Sesion Informimi mbi Udhëzuesin për Funksionimin e Institucioneve Demokratike, 23 dhjetor 2025
Sesioni i informimit i organizuar me me qëllim promovimin e Udhëzuesit për Funksionimin e Institucioneve Demokratike, i përpiluar nga z. Florian Xhafa, në kuadër të projektit “Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC-ve për procesin e anëtarësimit në BE”, mblodhi së bashku përfaqësues të shoqërisë civile, medias, botës akademike, ekspertë dhe aktorë të tjerë të interesuar për procesin e integrimit europian dhe forcimin e demokracisë në vend.
Në fjalën hyrëse të sesionit, z. Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA), theksoi se hartimi i këtyre udhëzuesve, të parashikuar në kuadër të projektit, synon të mbështesë monitorimin sistematik të procesit dhe progresit të reformave gjatë negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Ai informoi se, krahas udhëzuesit për funksionimin e institucioneve demokratike, projekti parashikon edhe përgatitjen e katër udhëzuesve të tjerë për Kapitullin 23 (Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore), Kapitullin 24 (Drejtësia, Liria dhe Siguria), Administratën Publike dhe Kriterin Ekonomik. Këto udhëzues synojnë të ofrojnë orientime të qarta dhe praktike mbi mënyrën se si mund të analizohet në mënyrë të strukturuar dhe të detajuar gjendja aktuale e reformave në zhvillim, si dhe veprimet e ndërmarra në kuadër të negociatave për anëtarësim në BE. Në këtë kontekst, udhëzuesit shërbejnë si mjete pune për organizatat e shoqërisë civile, ekspertët, studiuesit dhe përfaqësuesit e medias, duke i ndihmuar ata të analizojnë në mënyrë të thelluar çështje që lidhen me miratimin dhe zbatimin e reformave thelbësore; progresin në përmbushjen e prioriteteve të përcaktuara nga institucionet kombëtare dhe ato të BE-së; identifikimin e boshllëqeve dhe sfidave kryesore në kuadrin legjislativ dhe institucional; si dhe monitorimin e përfshirjes së OShC-ve dhe aktorëve të tjerë në procesin e anëtarësimit dhe funksionimin e strukturave negociuese.
Më tej, z. Florian Xhafa, Drejtor Ekzekutiv i Institutit për Politikë dhe Ligj (IPL), prezantoi udhëzuesin e hartuar prej tij, i cili analizon dhe ofron një qasje të strukturuar për monitorimin nga shoqëria civile të fushave që lidhen drejtpërdrejt me efektivitetin e funksionimit të institucioneve demokratike. Ai theksoi se udhëzuesi nuk mbetet vetëm në nivel teorik, por ofron edhe shembuj praktikë konkretë, përfshirë raste të dokumenteve strategjike dhe praktika të tjera ilustruese, të cilat e bëjnë atë të përdorshëm dhe të aplikueshëm në praktikë. Rëndësia e këtij udhëzuesi qëndron veçanërisht në përdorimin e indikatorëve të matshëm dhe në aplikimin e një cikli të strukturuar monitorimi, i cili përfshin mbledhjen dhe analizën e të dhënave, dialogun institucional, si dhe ndjekjen e rekomandimeve konkrete që paraqiten në fund të dokumentit. Z. Xhafa shtoi se udhëzuesi ofron një kornizë të qartë për monitorimin e reformave në tre fusha kyçe dhe të matshme: procesin zgjedhor (përfshirë zbatimin e rekomandimeve të ODIHR-it mbi financimin e fushatave, përdorimin e burimeve shtetërore dhe administrimin zgjedhor); funksionimin e Parlamentit (mbikëqyrjen parlamentare, zhvillimin e dëgjesave, mbikëqyrjen post-legjislative dhe transparencën e komisioneve parlamentare); si dhe rolin e shoqërisë civile dhe demokracinë pjesëmarrëse (konsultimet publike, funksionimin e Platformës së Partneritetit për Integrimin Europian – PPEI, aksesin në informacion dhe rolin e mediave të lira). Në përfundim, u theksua se ky udhëzues e lidh drejtpërdrejt analizën e tij me standardet e Bashkimit Europian, raportet e Komisionit Europian dhe Udhërrëfyesin Kombëtar për Funksionimin e Institucioneve Demokratike, i cili shërben si pikënisje për hapjen e negociatave, duke e bërë atë një instrument të rëndësishëm për rritjen e rolit monitorues dhe advokues të shoqërisë civile në procesin e integrimit europian.
*Ky sesion informimi u zhvillua në kuadër të projektit “Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC-ve për procesin e anëtarësimit në BE”, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian – IPA Civil Society Facility 2021, i cili zbatohet nga Lëvizja Europiane në Shqipëri dhe në bashkëpunim me Akademinë e Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), Slovak Foreign Policy Association (SFPA) dhe Qendrën për Transparencë dhe Informim të Lirë (CTFI).



