RTSH 1 – Po tani që u çelën negociatat? Me Gledis Gjipalin në “Ekspres”, 16 tetor 2024
I ftuar për të komentuar për mbajtjen e Konferencës së Dytë Ndërqeveritare më 15 tetor 2024, që shënoi fillimin e negociatave me hapjen e Grupkapitullit të parë – Themeloret, e shoqëruar me ndarjen me Maqedoninë e Veriut në rrugëtimin e procesit, Gledis Gjipali sqaroi se sipas Metodologjisë së re të Zgjerimit, ky Grupkapitull do të ketë rëndësi më të madhe në krahasim me Grupkapitujt e tjerë. Prandaj, standardet duhet të jenë shumë të larta gjatë gjithë procesit, sepse nëse ne bëjmë progres në grupkapitujt e tjerë dhe ngecim në Themelorët, do të përballemi me bllokim në proces. Gjipali shpjegon gjithashtu se nëse kemi hapa mbrapa, për shembull në shtetin e së drejtës dhe të drejtat e njeriut, mund të ndodhë që kapitujt e përfshirë në Themeloret të mbyllen dhe të konsiderohen të pahapur, duke u detyruar të hapen përsëri nga fillimi. Pala negociuese nga BE-ja përbëhet nga përfaqësues të vendeve anëtare në Bruksel, të cilët marrin vendime në nivel diplomatik, ndërsa pjesa teknike përfaqësohet nga Komisioni Europian, i cili përgatit raportet. Skuadra jonë ngjason me formën e një piramide, ku në përbërje ka Kryenegociatoren, ndërsa Kryenegociatorët për secilin kapitull kryesojnë grupet negociatore. Lidhur me shpejtësinë që pritet të ketë procesi, ka një zhgënjim, sepse nuk po ecën me atë shpejtësi që ishte menduar. Ka dy elemente që ndikojnë drejtpërdrejt: e para lidhet me sa shpejt ne i bëjmë reformat, dhe e dyta lidhet me sa e gatshme është BE-ja të na pranojë. Jemi larg për ta parashikuar si moment, por ajo që kemi në dorë është kryerja e detyrave.
RTSH 1 – Po tani që u çelën negociatat? Me Gledis Gjipalin në “Ekspres”, 16 tetor 2024



