MCN TV: “S’ka BE pa zgjidhur pronat” / Gjipali: Prioritet i negociatave! 2030? Objektiv i mundshëm, 16 tetor 2024

I ftuar në MCN TV, Gjipali shprehet për çështjen e pronave se është vendosur si prioritet nga BE-ja, prandaj ka ardhur koha të mendohet seriozisht dhe të zgjidhet njëherë e përgjithmonë ky problem, duke shtuar tashmë edhe presionin nga kjo e fundit. Duke qenë se e drejta e pronës është një e drejtë themelore e njeriut, nuk mund të ketë anëtarësim në BE pa garantuar të drejtat e njeriut. Megjithatë, është pozitive që ky fakt është vendosur në prioritet të integrimit. Përfitimet janë të shumta pas fillimit të negociatave, duke përfshirë mbështetje financiare që BE-ja ofron për këtë proces. Një pjesë e kësaj mbështetjeje shkon drejtpërdrejt në buxhet, një pjesë tjetër nëpërmjet projekteve infrastrukturore të ndryshme, dhe një pjesë e grupeve të interesit, si fermerët dhe bizneset e vogla e të mesme, ndihmohen për të arritur standardet europiane. Kjo do të thotë se do të ketë kosto më të larta për bizneset dhe, për pasojë, për qytetarët. Gjipali më tej shton se duhet të përgatitemi gradualisht për gjithë këtë kosto; e para, informacioni në kohën e duhur, dhe e dyta, instrumentet se si mund të zbutet kjo kosto, qoftë nga BE-ja, por edhe ato të krijuara nga Shqipëria. Pas anëtarësimit, do të ketë lëvizje të lirë të punonjësve, dhe kjo duhet të jetë një nga pikat ku duhet të jemi të kujdesshëm për të mbajtur qytetarët këtu e për të krijuar mundësi për ta. Ndryshe, do të kemi probleme socio-ekonomike në vend. Si ekspert i angazhuar në Komisionin e sapo krijuar të Antikorrupsionit në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, Gjipali thotë se reformat në sistemin e drejtësisë do të vazhdojnë. Sa i përket objektivit të vendosur nga Shqipëria për anëtarësimin deri në vitin 2030, sipas tij, është i mundshëm, por nuk dihet nëse Brukseli do të jetë gati për të dhënë dritën jeshile.

MCN TV: “S’ka BE pa zgjidhur pronat” / Gjipali: Prioritet i negociatave! 2030? Objektiv i mundshëm, 16 tetor 2024