MCN – Deliu: Për shkak të zgjedhjeve mund të ketë vonesa sa i përket hapjes së grupkapitujve të tjerë, 8 prill 2025

Në një intervistë për MCN, Nirvana Deliu, eksperte pranë Lëvizjes Europiane në Shqipëri  (EMA), u shpreh se vizita e parë në Ballkanin Perëndimor e Kaja Kallas, Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë e BE-së, ishte e rëndësishme, pasi do të mbahet dialogu Shqipëri-BE, për mbrojtjen dhe sigurinë, duke ritheksuar vullnetin e mirë të Shqipërisë për të përafruar bashkëpunimin e saj me BE-në.  Kallas përpos takimeve zyrtare me krerët e shtetit, zhvilloi takime edhe me aktorët e shoqërisë civile e përfaqësues të universiteteve, duke dhënë mesazh që reformat nuk bëhen vetëm nga qeveria, por duhet të përfshihet e gjithë shoqëria.

Më tej, Deliu shprehu se, pas zgjedhjeve mund të ndodhin ndryshime në qeverisje, por kjo nuk do të thotë të ketë penalitete, pasi të gjitha partitë kanë synim integrimin e Shqipërisë në BE. Megjithatë, kjo mund të sjellë një periudhë tranzicioni për krijimin e qeverisjes. Nga ana tjetër, mbetet për t’u parë se sa shpejt do të përshtatet administrata publike me këtë fushë. Edhe pse ekziston një reformë dhe një udhërrëfyes për administratën publike, sfidat e zbatimit mbeten të pranishme. Deliu rikujton se shkaku për realizimin e reformave nuk është vetëm anëtarësimi në BE, por pikë së pari krijimi i “një  BE-je të vogël” në Shqipëri. Sa më shumë integrohemi, sa më shumë afrohemi me standardet, aq me pozitive dhe e prekshme bëhet për gjithë shoqërinë.

Në përfundim, Deliu sqaroi se Bashkimi Europian e konsideron shoqërinë civile një element të rëndësishëm në proceset demokratike. Edhe pse nuk ka rol vendimmarrës, shoqëria civile duhet të jetë e pranishme si një aktor konsultues, që mund të ofrojë ekspertizë dhe mbështetje në ato fusha ku administrata publike përballet me vështirësi. Megjithatë, shoqëria civile përballet me disa mangësi. Së pari, mungesa e kapaciteteve të mjaftueshme për të ofruar ekspertizë cilësore e bën të vështirë përfshirjen efektive në proceset vendimmarrëse. Së dyti, ekziston një mungesë komunikimi me institucionet publike, të cilat shpesh e shohin përfshirjen e shoqërisë civile si një barrë shtesë. Pavarësisht këtyre sfidave, janë ngritur mekanizma urëlidhës, siç është Platforma e Partneritetit për Integrimin Europian dhe struktura e negociatave, të cilat mundësojnë përfshirjen jo vetëm të shoqërisë civile, por edhe të aktorëve të tjerë të interesuar në këto procese.

MCN – Deliu: Për shkak të zgjedhjeve mund të ketë vonesa sa i përket hapjes së grupkapitujve të tjerë, 8 prill 2025