Scan TV – Gjipali: Përfitimi i Shqipërisë nga marrëveshja për emigrantët, 23 shkurt 2024
Gledis Gjipali, Ekspert i Integrimit, u ftua në Scan TV për të dhënë analizën e tij mbi marrëveshjen e lidhur mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët ku shpjegoi përmbajtjen e rregullimeve mbi trajtimin dhe përkujdesjen e tyre, si dhe detajet mbi kohëzgjatjen e kësaj marrëveshjeje dhe mënyrën sesi do të vendoset në zbatim. Ai u shpreh se Shqipëria ka më shumë përfitim politik, pasi në këtë mënyrë i afrohet më shumë Italisë duke përforcuar marrëdhëniet e tyre diplomatike, e po ashtu duke e kthyer Shqipërinë në një faktor të rëndësishëm në lidhje me kontrollin e refugjatëve, të cilët tentojnë të hyjnë në territorin europian. Ndërsa në aspektin ekonomik ai mendon se nuk ka ndonjë përfitim dhe aq frytdhënës, përveç infrastrukturës, e cila do të investohet nga shteti italian dhe vende pune shërbimi mbështetëse që mund të kërkohen në vazhdimësi. E për sa i përket kundërshtimit në rritje që ka pasur kjo marrëdhenie kontraktore, Gjipali u shpreh se këto të fundit më së shumti kanë pasur të bëjnë me pretendimet nëse është shkelur apo jo legjislacioni shqiptar dhe ai i Bashkimit Europian, gjë e cila është mohuar dhe hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë dhe Komisioni Europian. Gjipali gjithashtu foli dhe për ngjashmëritë dhe dallimet e kësaj kontrate me atë të lidhur midis dy palëve, Britanisë së Madhe dhe Ruandës. Ai u shpreh në mbyllje se parimisht një marrëveshje e tillë është një lëvizje strategjike mjaft e mirë në aspektin politik, por gjithashtu duhet mbajtur parasysh që në krahun tjetër nuk kemi ndonjë avantazh numerik. Thënë kjo ai përmendi faktin që një lëvizje e tillë do të jepte impakte të mira për vendin tonë që synon anëtarësimin, në aspektin e parimit të solidaritetit.
Scan TV – Gjipali: Përfitimi i Shqipërisë nga marrëveshja për emigrantët, 23 shkurt 2024



