SCAN TV: Mbërrijnë 16 emigrantët e parë – Gjipali: Synon demotivimin e flukseve drejt Italisë, 16 tetor 2024

I ftuar në SCAN TV për të folur mbi mbërritjen e anijes së parë me 16 emigrantë nga Italia në Shqipëri, Gledis Gjipali, Drejtori Ekzekutiv i EMA-s, u shpreh se kjo lëvizje, që në vetvete i demotivon emigrantët që synojnë Italinë, është një politikë e brendshme si mënyrë për t’i dhënë zgjidhje çështjes së flukseve të mëdha migratore dhe atyre azilkërkuese, duke i trajtuar jashtë Italisë. Mbetet për t’u parë nëse edhe shtetet e tjera do të aplikojnë ose jo një skemë të ngjashme.
Në lidhje me cilat shtete mund të zbatohet e njëjta marrëveshje me vendet e Ballkanit, Gjipali theksoi se vendi që do të mirëpresi emigrantët  duhet të jetë i përshtatshëm për trajtimin e tyre, pasi duhet të jetë një vend i sigurt, siç është Shqipëria, por edhe të bëhet e mundur nga ana logjistike. Por, sidoqoftë, varet nga marrëveshja që do të arrihet mes tyre. Një tjetër aspekt i rëndësishëm janë edhe të drejtat e emigrantëve, ku, duke qenë se po implementohet një skemë e re, monitorimi do të jetë edhe më i rreptë për faktin se si do të funksionojë e gjitha. Procesimi i tyre bëhet nga Italia, e cila plotëson të gjitha kushtet dhe ka të gjitha garancitë për respektimin e të drejtave të tyre, sidomos kur bëhet fjalë për procese të mirëstrukturuara. Përfitimet e shtetit shqiptar nga i gjithë ky proces kryesisht janë politike, pasi Italia është një nga partnerët më të ngushtë dhe mbështetja që Italia i jep Shqipërisë në rrafshin europian në procesin e anëtarësimit në BE është e rëndësishme. Lidhur me rreziqet që mbart, Gjipali shprehet se, duke qenë se ekzistojnë të gjitha garancitë e mundshme për kontrollin dhe sigurinë e tyre, jemi para dy skenarëve të mundshëm: shmangia e këtyre incidenteve ose minimizimi në rast se ndodhin.

SCAN TV: Mbërrijnë 16 emigrantët e parë – Gjipali: Synon demotivimin e flukseve drejt Italisë, 16 tetor 2024