RTSH – Integrimi në BE, Deliu: Nëse çalojmë në kapitujt 23-24, pezullohet procesi i negociatave, 24 prill 2025
Në një intervistë për RTSH, Nirvana Deliu, Eksperte pranë Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA), u shpreh se forumi i mbajtur më 22 prill 2025, u organizua në kuadër të projektit, mbështetur nga Bashkimi Europian nëpërmjet fondeve IPA, që EMA po zbaton me fokus te çështjet themelore, në veçanti 5 kapitujt e parë që Shqipëria tashmë i ka hapur negociatat. Në këtë projekt, saktësisht në komponentin e katërt të tij mbi ndërgjegjësimin e aktorëve joshtetërorë, kryesisht OSHC-ve, për përfshirën e tyre në proceset e qeverisjes së mirë dhe përfitimet e reformave kryesore të udhëhequra nga BE-ja, është parashikuar organizimi i disa forumeve me qëllim diskutimin e temave të rëndësishme në lidhje me realizimin e legjislacionit, të reformave, politikave. Qëllimi i forumit të fundit, përveç të tjerash, ishte edhe bashkimi i ekspertëve, të cilët janë autorë të artikujve të publikuar në dy revistat online që EMA ka krijuar, saktësisht EuroSpeak dhe Revista Juridike Shqiptare, të cilat krijojnë hapësira për të kontribuar me artikuj të ndryshëm me fokus çështjet e BE-së dhe procesit të integrimit europian, dhe në fund ato shpërblehen në mënyrë monetare.
Artikujt e trajtuar në këtë forum, të lidhur me Kapitullin 23 dhe 24 të acquis së BE, përfshijnë një gamë të gjerë tematikash me rëndësi sociale, juridike dhe ekonomike, duke reflektuar çështje aktuale që prekin drejtpërdrejt qytetarët shqiptarë. Një ndër temat ishte e drejta e të miturve në sistemin penal, ku theksohet nevoja për rehabilitim dhe integrim në shoqëri dhe jo ndëshkim të rreptë. Gjithashtu, u trajtua çështja e ekstradimit dhe sfidat që paraqet ky proces, sidomos në rastet kur marrëveshjet mes shteteve nuk zbatohen, duke rrezikuar të drejtat e njeriut. Në aspektin ekonomik, u analizua rëndësia e përfshirjes së Shqipërisë dhe Malit të Zi në SEPA, duke theksuar përfitimet konkrete për qytetarët dhe bizneset përmes uljes së komisioneve bankare dhe thjeshtimit të transaksioneve ndërkombëtare. Ndërkohë, një tjetër temë shqetësuese ishte fenomeni i rrjedhjes së trurit, ku u trajtuan shkaqet kryesore të emigrimit të të rinjve, veçanërisht mungesa e kushteve të përshtatshme për një jetë dinjitoze në vend. Këto tema reflektojnë sfida reale që kërkojnë vëmendje institucionale dhe ndërgjegjësim shoqëror.
Këto dy kapituj, përkatësisht 23 dhe 24, i hapim të parët, por mbyllen të fundit gjatë negociatave, çka nënkupton peshën e këtyre kapitujve në ecurinë e procesit të negociatave. Deliu rikujtoi se ne mund të zbatojmë mjaft mirë gjithë kapituj e tjerë, por nëse nuk bëjmë progres në këto kapituj, mund të na pezullohet i gjithë procesi i negociatave.



