MCN TV – Negociatat, Deliu: Procesi është sa teknik, aq edhe politik, 17 shkurt 2025
Më 17 shkurt 2024, Nirvana Deliu, eksperte pranë Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA), ishte e ftuar në MCN TV për të diskutuar aspektet teknike të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, si dhe deklaratën e Martës Kos lidhur me këtë proces. Në përgjigje të pyetjes për dallimet mes një procesi teknik dhe një procesi politik gjatë rrugëtimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, Deliu shpjegoi se këto procese ecin gjithmonë paralel dhe, ndonjëherë, mund të ndikojnë njëra-tjetrën, madje edhe ta pengojnë ose ta shtyjnë përpara. Ajo theksoi se procesi teknik lidhet ngushtësisht me Komisionin Europian dhe me rekomandimet që ai jep përmes raporteve të progresit. Megjithatë, Deliu theksoi se Komisioni Europian ka vetëm fuqinë për të dhënë rekomandime, dhe për këtë arsye përfshihet procesi politik, i cili ka rol në ka miratimin e këtyre rekomandimeve nga 27 shtetet anëtare të Bashkimit Europian. Ajo e vlerësoi deklaratën e Marta Kos-it si shumë diplomatike, pasi Komisioni Europian nuk mund të sigurojë që vullneti politik pro për çdo fazë të procesit të integrimit të Shqipërisë do të kalojë në mënyrë të garantuar.
Në vazhdim, Deliu analizoi njoftimin e ardhur nga Presidenca Polake e Këshillit të Bashkimit Europian, e cila lidhet me një konferencë ndërqeveritare që pritet të hapë një grupkapitull të ri të negociatave. Deliu vuri në dukje se Shqipëria ka kaluar një proces të rëndësishëm, siç është shqyrtimi i legjislacionit të Bashkimit Europian, por shprehu shqetësimin e saj për vështirësitë që mund të hasen gjatë mbylljes së kapitujve. Ajo theksoi mundësinë e vendosjes së kritereve të ndërmjetme në disa kapituj, ashtu siç është rasti me Kapitullin 23 (Gjyqësori dhe të drejtat themelore) dhe Kapitullin 24 (Drejtësia, liria dhe siguria). Megjithatë, sipas saj, Shqipëria ka mundësi të mbyllë kapitujt që lidhen me Grupkapitullin 6, i cili ka të bëjë me marrëdhëniet me jashtë. Në përfundim, kur u pyet nëse reforma në drejtësi do të ndikonte në procesin e integrimit të Shqipërisë, Deliu e pranoi se, pa dyshim, ky proces do të kishte ndikim të rëndësishëm, sidomos në rast se ka shqetësime në lidhje me cenimin e drejtësisë. Ajo theksoi se çdo problem i mundshëm në këtë fushë do të kishte një ndikim negativ për Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Europian.
MCN TV/ Negociatat, Deliu: Procesi është sa teknik, aq edhe politik, 17 shkurt 2025