Takime Avokuese në Bruksel për Shoqërinë Civile, 5 – 6 shkurt 2025
Gjatë një vizite dy-ditore në Bruksel (5-6 shkurt 2025), EMA, së bashku me kolegë dhe partnerë nga shoqëria civile, zhvilloi një sërë takimesh me institucione dhe bashkëpunëtorë me interes në kuadër të procesit të integrimit europian të Shqipërisë, si me: Misionin e Përhershëm të Shqipërisënë BE, me përfaqësues të institucioneve kryesore të Bashkimit Europian dhe organizata partnere të shoqërisë civile të angazhuara në procesin e integrimit europian. Diskutimet u përqendruan në procesin e negociatave të Shqipërisë, rolin e shoqërisë civile në reformat demokratike dhe axhendën më të gjerë të zgjerimit të BE-së.
Një nga takimet kryesore u zhvillua me Ambasadorin e Shqipërisë në BE, SH.T.Z. Ferit Hoxha, ku diskutimet u fokusuan te hapat e ardhshëm të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Vëmendje e veçantë iu kushtua hapjes së Grupkapitujve të mbetur dhe përmbushjes së piketave të ndërmjetme në Grupkapitullin 1 (Themeloret), i cili mbulon fusha kyçe si reforma në drejtësi, të drejtat themelore dhe institucionet demokratike. Ambasadori Hoxha theksoi se procesi i integrimit të Shqipërisë është një përpjekje e përbashkët që shkon përtej qeverisë, duke nënvizuar se shoqëria civile duhet të vazhdojë të luajë një rol aktiv si monitoruese e procesit dhe si një urë lidhëse komunikimi dhe transparence mes institucioneve publike dhe qytetarëve. Ai gjithashtu ripohoi angazhimin e Shqipërisë për të avancuar negociatat me BE-në, duke parashikuar që brenda këtij viti Shqipëria të hapë të gjithë Grupkapitujt e mbetur dhe të mbyllë të paktën një kapitull të acquis së BE-së. Ambasado ri theksoi nevojën për një angazhim të vazhdueshëm nga të gjithë aktorët dhe inkurajoi Shqipërinë të shfrytëzojë maksimalisht momentin pozitiv të procesit të anëtarësimit në BE.
Një tjetër takim i rëndësishëm u zhvillua me përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme për Zgjerimin dhe Europën Lindore (DG ENEST) të Komisionit Europian. Diskutimet u përqendruan në progresin e Shqipërisë në zbatimin e reformave të përfshira në Grupkapitullin 1 dhe në Axhendën
më të gjerë të Reformave në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Përfaqësuesit e Komisionit Europian vlerësuan arritjet e Shqipërisë në fusha kyçe, por gjithashtu theksuan sfidat që mbeten për të arritur reforma të qëndrueshme dhe efektive. Një pikë kyçe e diskutimit ishte roli i organizatave të shoqërisë civile (OSHC) në monitorimin e reformave, kontributin e tyre në hartimin e politikave dhe përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje. Znj. Sigrid Brettel, Drejtore për Ballkanin Perëndimor në DG ENEST, vlerësoi ndikimin pozitiv të shoqërisë civile në Shqipëri, veçanërisht në monitorimin e politikave, avokimin dhe ndërgjegjësimin publik. Ajo theksoi se ndërsa përfundimi i negociatave deri në vitin 2028 mbetet një objektiv shumë ambicioz, Shqipëria është në rrugën e duhur, me kusht që të gjithë aktorët, përfshirë shoqërinë civile, të angazhohen aktivisht në zbatimin e reformave dhe forcimin e institucioneve demokratike.
Vizita gjithashtu përfshiu një diskutim të rëndësishëm në Komitetin Ekonomik dhe Social Europian (KESE) me David Hoic, Oficer i Politikave për Ballkanin Perëndimor. Ky takim ofroi një mundësi për të eksploruar mënyrat se si organizatat e shoqërisë civile në Shqipëri mund të angazhohen në mënyrë aktive në proceset konsultative të nivelit europian. Një fokus i veçantë u vu te krijimi i Këshillit të Përbashkët Konsultativ (JCC) midis KESE dhe Shqipërisë, një platformë e re që synon të forcojë dialogun mes aktorëve të shoqërisë civile, shoqatave të punëdhënësv
e, sindikatave dhe institucioneve shtetërore. JCC do të shërbejë si një mekanizëm i strukturuar për të adresuar çështje kyçe që lidhen me politikat sociale, zhvillimin ekonomik, punësimin, përfshirjen e të rinjve dhe shtetin e së drejtës. Përmes kësaj platforme, shoqëria civile shqiptare do të ketë një kanal të drejtpërdrejtë për të kontribuar në hartimin e politikave në nivel europian, duke siguruar që zëri i aktorëve kyçë të dëgjohet në procesin e integrimit.
Një takim shumë i vlefshëm u zhvillua gjithashtu në IDEA International, një organizatë e përkushtuar ndaj zhvillimit demokratik në mbarë botën, me një fokus të veçantë në Ballkanin Perëndimor. Diskutimi me Blerta Hoxhën, Menaxhere Programi për Ballkanin Perëndimor në IDEA, shërbeu si një mundësi e rëndësishme për të shkëmbyer eksperienca dhe për të eksploruar sinergji në fusha që lidhen me demokracinë, proceset zgjedhore dhe reformat në qeverisje. Biseda preku tema kyçe si forcimi i institucioneve demokratike, ndikimi i dixhitalizimit në pjesëmarrjen demokratike dhe progresi i Shqipërisë në negociatat për anëtarësim në BE. Të dyja palët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit mes organizatave të shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë për të promovuar qeverisje transparente, zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe institucione të përgjegjshme.
Këto takime në Bruksel rikonfirmuan rolin thelbësor të shoqërisë civile në procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Ato shërbyen si një platformë për shkëmbimin e ideve, forcimin e bashkëpunimit me institucionet e BE-së dhe identifikimin e mundësive të reja për angazhim. Vizita nënvizoi rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm, avokimit për politika të mira dhe ndërtimit të partneriteteve strategjike për të siguruar që Shqipëria të ecë përpara drejt anëtarësimit të plotë në BE, duke ruajtur integritetin demokratik dhe përfshirjen e qytetarëve gjatë gjithë procesit.