Tryeza për Kapitullin 24 – Informimi dhe Ndërgjegjësimi mbi Fintech: Risitë dhe Rreziqet në kuadër të Luftës Kundër Pastrimit të Parave, 30 tetor 2025
Më datë 30 tetor 2025, pranë mjediseve të Xheko Imperial Hotel, u zhvillua një tryezë diskutimi e organizuar nga Agjencia e Inteligjencës Financiare (AIF) dhe Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) mbi Kapitullin 24 në kuadër të Konventës Kombëtare për Integrimin Europian (NCEI) me fokus informimin dhe ndëgjegjësimin mbi Fintech, risitë dhe rreziqet që sjell në kontekstin kundër pastrimit të parave, financimin e terrorizmit dhe financimin e armëve të shkatërrimit në masë. Gjatë tryezës morën pjesë aktivisht përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, sektorit privat, profesionistë ligjorë dhe nga institucionet publike.
Z.Ervin Koçi, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës Financiare (AIF), gjatë fjalës së tij hapëse nënvizoi rolin kyç të AIF-së në përshtatjen ndaj kërcënimeve të nxitura nga Fintech. Ai u shpreh se shërbimet e fundit të teknologjisë financiare kanë sjellë revolucion në mënyrën se si qarkullojnë dhe menaxhohen të ardhurat ku FinTech na ofron sukses dhe lehtësi, por na sjell dhe sfida siç është pastrimi i parave. Si kundërpërgjigje dhe përgatitje për të përballuar këto sfida, Koçi theksoi faktin që Agjencia e Inteligjencës Financiare ka krijuar tanimë sektorin FinTech ku përfaqësues të institucionit me ekspertizën e tyre analizojnë dhe monitorojnë rreziqet që mund të sjellë FinTech, duke pasur në vëmendje zhvillimet e shpejta teknologjike dhe rastet në vendet europiane e më gjerë. Koçi përfundoi se ky është një hap konkret që tregon vizionin e Agjencisë së Inteligjencës Financiare për të zbatuar sa më mire standartet ndërkombëtare dhe europiane të sigurisë financiare në kuadër të procesit të integrimit europian.
Z. Gledis Gjipali, Drejtori Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA), u shpreh se dixhitalizimi ka pasur një zhvillim të shpejtë kohëve të fundit lidhur me financën, prandaj është e nevojshme të bashkëndajmë informacione, modele dhe eksperienca të ndryshme, pasi është një fushë gjithnjë e në zhvillim, e cila është paraqitur qartazi edhe gjatë tryezës së kalaur të zhvilluar në bashkëpunim me Agjencinë për Inteligjencën Financiare në kuadër të negociatave për Kapitullin 24 – Drejtësia, Liria, Siguria sa i përket kritereve dhe standardeve për luftën kundër pastrimit të parave. Ai vuri theksin te nevoja për informim, ndërgjegjësim dhe bashkërendim të pervojës dhe masave konkrete që duhet të merren në këtë drejtim.
Znj. Valentina Semi, Zv. Drejtore e Departamentit të Sistemeve të Pagesave, të Kontabilitetit dhe të Financës, Banka e Shqipërisë, trajtoi dinamikën e tregjeve në zhvillim. Ajo detajoi se si, që nga viti 2011, janë krijuar institucione të reja për të trajtuar inovacione të tilla si llogaritë online, sistemi ipagesave të menjëhershme dhe analizat e sistemit të menaxhimit të likuiditetit (LMS), të cilat mundësojnë monitorimin e transaksioneve në kohë reale dhe vlerësimin e rreziku duke i vënë një theks të veçantë rolit të institucioneve bankare dhe atyre financiare. Semi u përqendrua dhe në zhvillimin e kohëve të fundit siç është futja në SEPA për Shqipërinë dhe institucionet bankare, duke theksuar që ky është një zhvillim pozitiv por që sjell edhe sfida të cilat duhet të adresohen, duke sugjeruar dhe bashkëpunimin jo vetëm ndërmjet institucioneve kombëtare por edhe realizimin e projekteve të përbashkëta në nivel ndërkufitar me vendet e rajonit dhe ato të BE-së. Ajo u shpreh që analiza e legjislacionit dhe standardet që kërkohen shpeshherë janë sfiduese për sektorin bankar, dhe kërkoi më shumë hapësirë dhe përfshirje të këtij sektori dhe në proceset politikëbërëse dhe aktivitetet konsultuese siç është dhe kjo tryezë.
Znj. Ada Qazolli, Kryetare e Komitetit të Përputhshmërisë, Shoqata Shqiptare e Bankave, argumentoi se “inovacioni nuk është në konflikt; ai duhet të jetë pajtueshmëri”, duke e pozicionuar fintech-in si një mundësues të proceseve më të shpejta. Qazolli theksoi që fokusi kryesor duhet të jetë te përputhshmëria me standardet ndërkombëtare dhe arritja e integritetit për institucionet e përfshira, duke nënvizuar nevojën për bashkëpunim dhe koordinim mes këtyre institucioneve, pasi sipas saj këto standarde nuk mund të arrihen vetëm.
Znj. Irida Goxharaj, Menaxhere e Zyrës Ekzekutive, Shoqata Shqiptare e Këmbimit Valutor, përforcoi rolin kritik të zyrave të këmbimit valutor, të cilat operojnë drejtpërdrejt me flukset e parasë dhe duhet t’i japin përparësi dixhitalizimit. Ajo mbështeti përparimin e vazhdueshëm në këtë fushë, në përputhje me Axhendën Dixhitale të Shqipërisë 2022–2026, e cila mandaton integrimin e plotë të qeverisjes dixhitale deri në vitin 2026, duke përfshirë pajtueshmërinë e faturimit elektronik të zbatuar që nga janari 2023 për institucionet financiare dhe një shpërndarje graduale për të gjithë taksapaguesit deri në mesin e vitit 2025. Kjo përfshin platforma ndërveprimi si e-Albania, e cila tani ofron mbi 1 200 shërbime dixhitale, për të zvogëluar dokumentacionin dhe për të rritur transparencën në operacionet e këmbimit valutor.
Znj. Redina Nasi, Përgjegjëse e Sektorit FinTech, Drejtoria e Analizës Financiare, Agjencia e Inteligjencës Financiare, prezantoi përdorimin e mjeteve FinTech në analizën e transaksioneve për të parandaluar pastrimin e parave, financimin e terrorizmit dhe financimin e përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë. Nasi diskutoi zhvillimin e FinTech dhe implikimet e tij ligjore, duke iu referuar Ligjit Nr. 66/2020 “Për Tregjet Financiare bazuar në Teknologjinë e Regjistrit të Shpërndarë”, i cili përcakton një kornizë për rregullimin e tregjeve dixhitale, duke përfshirë licencimin, monitorimin dhe mbikëqyrjen nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF). Objekti i këtij ligji është rregullimi i emetimit të tokenëve dixhitalë ose i monedhave virtuale, i licencimit, monitorimit dhe mbikëqyrjes së subjekteve që ushtrojnë aktivitetin e shpërndarjes, tregtimit e ruajtjes së tyre dhe vendos një kuadër rregullator për tregjet dixhitale dhe përcakton masat strikte (Kundër pastrimit të parave dhe Kundër Financimit të Terrorizmit). Këto masa përfshijnë detyrimet për kujdesin e duhur ndaj klientit dhe raportimin e transaksioneve të dyshimta, veçanërisht për shkëmbimet e kriptovalutave pa licencë. Duke u mbështetur në terminologjinë e Autoritetit Bankar Europian, Shqipëria i ka adoptuar kriptovalutat si përfaqësime dixhitale të vlerës që mund të transferohen dhe tregtohen elektronikisht. Shembujt e zakonshëm janë Bitcoin (BTC), Ethereum (ETH), të siguruara nga teknologjia blockchain. Nasi bëri dallimin ndërmjet financës tradicionale të centralizuar (si Banka e Shqipërisë) dhe platformave si Binance, një shkëmbim kriptovalutash i decentralizuar, duke theksuar se këto të fundit operojnë me më pak mbikëqyrje, paqëndrueshmëri më të lartë dhe pseudonimitet, duke i bërë më të prirura ndaj flukseve të paligjshme. Ajo gjithashtu evidentoi rrezikun kryesor si përdorimi i kriptovalutave për pastrim parash, përfshirë transaksionet që anashkalojnë ndërmjetësit bankarë dhe mundësojnë transferta anonime. Për të adresuar këto rreziqe, u theksua se në vitin 2024 është themeluar një sektor i dedikuar i Agjencisë së Inteligjencës Financiare për analizën e rasteve të dyshimta të pastrimit të parave, duke forcuar bashkëpunimin me policinë dhe partnerët ndërkombëtarë. Ndër të tjera, ajo renditi taktika të ndryshme mashtrimi: Phishing (një lloj sulmi kibernetik ku sulmuesit imitojnë burime të ligjshme për të mashtruar njerëzit që të japin informacione të ndjeshme, të tilla si fjalëkalime, numra kartash krediti ose detaje të llogarisë bankare.); Hacking i platformave (thyerje të shkëmbimeve për akses të paautorizuar në kuleta); Komunikimet në rrjetet sociale (miratime false që nxisin për investime). Skemat “pump and dump” po ashtu janë një formë mashtrimi me letrat me vlerë që përfshin fryrjen artificiale të çmimit të një aksioni ose aktivi tjetër përmes deklaratave të rreme, mashtruese ose të ekzagjeruara. Duke përmendur punën e AIF, Nasi tregoi që Agjencia e Inteligjencës Financiare ka të dhëna që konfirmojnë rreziqet e larta, me autoritetet shqiptare që kanë dokumentuar të paktën tre sekuestrime të mëdha lidhur me krimin me kripto në vitin 2024, duke përfshirë operacione kundër rrjeteve të trafikut të drogës. Të dhënat e periudhës 2019-2024 tregojnë një rritje me 62% të rasteve të mashtrimeve kompjuterike në Shqipëri. Nga 55 procedime të regjistruara në vitin 2019, Nasi deklaroi se ky numër është rritur në 89 në vitin 2023, duke reflektuar tendencat në rritje të këtij fenomeni. Po ashtu të dhënat rajonale për Ballkanin Perëndimor, me rreth 240 000 përdorues të kriptos, ndërlidhen me aktivitetet e rritura të paligjshme. Nasi përfundoi duke nënvizuar që ka rëndësi zbatimi i masave parandaluese për shkëmbimet e aseteve virtuale në Shqipëri.
Z. Andrej Leontiev, Avokat dhe ekspert për çështjet e pastrimit të parave, njëkohësisht bashkëthemelues i zyrës së avokatisë TaylorWessing në Bratislavë, theksoi se si inteligjenca artificiale (IA) po i fuqizon mashtrimet financiare. Ai bëri thirrje për masa rregullatore të forta dhe rritje të ndërgjegjësimit (veçanërisht për të moshuarit dhe në sektorin e startup-eve), duke këshilluar që në rast urgjence të aplikohet rregulli “STOP”. Inovacionet FinTech rrisin shpejtësinë dhe aksesueshmërinë, por thellojnë rreziqet e mashtrimit. Leontiev, komentoi se rregullatorët përballen me vonesën rregullatore në kripto-asete dhe financa ndërkufitare dhe mbështetja te API-të dhe sistemet modulare rrit sipërfaqen e sulmeve dhe kompleksitetin. Modelet e vjetra rregullatore luftojnë të përshtaten me neobankat dhe protokollet DeFi. Një sfidë kyçe në luftën kundër pastrimit të parave është verifikimi i fragmentuar i identitetit dixhital. Kriminelët përdorin identitetet sintetike dhe deepfake-t për të anashkaluar sistemet KYC. Mashtrimet e zakonshme përfshijnë mashtrimin sintetik të identitetit dhe marrjen e llogarisë. Pagesat në kohë reale pengojnë zbulimin, pasi paratë lëvizin shpejt. Zbutja e riskut kërkon sisteme zbulimi mashtrimesh në kohë reale me Inteligjencë Artificiale.
Sesioni përfundoi me një diskutim interaktiv, ku pjesëmarrësit diskutuan strategjitë e mbrojtjes dhe ndanë përvoja mbi ndërgjegjësimin publik sa i përket rreziqeve që vijnë nga krimi financiar kibernetik dhe si lidhet ai si pastrim parash. Fjalët përmbyllëse theksuan bashkëpunimin e vazhdueshëm midis autoriteteve përgjegjëse, por edhe marrjen e praktikave më të mira nga vendet e tjera të rajonit apo dhe ato europiane.
*Kjo tryezë zhvillohet në kuadër të projektit Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC ve për procesin e anëtarësimit në BE , me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian IPA Civil Society Facility 2021, i cili zbatohet nga Lëvizja Europiane në Shqipëri dhe në bashkëpunim me Akademinë e Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), Slovak Foreign Policy Association (SFPA) dhe Qendrën për Transparencë dhe Informim të Lirë (CTFI).



