Klan News – Sa para do na japë BE-ja dhe si do shpenzohen? Ekspertja zbulon detaje, 25 mars 2025

Bashkimi Europian ka ndarë një shumë të konsiderueshme ndihmash për shtetet e Ballkanit Perëndimor falë Planit të ri të Rritjes. Nirvana Deliu, eksperte pranë Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA), e ftuar në Klan News ka dhënë disa detaje lidhur me mënyrën si do të shpenzohen këto fonde. Ajo ka theksuar se detyra e parë që shtetet e Ballkainit Perendimor kanë pasur pas miratimit të ndihmës është realizimi i agjendave kombëtare të reformave. Këto janë dokumente strategjike ku secili shtet duhet të parashikojë reformat dhe prioritetet që do të mbështeten dhe financohen nga ky plan rritjeje. Deliu ka shpjeguar se për Shqipërinë, agjenda kombëtare e reformave parashikon periudhën 2024-2027 dhe përfshin pesë fusha prioritare: fuqizimin e sektorit të biznesit, zhvillimin e kapitalit njerëzor, digjitalizimin, tranzicionin energjetik dhe forcimin e shtetit të së drejtës. Ky i fundit, siç është e ditur, është një kusht i rëndësishëm i vendosur nga Komisioni Europian për avancimin e Shqipërisë në rrugën e integrimit.

Deliu ka shtuar se shteti shqiptar ka përmbushur me sukses raportimet për periudhën deri në fund të vitit 2024, duke realizuar të gjitha masat e parashikuara, dhe kjo ka bërë të mundur përfitimin e fondit të parë nga BE. Po ashtu, ajo ka theksuar rëndësinë e marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të Procesit të Berlinit, të cilat po ndihmojnë Shqipërinë dhe rajonin në afrimin me standardet e Bashkimit Europian. Sipas Deliut, nëse Shqipëria bëhet pjesë e BE-së, ajo do të integrohet automatikisht në tregun e vetëm të Bashkimit Europian, duke përfituar nga standardet dhe mundësitë që ofron ky integrim.

Klan News – Sa para do na japë BE-ja dhe si do shpenzohen? Ekspertja zbulon detaje, 25 mars 2025