Ora News – Mbledhja e qeverive Shqipëri-Itali, Deliu: Marrëveshjet lidhen me investimet dhe infrastrukturën, 14 nëntor 2025

Ekspertja e procesit të integrimit europian pranë Lëvizjes Europiane për Shqipërinë (EMA), Nirvana Deliu, gjatë intervistës së zhvilluar në Ora News, analizoi mbledhjen e zhvilluar midis qeverisë shqiptare dhe asaj italiane dhe impaktin që pritet të kenë marrëveshjet e nënshkruara ndërmjet tyre në rrugëtimin europian të vendit tonë. Deliu i konsideron të rëndësishme marrëveshjet e nënshkruara ndërmjet dy qeverive, disa prej të cilave orientohen drejtpërdrejtë në investimet që Italia kërkon dhe synon të bëjë në Shqipëri, në rritjen e kapaciteteve institucionale dhe infrastrukturës në fusha të caktuara, si dhe në rritjen e bashkëpunimit dhe koordinimit operacional midis autoriteteve italiane dhe atyre shqiptare.

Më tej, Deliu u ndal te sfidat kryesore të procesit të negociatave dhe të pas anëtarësimit, ku përmend krijimin dhe përshtatjen e strukturave të posaçme, që do të mundësojnë përthithjen dhe menaxhimin e duhur të fondeve të dhëna nga BE për Shqipërinë, me qëllim që të mos jemi të detyruar t’i rikthejmë këto fonde mbrapsht. Sa i takon raportit të këtij viti, Deliu tha se në disa prej kapitujve Shqipëria nuk ka bërë hapa përpara, si dhe duhet të punojë më shumë në përmirësimin e standardeve në kapituj si bujqësia, siguria ushqimore dhe mjedisi. Në përfundim, Deliu theksoi rëndësinë e meritokracisë së procesit, pra më mirë të anëtarësohemi më vonë në BE, por të jemi gati. Lidhur me procesin e negociatave, Shqipëria mund të kërkojë periudha tranzitore për disa prej kapitujve, por jo për ato që përfshijnë reformën në drejtësi e fusha të ngjashme.

Ora News – Mbledhja e qeverive Shqipëri-Itali, Deliu: Marrëveshjet lidhen me investimet dhe infrastrukturën, 14 nëntor 2025