News 24 – Gjipali: Kur do të anëtarësohet Shqipëria në BE? 31 tetor 2024
I ftuar për të komentuar mbi publikimin e raportit vjetor të Komisionit Europian për Shqipërinë për 2024, Gledis Gjipali, Drejtori Ekzekutiv i EMA-s, u shpreh se ishte pozitiv, dhe është e rëndësishme që të mbetet i tillë edhe në perspektivën e viteve në vazhdim. Në raport përgjithësisht nuk tregohen problematika të reja, por vëmendja fokusohet tek ato fusha që kanë më pak ose aspak progres, siç është liria e medias, e cila nuk ka ndonjë përparim dhe do të duhet të bëhet më shumë. Gjithashtu, kapitujt ku Shqipëria nuk ka pasur zhvillime pozitive, si siguria ushqimore dhe mbrojtja e konsumatorit, kërkojnë më shumë vëmendje, pasi problematikat janë të mëdha dhe nuk po adresohen me ritmin dhe nivelin e duhur nga administrata shqiptare. Janë disa kapituj specifikë, si e Drejta e Vendosjes dhe Liria për të ofruar shërbime, si dhe legjislacioni për shoqëritë tregtare, të cilat kanë nevojë për t’u përshtatur me standardet e legjislacionit europian. Më tej, Gjipali theksoi se ka vlerësime pozitive për sistemin gjyqësor; gjithashtu, pritet përfundimi i vettingut brenda këtij viti dhe çështja e emërimeve të jo-magjistratëve në struktura të rëndësishme të gjyqësorit, si KLP dhe KLGJ, të cilat duhet të bëhen jashtë ndikimeve politike për të garantuar mirëfunksionimin e këtyre institucioneve. Sa i përket të paturit një proces sa më të shpejtë në BE eshte i rëndësishëm dialogu politik, një parlament funksional dhe plotësimi i vendeve vakante në institucione. Shqipëria mund ta përshpejtojë procesin nëse ka vullnet politik, kapacitete teknike dhe financim të mjaftueshëm. Të gjitha këto përbëjnë një projekt ambicioz, por Shqipëria mund ta arrijë nëse do të ketë angazhim të fortë nga administrata, politika dhe grupet e interesit që duhet të përfshihen, në mënyrë që procesi të ketë shpejtësi dhe cilësi. Sa i përket situatës gjeopolitike, përfshirë luftën në Ukrainë, Gjipali shpjegon se kjo ndikon në parashikueshmërinë e procesit të integrimit. Megjithëse lufta në Ukrainë ka ndikuar pozitivisht në procesin dhe integrimin e Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, Gjipali shpreh optimizëm për mundësinë e përfundimit të procesit deri në vitin 2030, por thekson nevojën për angazhim të fortë nga të gjitha palët.
News 24 – Gjipali: Kur do të anëtarësohet Shqipëria në BE? 31 tetor 2024



