RTSH 24 – Çelet Grupkapitulli i fundit me BE-në, Gledis Gjipali analizon procesin e integrimit në BE, 18 nëntor 2025
Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv, Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), gjatë një interviste në RTSH 24, komentoi hapjen e negociatave për Grupkapitullin 5, rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit në BE dhe punën që duhet bërë në vijim në funksion të këtij procesi. Gjipali theksoi rëndësinë e hapjes së Grupkapitullit 5 – Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni, duke e argumentuar me heqjen e pengesave të mbetura për të ecur përpara me procesin e negociatave, me qëllim plotësimin e të gjitha standardeve për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Më tej, Gjipali analizoi rolin që luan bujqësia në Shqipëri, kryesisht në zonat rurale, duke thënë se rritja e standardeve duhet bërë pa sakrifikuar fermat dhe bizneset. Sipas tij, këto grupe të interesit duhet të përfshihen në mënyrë të drejtpërdrejtë në grupet negociatore nëpërmjet komunikimit dhe informimit.
Sa i takon raportit të fundit të Komisionit Europian, Gjipali e sheh pozitivisht progresin e bërë në fusha të caktuara, por komenton se ritmi i reformave duhet të jetë në rritje, si dhe duhet të prodhojmë rezultate për të gjithë kapitujt lidhur me realizueshmërinë e tyre për të gjitha fushat. Në vijim të analizës së raportit të këtij viti, Gjipali përmend një sërë pengesash duke i ndarë sipas fushave përkatëse. Te bujqësia problem mbetet menaxhimi jo i mirë i fondeve IPARD, e që duhet korrigjuar për të mundësuar rifillimin e këtij programi në mënyrë që këto fonde të shpërndahen sa më shpejt për të gjithë fermerët. Përsa i përket pengesave të tjera, Gjipali përmend mungesën e përgatitjes së administratës publike, sigurinë ushqimore dhe mungesën e investimeve në ngritjen e një rrjeti laboratorësh të certifikuar të kontrollit të produkteve, etj. Gjithashtu, Gjipali i jep rëndësi konsensusit politik, i cili ndikon në rritjen e besueshmërisë së Bashkimit Europian ndaj Shqipërisë dhe në zbatimin me sukses të reformave të ndërmarra.
Në përfundim, Gjipali shprehet se për momentin, nuk ekziston rreziku i ngadalësimit të negociatave me shtetet kandidate nga vetë BE-ja, duke argumentuar se është kjo e fundit që falë mesazheve pozitive dhe inkurajuese po shtyn përpara këtë proces për Shqipërinë dhe Malin e Zi. Më tej, Gjipali shtoi se në administratën publike shqiptare mungojnë kapacitetet teknike të nevojshme për mbylljen e të gjithë grupkapitujve në kohën e duhur. Gjithashtu, Gjipali theksoi konfidencialitetin apo mungesën e transparencës nga ana e qeverisë shqiptare lidhur me pozicionin negociues për secilin grupkapitull, praktikë e cila nuk është ndjekur nga vendet e tjera kandidate.



