MCN TV: Hapja e Grupkapitullit 6/ Gjipali: Pozitive mesazhet e Komisioneres, 17 dhjetor 2024

Më 17 dhjetor, Gledis Gjipali, Drejtori Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA), ishte i ftuar në MCN TV për të diskutuar mbi hapjen e Grupkapitullit 6 në kuadër të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. I pyetur për deklaratat e Marta Kos, Gjipali i interpretoi ato si sinjale pozitive, pasi Shqipëria është dalluar në rajon vitet e fundit, veçanërisht për përparimin në Grupkapitullin 6 lidhur me marrëdhëniet me jashtë. Ai u shpreh se Shqipëria ka qenë gjithmonë në përputhje me politikat e BE-së, një element që kontribuon në këtë progres. Gjipali theksoi se transparenca është thelbësore dhe gjithmonë e nevojshme, sidomos për të përfshirë aktorë të ndryshëm, jo vetëm ata politikë. Më tej, ai e vuri theksin te rëndësia e Kuvendit në këtë proces, duke argumentuar se këto institucione duhet të luajnë një rol aktiv dhe të mos ia lënë të gjithë kontrollin ekzekutivit. Sipas tij, një proces i shpejtë dhe cilësor i integrimit kërkon balancim institucional dhe bashkëpunim. I pyetur nëse jemi duke ecur me hapa të sigurtë, si dhe për sfidat, Gjipali u shpreh se Shqipëria po ecën me ritme të shpejta, falë linjës së saj të përhershme pro-BE-së dhe përafrimit me qëndrimet e saj. Për sfidat, ai theksoi se ato zakonisht shfaqen gjatë negociatave kur kërkohen masa specifike. Gjipali paralajmëroi se masat që lidhen me biznesin duhet të trajtohen me kujdes të veçantë, pasi mund të sjellin pasoja të parikuperueshme pas mbylljes së negociatave. Në përfundim, eksperti rekomandoi që Shqipëria të analizojë praktikat e vendeve të tjera dhe të përfshijë grupet e interesit për të shmangur gabimet.