MCN TV – Konferenca e Dytë Ndërqeveritare me BE/ Deliu: Kapitull problematik, mbrojtja e konsumatorit, 9 tetor 2024
E ftuar në MCN TV, Nirvana Deliu, shprehet se Konferenca e Dytë Ndërqeveritare do të mbahet më datë 15 tetor, ku do të ketë përfaqësues nga të dyja palët, si nga Shqipëria dhe BE, të ndodhura të dyja në një pozicion negociues, duke vendosur punët dhe detyrat për 5 kapitujt e Grupkapitullit I, pasi kjo konferencë do të shënojë hapjen zyrtare të tij, dhe më tej fillon hapja e grupkapitujve të tjerë në mënyrë periodike. Për sa i përket kapitujve që ne çalojmë më shumë, Deliu shprehet se këtë do ta tregojë BE-ja në raportin e Komisionit për vitin 2024, ku do të vlerësohet niveli i progresit dhe i zhvillimit për secilin kapitull. Në raportin e vitit 2023, tregohet qartë që në pjesën më të madhe të kapitujve kemi një nivel mesatar implementimi, dhe një nga kapitujt më problematikë për Shqipërinë mbetet mbrojtja e konsumatorit dhe e shëndetit publik, ku kemi nivelin fillestar të përgatitjes. E pyetur se sa janë mundësitë reale që brenda 6 viteve të jemi pjesë e BE-së, Deliu shpjegoi se është e vështirë, sfiduese, por jo e pamundur. Tashmë dhe në BE ka disa ndryshime thelbësore pas zgjedhjeve parlamentare me rritjen e partive të djathta radikale, të cilat nuk kanë qenë asnjëherë miqësore me zgjerimin e BE-së, kështu që në këtë drejtim do të shohim se si do të ndikojë në procesin e zgjerimit. Ajo shprehet më tej se reformat që duhet të ndërmarrim janë të përcaktuara qartë dhe duhet të kemi një politikë sa më të mirë bashkëpunimi me vendet anëtare për t’i bindur se ne e meritojmë realisht procesin. Ndërkohë në lidhje me nivelin e tanishëm të Euroskepticizmit në vendin tonë, ajo sqaroi se rezultatet e barometrit të Ballkanit Perëndimor për këtë vit, tregojnë se vendet si Shqipëria dhe Kosova kanë një mbështetje shumë të madhe nga qytetarët, deri në shifrat 80-90%. Në përfundim, ajo qartësoi faktin se euroskepticizmi në Shqipëri lidhet më shumë me faktin se shoqëria shqiptare ka besimin se Shqipëria nuk ende është gati për t’u anëtarësuar në BE.



