Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile: Procesi i integrimit europian në Shqipëri – mundësitë për përfshirje të shoqërisë civile dhe të rinjve në procesin e negociatave për politikat sociale, turizmin, arsimin, dhe rininë, Fushë Arrëz, 5 nëntor 2025
Më 5 nëntor 2025, në Fushë Arrëz, u zhvillua një workshop në kuadër të Qendrës Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile (NRC), i cili zbatohet nga Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim në bashkëpunim me Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA). Aktiviteti mblodhi përfaqësues lokalë të shoqërisë civile, anëtarë të komunitetit dhe aktivistë për të diskutuar mbi angazhimin qytetar, zhvillimin lokal dhe procesin e integrimit europian.
Workshop-i u hap nga Xhoana Zeqo, Menaxhere Projekti pranë Partnerëve Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim, e cila theksoi rëndësinë e krijimit të OSHC-ve aktive dhe të informuara në nivel lokal. Ajo nënvizoi se qëllimi i këtij aktiviteti është të rrisë zërin e organizatave lokale, duke siguruar që perspektivat dhe shqetësimet e tyre të dëgjohen dhe të merren parasysh në diskutimet më të gjera të politikave. Zeqo vuri theksin tek nevoja që aktorët lokalë të jenë proaktivë, të angazhuar dhe të informuar për të forcuar pjesëmarrjen qytetare në komunitetet e tyre.
Nirvana Deliu, Drejtore Projekti në Lëvizjen Europiane në Shqipëri, ofroi një pasqyrë të zhvillimeve të fundit në procesin e integrimit europian të Shqipërisë, duke përfshirë hapjen dhe mbylljen e kapitujve dhe grupeve të kapitujve. Ajo nënvizoi rëndësinë e zgjerimit të dialogut mbi integrimin përtej Tiranës, duke angazhuar komunitete lokale si Fushë Arrëzi dhe duke bërë Platformën e Partneritetit për Integrimin Europian më të qasshme për aktorët lokalë. Nirvana gjithashtu theksoi rolin që OSHC-të në Tiranë dhe NRC mund të luajnë në kanalizimin e shqetësimeve dhe ankesave të organizatave lokale që nuk kanë mundësi të vijnë në kryeqytet, duke krijuar mundësi për aktivitete hibride dhe pjesëmarrje dixhitale për një angazhim më të gjerë.
Anila Shehi Dollani, eksperte për çështjet e BE-së, u fokusua tek rinia, turizmi dhe punësimi, duke ndarë shembuj praktikë dhe histori suksesi të granteve të fituara nga OSHC-të në Shqipëri në këto fusha. Ajo tregoi se si organizatat lokale mund të shfrytëzojnë këto mundësi për të forcuar kapacitetet e tyre, për të angazhuar të rinjtë dhe për të kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të komuniteteve të tyre. Shehi nënvizoi se pavarësisht sfidave të lidhura me kapacitetet dhe burimet e kufizuara, OSHC-të lokale mund të arrijnë rezultate konkrete duke bashkëpunuar, duke mësuar nga iniciativat e suksesshme dhe duke përfituar nga mekanizmat e mbështetjes në dispozicion.
Diskutimi konfirmoi rëndësinë e fuqizimit të aktorëve lokalë për të kontribuar në një proces integrimi më gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm, duke nxjerrë në pah nevojën për një ndërgjegjësim më të madh të qytetarëve mbi kërkesat, mundësitë dhe detyrimet që vijnë nga procesi i integrimit në BE. Pjesëmarrësit diskutuan mbi vlerën e forcimit të bashkëpunimit midis aktorëve lokalë dhe atyre kombëtarë, duke siguruar që OSHC-të lokale të jenë të informuara dhe të mund të kontribuojnë aktivisht në hartimin e politikave, monitorimin e zbatimit dhe rritjen e angazhimit qytetar dhe politik në komunitetet e tyre.
***
Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile në Shqipëri është një platformë informacioni dhe ofrimi shërbimesh që kontribuon në forcimin e kapaciteteve të shoqërisë civile për të qenë aktorë më efektivë, transparentë, të përgjegjshëm dhe të pavarur, si dhe në krijimin e një mjedisi mundësues për shoqërinë civile, demokracinë pjesëmarrëse dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kjo nismë financohet nga Bashkimi Europian dhe zbatohet nga Partnerët Shqipëri në partneritet me Qendrën Shqiptare për Popullsi dhe Zhvillim (QShPZh) dhe Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA).
Më shumë mund të gjeni në: www.resourcecentre.al



