Syri TV “KAFE SHQETO” – Gjipali: Të gjithë synojmë antarësimin në BE, por si fillim duhet të zbatojmë kushtet e BE-së, 25 shtator 2024
Gledis Gjipali, Drejtori Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, i ftuar në emisionin e mëngjesit “KAFE SHQETO” nën moderimin e gazetarit Flavio Qarri në Syri TV, u shpreh se ka një situatë të dukshme si pezull në procesin e integrimit europian. Ai paraqiti perspektivën e tij, duke theksuar se nga të dyja anët ka pikëpyetje, pasi reformat nuk kanë avancuar siç duhet në momentet kur kishim mbështetje, apo e thënë ndryshe, të merrnim dritën jeshile nga BE. Aktualisht, pengesat vijnë nga BE-ja dhe kryesisht nga vetoja greke, dhe kjo është e qartë në këtë fazë të procesit, pasi ky i fundit duhet analizuar nëpërmjet fazave të tij. Në këtë moment, të gjithë synojmë anëtarësimin, por ka hapa të rëndësishëm që duhet të përmbushen, si zbatimi i reformave dhe rritja e standardeve, para se të arrihet anëtarësimi. Në përfundim, ai përmendi se tani ndodhemi në fazën e hapjes praktike të negociatave; ndonëse vendimi politik është marrë nga BE-ja, bisedimet nuk kanë filluar ende pas dy vitesh.



