Top Channel – Liderët e Europës në Tiranë! Blindohet kryeqyteti! Gjipali: Do diskutojnë për Rusinë! 15 maj 2025
I ftuar në Top News, Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA), komentoi mbi samitin e Komunitetit Politik Europian në Tiranë, i cili u mbajt për herë të parë në një vend të Ballkanit Perëndimor. Ai e vlerësoi këtë zhvillim si një sinjal pozitiv, duke theksuar se fakti që Shqipëria është kthyer në një qendër rajonale për aktivitete të nivelit të lartë, me pjesëmarrjen e liderëve europianë, e diferencon vendin në kontekstin rajonal dhe mund të hapë rrugën për përparim drejt anëtarësimit në BE.
Gjipali theksoi se anëtarësimi nuk varet vetëm nga përmbushja e reformave, por edhe nga dakordësia e shteteve anëtare, ndërsa organizimi dhe pritja dinjitoze e këtyre samiteve kontribuon në ndërtimin e një imazhi pozitiv për Shqipërinë.
Sa i përket mundësisë për anëtarësim deri në vitin 2027, Gjipali e cilësoi si një objektiv ambicioz, që kërkon përkushtim serioz nga klasa politike. Sipas tij, nuk mjafton vetëm mbyllja me shpejtësi e kapitujve të negociatave, por është jetike edhe cilësia e përmbushjes së standardeve të kërkuara.



