1 – Themeloret, tetor 2024