Grupkapitulli 2 – Tregu i Brendshëm
Grupkapitulli 2 – Tregu i Brendshëm, i cili përbëhet nga 9 kapituj, ka për qëllim të përgjithshëm që vendet kandidate të përafrojnë legjislacionin dhe institucionet e tyre me standardet e Bashkimit Europian, në mënyrë që të marrin pjesë plotësisht dhe në mënyrë konkurruese në tregun e brendshëm të BE-së.
Kapitujt që bëjnë pjesë në grupin tematik të Tregut të Brendshëm nuk duhet të shihen të shkëputur nga njëri-tjetri, pasi shumë prej tyre kanë elementë të përbashkët dhe ndërveprojnë në mënyrë që të forcojnë njëri-tjetrin. Për shembull, mbikëqyrja e tregut është një përbërës kyç i strukturës për lëvizjen e lirë të mallrave, duke siguruar që në tregun e brendshëm të BE-së të vendosen vetëm produkte të sigurta. Por njëkohësisht, ajo është edhe një pjesë thelbësore e strukturës për mbrojtjen e konsumatorit dhe shëndetit, pasi ndihmon në sigurimin që konsumatorët të mbrohen nga produktet e pasigurta.
Për të gjithë kapitujt brenda këtij Grupkapitulli, Bashkimi Europian ka vendosur gjithsej 30 kritere të përkohshme përmbyllëse me hapjen e negociatave më 14 prill 2025.
Kapitulli 1 – Lëvizja e lirë e mallrave
Si një nga katër liritë themelore të Bashkimit Europian, lëvizja e lirë e mallrave kërkon heqjen e të gjitha pengesave teknike ndaj tregtisë mes Shteteve Anëtare, duke krijuar një treg të unifikuar dhe konkurrues. Për Shqipërinë, kjo nënkupton eliminimin e çdo pengese tregtare që mund të pengojë hyrjen e produkteve me origjinë nga BE-ja, përmes harmonizimit të legjislacionit kombëtar, rregulloreve teknike dhe standardeve, veçanërisht në sektorët që paraqesin rreziqe më të larta për sigurinë e konsumatorit. Nënfushat e këtij kapitulli janë parimet e përgjithshme; masat horizontale (standardizimi, vlerësimi i konformitetit dhe shenja CE, akreditimi, metrologjia ligjore, mbikëqyrja e tregut, procedurat e njoftimit, përgjegjësia për produktin), direktivat e përqasjes së re; direktivat e përqasjes së vjetër dhe masa procedurale.
Pas hapjes së negociatave për Grupkapitullin 2, janë vendosur tre kritere të përkohshme përmbyllëse për këtë kapitull:
- Shqipëria ka një nivel të avancuar përafrimi me futjen e klauzolave të njohjes së ndërsjellë dhe me ndryshimet e nevojshme në legjislacionin vendas dhe praktikat administrative, në përputhje me detyrimet që rrjedhin nga nenet 34-36 të Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Europian (TFEU).
- Shqipëria është përafruar me acquis-në e BE-së për legjislacionin horizontal të produkteve dhe demonstron një nivel të avancuar përafrimi me acquis-në e BE-së për produktet në këtë kapitull, veçanërisht në ato sektorë ku përafrimi deri tani ka qenë i pamjaftueshëm ose i kufizuar.
- Shqipëria dëshmon se ka kapacitet të mjaftueshëm administrativ, me standarde të larta integriteti, për të zbatuar dhe përforcuar në mënyrë të duhur, deri në momentin e anëtarësimit, legjislacionin në të gjitha fushat horizontale që ndikojnë në lëvizjen e lirë të mallrave (duke përfshirë standardizimin, akreditimin, metrologjinë, vlerësimin e konformitetit dhe mbikëqyrjen e tregut), si edhe acquis-në e BE-së për produktet në këtë kapitull.
Kapitulli 2 – Liria e lëvizjes së punëtorëve
Ky kapitull i acquis-së së BE-së garanton lëvizjen e lirë të punëtorëve brenda Bashkimit Evropian, duke u lejuar qytetarëve të punojnë në çdo Shtet Anëtar pa diskriminim mbi bazën e kombësisë. Ai siguron trajtim të barabartë në punësim, pagesë dhe kushte pune, dhe zgjeron disa të drejta edhe për anëtarët e familjes. Ky kapitull përfshin gjithashtu koordinimin e sistemeve të sigurimeve shoqërore dhe pjesëmarrjen në Shërbimet Europiane të Punësimit (EURES), që mbështesin punësimin ndërkufitar. Punëtorët e BE-së kanë të drejtë të pranojnë oferta pune, të lëvizin lirshëm brenda vendit pritës, të qëndrojnë për qëllime punësimi nën kushte të caktuara. Parimet gjithashtu garantojnë: qasje jo-diskriminuese në tregun e punës, të drejta për pensione suplementare për punëtorët që lëvizin midis Shteteve Anëtare. Nënfushat e këtij kapitulli janë: qasja në tregun e punës; pensionet suplementare dhe koordinimi i sistemeve të sigurimeve shoqërore.
Pas hapjes së negociatave për Grupkapitullin 2, është vendosur një kriter i përkohshëm përmbyllës për këtë kapitull:
- Shqipëria dëshmon se ka struktura dhe kapacitete të mjaftueshme zbatimi për të përmbushur plotësisht acquis-në për lirinë e lëvizjes së punëtorëve deri në momentin e anëtarësimit.
Kapitulli 3 – E drejta e vendosjes dhe liria për të ofruar shërbime
Kapitulli 3 i acquis-së së Bashkimit Europian mbulon të drejtën e vendosjes dhe lirinë për të ofruar shërbime brenda BE-së. Ky kapitull u mundëson individëve dhe ndërmarrjeve të krijojnë biznese ose të ofrojnë shërbime në çdo Shtet Anëtar pa diskriminim mbi bazën e kombësisë apo vendbanimit. Ky kapitull siguron që bizneset dhe ofruesit e shërbimeve të mund të veprojnë përtej kufijve në të njëjtat kushte si shtetasit vendas, duke nxitur konkurrencën dhe funksionimin e tregut të brendshëm. Gjithashtu, përfshin dispozita për mbrojtjen e interesit publik; sigurimin e cilësisë dhe sigurisë së shërbimeve. Nënfushat e këtij kapitulli janë: njohja e ndërsjellë e kualifikimeve profesionale; liria për të ofruar shërbime dhe shërbimet postare.
Pas hapjes së negociatave për Grupkapitullin 2, janë vendosur katër kritere të përkohshme përmbyllëse për këtë kapitull:
- Shqipëria ka miratuar dhe i ka paraqitur Komisionit Europian një listë të profesioneve të rregulluara, në përputhje me kuptimin e acquis-së përkatëse të BE-së, duke specifikuar aktivitetet që mbulon secili profesion si dhe arsyetimet për rregullimin e tyre.
- Shqipëria ka përafruar programet e studimit, përmes të cilave fitohen kualifikimet për profesionet e rregulluara në Shqipëri, me kërkesat minimale të trajnimit të përcaktuara në Direktivën 2005/36/KE dhe ndryshimet përkatëse të saj.
- Shqipëria ka përafruar rregullimin horizontal për shërbimet duke përfshirë Direktivën për Shërbimet (Direktiva 2006/123/KE) dhe tregon përparim të mëtejshëm në përafrimin e legjislacionit sektorial dhe në kapacitetin administrativ përkatës.
- Shqipëria është përafruar me acquis-në duke shfuqizuar çdo kërkesë për shtetësi për qasjen dhe ushtrimin e aktiviteteve të shërbimit, me përjashtim të kërkesave për shtetësi që janë të justifikuara dhe proporcionale sipas nenit 51 të TFBE-së. Këto ndryshime duhet të jenë të zbatueshme deri në datën e anëtarësimit.
Kapitulli 4 – Lëvizja e lirë e kapitalit
Kapitulli 4 i acquis-së së Bashkimit Europian fokusohet në lëvizjen e lirë të kapitalit, e cila mundëson lëvizjen pa kufizime të investimeve, aseteve financiare dhe kapitalit ndërmjet Shteteve Anëtare të BE-së. Ky parim siguron që individët dhe bizneset mund të investojnë, blejnë ose shesin asete përtej kufijve pa u përballur me diskriminim ose kufizime, duke kontribuar kështu në integrimin e tregjeve financiare brenda BE-së. Ky kapitull gjithashtu mbulon heqjen e pengesave për flukset e kapitalit, përfshirë kufizimet mbi investimet e huaja direkte dhe pagesat ndërkufitare. Nënfushat e këtij kapitulli janë: lëvizja e lirë e kapitalit dhe shërbimet e pagesave; parandalimi i pastrimit të parave dhe lufta kundër korrupsionit.
Pas hapjes së negociatave për Grupkapitullin 2, janë vendosur tre kritere të përkohshme përmbyllëse për këtë kapitull:
- Shqipëria është përafruar me acquis-në në lidhje me lëvizjen e kapitalit dhe tregon se do të jetë në gjendje ta zbatojë plotësisht atë deri në momentin e anëtarësimit, duke siguruar që të gjitha kufizimet e mbetura të hiqen.
- Shqipëria është përafruar me acquis-në e BE-së në fushën e pagesave, veçanërisht sa i përket shërbimeve të pagesave në tregun e brendshëm (Direktiva për Shërbimet e Pagesave, e ndryshuar), pagesave ndërkufitare dhe acquis-së për Zonën e Vetme të Pagesave Europiane (SEPA).
- Shqipëria është përafruar me acquis-në e BE-së në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit (veçanërisht me Direktivën për Parandalimin e Pastrimit të Parave, Rregulloren për Pastrimin e Parave dhe Rregulloren për Transferimin e Fondeve, të ndryshuara).
Kapitulli 6 – E drejta e shoqërive tregtare
Kapitulli 6 i acquis-së së Bashkimit Europian fokusohet në ligjin e shoqërive tregtare, duke synuar të krijojë një kornizë të unifikuar për formimin, funksionimin dhe qeverisjen e kompanive në të gjithë Shtetet Anëtare. Ky kapitull siguron që bizneset të mund të operojnë pa pengesa brenda tregut të brendshëm të BE-së, duke standardizuar rregullat për formimin e kompanive, të drejtat e aksionarëve dhe qeverisjen korporative. Po ashtu, kapitulli përfshin dispozita për mbrojtjen e kreditorëve, transparencën në raportimin financiar, dhe lehtësimin e bashkimeve dhe blerjeve ndërkufitare, duke promovuar një mjedis biznesi më konkurrues dhe të integruar brenda BE-së. Nënfushat e këtij kapitulli janë: ligji i shoqërive tregtare dhe qeverisja korporative, dhe llogaritë korporative.
Pas hapjes së negociatave për Grupkapitullin 2, janë vendosur katër kritere të përkohshme përmbyllëse për këtë kapitull:
- Shqipëria e ka përafruar legjislacionin e saj me dispozitat e përgjithshme të acquis-së së BE-së në fushën e së drejtës së shoqërive tregtare dhe krijimit e funksionimit të shoqërive me përgjegjësi të kufizuar, bashkimeve dhe ndarjeve të brendshme si dhe shndërrimeve, bashkimeve dhe ndarjeve ndërkufitare.
- Shqipëria ka përafruar legjislacionin e saj me Direktivën për të Drejtat e Aksionarëve, siç është ndryshuar, me Direktivën për Ofertat Publike të Blerjes dhe siguron se do të jetë në gjendje të zbatojë Corporate Sustainability Due Diligence Directive që nga dita e anëtarësimit.
- Shqipëria ka përafruar Ligjin e saj për Tregjet e Kapitalit dhe legjislacionin përkatës zbatuese me acquis-në, i cili përfshin versionin më të fundit të Direktivës për Transparencën dhe gjithashtu ka përafruar regjimin e saj të raportimit financiar.
- Shqipëria ka përafruar legjislacionin e auditimit të detyrueshëm, përfshirë legjislacionin zbatuese, me versionin më të fundit të Direktivës për Auditimin.
Kapitulli 7 –E drejta e pronësisë intelektuale
Kapitulli 7 i acquis-së së Bashkimit Europian fokusohet në ligjin për pronësinë intelektuale (PI), duke synuar harmonizimin e mbrojtjes së të drejtave të pronësisë intelektuale në të gjithë Shtetet Anëtare. Ky kapitull siguron që krijuesit, shpikësit dhe bizneset të kenë mbrojtje për inovacionet e tyre, markat tregtare, patentat dhe dizajnet në të gjithë BE-në. Ai përfshin dispozita për të drejtat e autorit, markat tregtare, patentat, dizajnet industriale, dhe indikacionet gjeografike, duke promovuar inovacionin, krijimtarinë dhe konkurrencën e ndershme. Po ashtu, kapitulli mbështet zbatimin e të drejtave të pronësisë intelektuale dhe bashkëpunimin ndërmjet autoriteteve kombëtare për të trajtuar çështjet e shkeljeve brenda tregut të brendshëm. Nënfushat e këtij kapitulli janë: të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura dhe të drejtat e pronësisë industriale.
Pas hapjes së negociatave për Grupkapitullin 2, janë vendosur tre kritere të përkohshme përmbyllëse për këtë kapitull:
- Shqipëria ndërmerr të gjitha ndryshimet legjislative të nevojshme për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të BE/EEA në të gjitha fushat që nga dita e anëtarësimit.
- Shqipëria ka përafruar legjislacionin e saj me acquis-në për të drejtat e pronësisë intelektuale, veçanërisht për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura, të drejtat e pronësisë industriale dhe zbatuese të pronësisë intelektuale.
- Shqipëria siguron kapacitete të mjaftueshme administrative për të regjistruar të drejtat e pronësisë intelektuale dhe ofron një histori të efektshmërisë së zbatimit të këtyre të drejtave nga autoritetet administrative përkatëse, dhe përmes drejtësisë civile dhe, kur është e nevojshme, asaj penale.
Kapitulli 8 – Politika e konkurrencës
Kapitulli 8 i acquis-së së Bashkimit Europian fokusohet në politikën e konkurrencës, duke synuar sigurimin e konkurrencës së ndershme brenda tregut të brendshëm. Ai vendos rregulla për të parandaluar praktikat anti-konkurruese, si kartelat, abuzimin me pozitat dominuese të tregut dhe bashkimet anti-konkurruese. Ky kapitull gjithashtu mbulon kontrollin e ndihmës shtetërore, për të parandaluar subvencionet qeveritare që mund të deformojnë konkurrencën. Duke promovuar një mjedis konkurrues në treg, kjo politikë ndihmon në uljen e çmimeve, përmirësimin e cilësisë së produkteve, dhe nxitjen e inovacionit për konsumatorët në të gjithë BE-në. Nënfushat e këtij kapitulli janë: kuadri ligjor për politikën e konkurrencës; kuadri institucional dhe kapaciteti për zbatim, përfshirë antitrustin dhe bashkimet, dhe ndihma shtetërore.
Pas hapjes së negociatave për Grupkapitullin 2, janë vendosur katër kritere të përkohshme përmbyllëse për këtë kapitull:
- Shqipëria është përafruar me acquis-në e BE-së që mbulohet nga kapitulli për politikën e konkurrencës.
- Shqipëria ka ndërtuar kapacitete të mjaftueshme administrative dhe gjyqësore në fushën e antitrustit, dhe kontrollit të ndihmës shtetërore, duke përfshirë sigurimin e pavarësisë operacionale të Komisionit të Ndihmës Shtetërore.
- Shqipëria ka demonstruar një histori të fortë të zbatimit në fushën e antitrustit, përfshirë një histori të ndjekjes administrative dhe gjyqësore efektive dhe efikase të shkeljeve.
- Shqipëria ka demonstruar një histori të fortë të zbatimit në fushën e kontrollit të ndihmës shtetërore, përfshirë një histori të njoftimit ex-ante të ndihmës, vlerësimin e thelluar dhe përafrimin efektiv të masave dhe skemave të ndihmës me acquis-në, si dhe ndjekjen administrative dhe gjyqësore efektive dhe efikase, përfshirë edhe rikuperimin e ndihmës ilegale dhe të papajtueshme kur është e aplikueshme.
Kapitulli 9 –Shërbimet financiare
Kapitulli 9 i acquis-së së Bashkimit Europian mbulon shërbimet financiare, duke synuar krijimin e një tregu të përbashkët për shërbimet bankare, sigurimi dhe investimet në të gjithë BE-në. Ky kapitull siguron që institucionet financiare të mund të operojnë lirisht dhe sipas rregullave të njëjta në të gjitha Shtetet Anëtare, ndërkohë që ruajnë stabilitetin financiar, mbrojtjen e konsumatorëve, dhe integritetin e tregut. Ai përfshin rregullore për mbikëqyrjen, licencimin, kërkesat për kapital, dhe masat kundër pastrimit të parave. Po ashtu, kapitulli promovon transparentën dhe konkurrencën në tregjet financiare, duke kontribuar në efikasitetin dhe qëndrueshmërinë e sistemit financiar të BE-së. Nënfushat e këtij kapitulli janë: bankat dhe konglomeratet financiare; sigurimet dhe pensionet profesionale dhe infrastrukturat e tregut financiar.
Pas hapjes së negociatave për Grupkapitullin 2, janë vendosur pesë kritere të përkohshme përmbyllëse për këtë kapitull:
- Shqipëria ka një nivel të avancuar përafrimi me acquis-në në fushën e bankave dhe konglomerateve financiare, veçanërisht në lidhje me kërkesat për kapitalin, mbikëqyrjen e konglomerateve financiare, mbrojtjen e depozitave, si dhe organizimin dhe mbylljen e institucioneve kredite, dhe ka demonstruar kapacitetin për të përafruar plotësisht me acquis-në para anëtarësimit dhe për ta zbatuar dhe përforcuar atë që nga dita e anëtarësimit.
- Shqipëria ka një nivel të avancuar përafrimi me acquis-në në fushën e sigurimeve dhe pensioneve profesionale, veçanërisht sa i përket sigurimeve të jetës, risigurimit, shpërndarjes së sigurimeve dhe sigurimeve të përgjegjësisë për automjetet, dhe ka demonstruar se do të jetë gati për ta zbatuar acquis-në që nga dita e anëtarësimit.
- Shqipëria ka një nivel të avancuar përafrimi me acquis-në në fushën e infrastrukturës së tregut financiar, përfshirë pastrimin dhe likuidimin, veçanërisht sa i përket përfundimit të likuidimit dhe rregullimeve të kolateralit financiar, dhe në fushën e tregjeve të sigurimeve, shërbimeve të investimeve dhe menaxhimit të investimeve, veçanërisht sa i përket kuadrit të Tregjeve të Instrumenteve Financiare, prospektusit, transparencës dhe abuzimit me tregun, dhe lidhur me menaxhimin e investimeve, dhe ka demonstruar se do të jetë gati për ta zbatuar acquis-në që nga dita e anëtarësimit.
- Shqipëria ka një nivel të avancuar përafrimi me acquis-në në fushën e financave digjitale, veçanërisht sa i përket qëndrueshmërisë operative dhe aseteve kriptografike, dhe ka demonstruar se do të jetë gati për ta zbatuar acquis-në për financat digjitale dhe financat e qëndrueshme që nga dita e anëtarësimit.
- Shqipëria ka demonstruar forcën dhe pavarësinë e institucioneve rregullatore dhe mbikëqyrëse me standarde të larta integriteti në përputhje me kërkesat e legjislacioneve sektoriale përkatëse – me kapacitete të mjaftueshme administrative për zbatimin dhe përforcimin e acquis-së në fushën e shërbimeve financiare.
Kapitulli 28 – Mbrojtja e konsumatorit dhe shëndetit
Kapitulli 28 i acquis-së së Bashkimit Europian fokusohet në mbrojtjen e konsumatorëve dhe shëndetit, duke synuar të sigurojë një nivel të lartë sigurie dhe të drejtash për konsumatorët në të gjithë BE-në. Ai përfshin rregulla për sigurinë e produkteve, të drejtat e konsumatorëve, praktikat tregtare të ndershme, dhe qasje në drejtësi në mosmarrëveshjet e konsumatorëve. Në fushën e shëndetit, kapitulli mbështet masa për mbrojtjen e shëndetit publik, sigurimin e sigurisë së ushqimit dhe produkteve, dhe promovimin e informacionit dhe edukatës shëndetësore. Ky kapitull ndihmon në ndërtimin e besimit të konsumatorëve dhe siguron që standartet e shëndetit të respektohen në mënyrë të barabartë në të gjitha Shtetet Anëtare. Nënfushat e këtij kapitulli janë: mbrojtja e konsumatorëve, përfshirë çështjet e sigurisë së produkteve dhe ato që nuk lidhen me sigurinë, si dhe shëndeti publik, përfshirë e-shëndetin, produktet mjekësore për shëndetin dhe përdorimin veterinar, produktet kozmetike, dispozitat për pajisjet mjekësore, kontrollin e duhanit, gjakun, indet, qelizat dhe organet, sëmundjet infektive dhe sigurinë shëndetësore, etj.
Pas hapjes së negociatave për Grupkapitullin 2, janë vendosur tre kritere të përkohshme përmbyllëse për këtë kapitull:
- Shqipëria ka një nivel të avancuar përafrimi me acquis-në e BE-së për sigurinë e përgjithshme të produkteve dhe mbrojtjen e konsumatorëve (përfshirë acquis-në e BE-së për zbatimin privat, për garancitë dhe për përmbajtjen digjitale), duke siguruar mbrojtjen e interesave të konsumatorëve, sigurinë e tyre, ndihmën për ndërtimin e kapaciteteve për organizatat e konsumatorëve, zbatimin efektiv dhe të drejtën për të kërkuar kompensim. Shqipëria demonstron struktura administrative të përshtatshme me standarde të larta integriteti dhe kapacitet zbatimi, duke përfshirë nivelet e nevojshme të pavarësisë, për t’i zbatuar ato në mënyrë të duhur deri në momentin e anëtarësimit.
- Shqipëria ka një nivel të avancuar përafrimi me legjislacionin e BE-së dhe detyrimet ndërkombëtare për kontrollin e duhanit, si dhe zbatimin dhe forcimin e plotë dhe të duhur të tij.
- Shqipëria është përafruar me acquis-në e BE-së për të drejtat e pacientëve në kujdesin shëndetësor ndërkufitar, substancat e origjinës njerëzore, produktet mjekësore për përdorim njerëzor dhe veterinar, kozmetikën dhe pajisjet mjekësore, ka një nivel të avancuar përafrimi me të gjithë acquis-në tjetër të BE-së për shëndetin publik dhe demonstron se ka nivelet e nevojshme të kapacitetit administrativ dhe integritetit, përfshirë një sistem/autoritet mbikëqyrës të qëndrueshëm, për ta zbatuar dhe forcuar në mënyrë të duhur acquis-në e shëndetit publik të BE-së në këto fusha.
Kalendari Screening për Grupkapitullin 2 BE-Shqipëri
| Grupkapitulli 2 | Institucioni Drejtues | Takimi shpjegues | Takimi dypalësh |
| Kapitulli 1 – Lëvizja e lirë e mallrave | Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit | 15-18 janar 2019, përditësim më 10 tetor 2022 | 30 janar – 2 shkurt 2023 |
| Kapitulli 2 – Liria e lëvizjes së punëtorëve | Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit | 13 mars 2019, përditësim më 13 tetor 2022 | 9 mars 2023 |
| Kapitulli 3 –E drejta e vendosjes dhe liria për të ofruar shërbime | Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit | 11-12 dhjetor 2018, përditësim më 10 tetor 2022 | 17-18 janar 2023 |
| Kapitulli 4 – Lëvizja e lirë e kapitalit | Banka e Shqipërisë | 11 janar 2019, përditësim më 7 tetor 2022 | 15 shkurt 2023 |
| Kapitulli 6 – E drejta e shoqërive tregtare | Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit | 11 janar 2019, përditësim më 7 tetor 2022 | 15 shkurt 2023 |
| Kapitulli 7 –E drejta e pronësisë intelektuale | Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit | 21 janar 2019, përditësim më 7 tetor 2022 | 15 shkurt 2023 |
| Kapitulli 8 – Politika e konkurrencës | Autoriteti i Konkurrencës | 21 tetor 2019, përditësim më 12 tetor 2022 | 3 shkurt 2023 |
| Kapitulli 9 –Shërbimet financiare | Autoriteti për Mbikëqyrjen Financiare | 7-8 shkurt 2019, përditësim më 12 tetor 2022 | 19-20 janar 2023 |
| Kapitulli 28 – Mbrojtja e konsumatorit dhe shëndetit | Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit | 4-6 nëntor 2019, përditësim më 13 tetor 2022 | 6-8 mars 2023 |
Dokumente të rëndësishme:
Raporti Screening për Grupkapitullin 2 – Tregu i Brendshëm, shkurt 2025
Pozicioni i Përbashkët Negociues i BE për Grupkapitullin 2 – Tregu i Brendshëm, prill 2025



