MCN TV – Gjipali: Kufizimi i të drejtës së vetos përshpejton anëtarësimin në BE, por s’është propozim politik, 23 tetor 2025
I ftuar në MCN Live, Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv, Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), komentoi zhvillimet e muajit të kaluar dhe ndikimin e tyre në procesin integrues të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Gjipali u shpreh se Procesi i Berlinit s’e ka atë rëndësinë që ka pasur në fillimet e tij, kur nisi si një alternativë politike ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, pasi BE-ja e kishte të qartë që nuk do të kishte zgjerim në 5 vitet e ardhshme. Dialogu në nivel politik ka funksionuar, kurse zhvillimi i projekteve ka pasur më pak sukses dhe nuk e ka dhënë ndikimin e pritur, krahasuar me instrumentet e tjera që BE-ja po përdor tashmë. Gjipali shtoi se për t’u integruar në BE, përveç Komisionit Europian, duhen bindur edhe shtetet anëtare që Shqipëria ka bërë progres majftueshëm. Më tej, Gjipali theksoi se kufizimi i vetos deri në një moment të dytë mund të përshpejtojë anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Megjithatë, nuk ka pasur ende një propozim politik, si dhe duhet bërë një reformë institucionale brenda BE-së për të mundësuar një gjë të tillë. Në mbyllje të intervistës, Gjipali shprehet se për Shqipërinë, reformat në fusha të ndryshme duhet të arijnë të garantojnë përfitime konkrete për të gjithë shoqërinë shqiptare, përfshirë mediat, bizneset, konsumatorët, shoqërinë civile, etj.



