News 24 “Open” – Hapen negociatat, po kur do të futet Shqipëria në BE? Gjipali – Hapja e Grupkapitullit të parë, meritë edhe e Shqipërisë, 15 tetor 2024
Gledis Gjipali, Drejtori Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, shprehu në emisionin “Open” nën drejtimin e Eni Vasilit, në News24 se hapja e negociatave për Grupkapitullin e parë me Bashkimin Europian është një vendim me rëndësi gjeopolitike, por gjithashtu i bazuar në meritat e Shqipërisë. Ai theksoi se Europa e sotme është ndryshe nga ajo e 20 viteve më parë, kur ishte më e angazhuar për të mbështetur vendet ish-komuniste. Sot, BE-ja është më shumë e fokusuar në çështjet e brendshme dhe sigurinë, veçanërisht për shkak të krizave të shkaktuara nga lufta. Gjipali vuri në dukje se pas luftës në Ukrainë, BE-ja ka filluar të rikthejë vëmendjen në Ballkanin Perëndimor, duke ofruar fonde për gjashtë vendet e rajonit dhe duke dërguar mesazhe se Europa është e pranishme. Megjithatë, ai theksoi se gjeopolitika nuk mund të ndihmojë një vend që nuk plotëson standardet e nevojshme, prandaj është e domosdoshme që Shqipëria të punojë më shumë për t’u përgatitur për momentin e duhur.