Rinia dhe Bashkëpunimi Rajonal

Duke e konsideruar integrimin në BE si perspektiva më mirë e zhvillimit dhe si një sfidë të përbashkët të vendeve të Ballkanit Perëndimor, EMA punon në partneritet me aktorë të ndryshëm në rajon për të qene pjesë e një udhëtimi të përshpejtuar drejt përmbushjes së standardeve të BE. Ne jemi të angazhuar në mënyrë aktive në nxitjen e dialogun dhe bashkëpunimin në nivel rajonal si dhe në zhvillimin e sipërmarrjeve të përbashkëta për zhvillimin e analizave krahasuese dhe shkëmbimin e praktikave të mira. Projektet dhe aktivitetet e parashikuara për vitin 2011 përfshijnë çështjet e thithjes së trurit, dialogun midis Organizatave të Shoqërisë Civile dhe qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor, regjimin pa viza brenda këtij rajoni, shkëmbimin e të rinjve dhe bashkëpunimin, etj.

Projektet e ndërmarra në këtë fushë janë si më poshtë:

  • Konventa Rajonale për Integrimin Europian- Let Justice Rule the Region (2022- në vazhdim)  po zbatohet në kuadër të MATRA dhe ka si qëllim krijimin e një rrjeti rajonal të qëndrueshëm të OSHC-ve pro-europiane nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të fokusuar në përmirësimin e nivelit të demokratizimit përmes monitorimit aktiv të çështjeve që mbulohen nga Grupi i Kapitujve 1 (Themeloret) dhe ofrimit të rekomandimeve të besueshme dhe të bazuara në fakte. Bashkëpunimi rajonal i organizatave të shoqërisë civile mund të forcojë më tej rolin e tyre në procesin e integrimit evropian të rajonit, dhe shkëmbimi i përvojave është veçanërisht i dobishëm në fushat që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit sepse kërkojnë transformim afatgjatë të shoqërive.
  • Programi Erasmus+ i BE-së Jean Monnet- Qendra e Ekselencës “Europianizimi i Politikave Publike në Shqipëri (EPPAL)” (2022 – 2025) promovon sinergjitë ndërmjet departamenteve të universiteteve publike me përvojë dhe atyre pa përvojë në Studime Europiane, politikëbërës, OJQ-të përkatëse dhe shoqëri të tjera civile. Ai ka katër objektiva kryesore: 1) Të promovojë përsosmërinë në mësimdhënie në fushën e studimeve të Bashkimit Europian: module mësimore që trajtojnë ndikimin e integrimit në BE nga perspektiva multidisiplinare në dy fakultete që kanë një përvojë tashmë të provuar në programet Jean Monnet dhe fakultetet që janë përfshirë së fundi në lëndë të ndëlidhura me BE-në; 2) Kërkim i avancuar në fushën e drejtësisë, shkencave politike, ekonomisë dhe sociologjisë, për të vlerësuar progresin shqiptar me europianizimin e procedurave dhe proceseve formale dhe joformale; 3) Nxitja e dialogut ndërmjet botës akademike dhe shoqërisë: aktivitete trajnuese me juristë; forume diskutimi me politikëbërës, ekspertë dhe përfaqësues të shoqërisë civile; 4) Të rrisë ndërveprimin  me publikun e gjerë dhe të përhapi njohuritë për BE-në nëpërmjet eventeve informuese si forume akademike online me studiues kombëtarë dhe ndërkombëtarë dhe përfaqësues të BE-së, si dhe sesione debati për të trajnuar dhe angazhuar studentët e UT-së në diskutimin e strategjive dhe procedurat të procesit të integrimit. EMA është partneri i këtij projekti, përgjegjës për shpërndarjen dhe promovimin e eventeve.
  • Organizimi i aktiviteteve rinore me rastin e Ditës së Europës (2010–2024), mbështeturanga Komisioni Europian. Objektivi kryesor i kësaj nisme ndërkombëtare është promovimi i qytetarisë aktive europiane dhe dialogut ndërkulturor, përmes përfshirjes sociale dhe bashkëjetesës si vlera themelore të Bashkimit Europian dhe të perspektivës së tij të zgjerimit. Aktivitetet synojnë angazhimin e të rinjve duke rritur njohuritë dhe kuptimin e tyre kritik mbi Bashkimin Europian, institucionet e tij dhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Përmes forumeve të hapura që bashkojnë të rinjtë me politikëbërës nga Shqipëria, BE-ja dhe Shtetet Anëtare, konkurseve kreative mbi tema të lidhura me BE-në, si dhe zhvillimit të  Modelit Simulues të Institucioneve të BE-së me pjesëmarrës nga i gjithë vendi, projekti ndër vite ka promovuar qytetarinë aktive europiane, ka nxitur dialogun me vendimmarrësit, ka forcuar rrjetëzimin mes të rinjve të interesuar për BE-në në nivel kombëtar dhe ka përmirësuar të menduarit kritik, duke u mundësuar pjesëmarrësve të vlerësojnë BE-në dhe perspektivën europiane të Shqipërisë në mënyrë më të informuar, realiste dhe objektive.

  • Adresimi i parandalimit të kalimit kontrabandë të personave dhe mbrojtja e migrantëve (nëntor 2022 – maj 2023) zbatohet nga EMA në bashkëpunim me IRID (Maqedoni e Veriut) dhe me mbështetjen financiare të Grupa 484 dhe Bashkimit Europian. Objektivat kryesorë janë fuqizimi i bashkëpunimit nëpërmjet dialogut të aktorëve kryesorë si institucionet shtetërore, OSHC-të dhe profesionistë të ligjit të angazhuar në çështjet e lidhura me migracionin e parregullt, si dhe informimi dhe diskutimi mbi të drejtat e migrantëve dhe refugjatëve, menaxhimin dhe sigurinë e kufirit, në kuadër të procesit të negociatave për Kapitujt 23 dhe 24 për të dy vendet.  Dy komponentët përbërës të projektit janë: ngritja e kapaciteteve nëpërmjet tavolinave të diskutimit, fushatës informuese dhe realizimit të Moot Courts dhe hulumtimi dhe përgatitja e studimeve të politikave për çështjet kryesore në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut.
  • SMART ADRIA Blue Growth (nëntor 2020 – në vazhdim), projekt i financuar nga IPA CBC duke përfshirë partnerë nga Shqipëria, Italia dhe Mali i Zi, ku EMA është nënkontraktuar nga UCCIAL si partner i këtij projekti për ta mbështetur atë në udhëheqjen e zbatimit të suksesshëm dhe për të ofruar shërbimet për arritjen e këtyre objektivave: – të zhvillojë dhe menaxhojë një plan kohor të zbatimit të aktiviteteve dhe realizimit të produkteve; -të sigurojë realizimin e objektivave të projektit në një cilësi të lartë; – të mbështesë zhvillimin e programit të workshopit Blue Growth për 30 SME; – krijimi i një platforme në internet për Blue Growth; -të organizojë netë europiane të studiuesve dhe të mbështesë 20 SME-të për harmonizimin e standardeve të Blue Growth. Synimi kryesor i projektit është të forcojë bashkëpunimin ndërkufitar dhe konkurrencën e SME-ve në zonën Adriatiko-Joniane duke rritur mjedisin e biznesit për rritjen e tregjeve rajonale ndërkufitare për Blue Growth.
  • Erasmus+ KA 105 “Bëni hapin e parë” (tetor 2020 – maj 2022) zbatuar nga EuroTreviso, Itali si organizata udhëheqëse në bashkëpunim me EMA si partner nga Shqipëria, dhe organizata të tjera nga Hungaria, Greqia dhe Libani. Objektivi kryesor i projektit është të ndajë përmes metodës së edukimit joformal përvojat personale të 25 të rinjve nga vende dhe fe të ndryshme për një temë të përbashkët si pjesëmarrja e të rinjve në jetën demokratike – çfarë është demokracia për ta, dhe si kanë apo janë duke marrë pjesë në angazhime apo aktivitete në vendin e tyre në lidhje me të drejtat e njeriut, demokracinë ose mjedisin.
  • Erasmus KA3 – T.A.K.E Part (janar 2019- janar 2020), zbatuar nga Insitute for the Future (Itali)  dhe EMA (Shqipëri), synon organizimin e dy seminareve ndërkombëtare në qytetin e Napolit, ku do të marrin pjesë 50 pjesëmarrës (të moshës 18-30 vjeç) në secilën prej organizimeve, me qëllim përfshirjen në një dialog konstruktiv me politikbërës të rangut kombëtar dhe ndërkombëtar. Periudha e mobilitetit përfshin dy seminare ndërkombëtare, një në qershor 2019 dhe një në nëntor 2019. Projekti është finalizuar me një punim nga pjesëmarrësit i titulluar “Manual për aftësitë kyçe dixhitale që duhen për të arritur pjesëmarrjen dhe përfshirjen e të rinjve” që do të përfshijë  metodat e përdorura në procesin e vendimmarrjes nëpërmjet mjeteve dixhitale.
  • Krijimi i Sinergjisë në Ballkanin Perëndimor për forcimin e Arsimit, Kërkimit dhe Shkencës (2018 – 2019), një projekt i mbështetur nga Fondi i Ballkanit Perëndimor (WBF), i zbatuar nga EMA në partneritet me Grupin e Kërkimit të Politikave të Ballkanit (BPRG) dhe me Lëvizjen Europiane Novi Sad, Serbi, ka objektivin e përgjithshëm për të kuptuar dhe lehtësuar ndërtimin e një mjedisi më të përshtatshëm në kërkim, arsim dhe inovacion, me një fokus të veçantë në forcimin e kapaciteteve përthithëse të fondeve të BE-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
  • Programi Think and Link, mbështetur nga Fondi Europian për Ballkanin (EFB) kërkon të nxisë gjithëpërfshirjen dhe hartimin e politikave për Ballkanin Perëndimor duke iniciuar dhe mbështetur projekte individuale dhe bashkëpunuese kërkimore sipas tematikës të zgjedhur nga programi për çdo vit. Hulumtuesit e EMA kanë marrë pjesë në program katër herë ku kanë ralizuar punimet si: 1)  2) Zhvillimi Ekonomik përmes Konektivitetit 2017-2018, në bashkëpunim me Demokraci për Zhvillim (D4D)- Kosovë dhe TransConflict -Serbi;  3) Drejt Rritjes së Konkurrencës së Drejtë dhe Tregut Ekonomik Funksional në Shqipëri 2014 – 2015; 4) Vlerësimi i  Ndikimit Rregullator në Shqipëri 2010- 2011 ;
  • Konventa Rajonale për Integrimin Europian (2014-në vazhdim), e mbështetur nga Vishegrad +, është një platformë e përbashkët e organizatave joqeveritare nga Ballkani Perëndimor dhe Grupi i Vishegradit. Qëllimi i përgjithshëm i projektit është të kontribuojë në nxitjen e përafrimit me BE-në të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Theks i veçantë i është dhënë forcimit të kapaciteteve shtetërore dhe sektorit civil që kanë të bëjnë me procesin e integrimit europian dhe për të rritur nivelin e kapaciteteve absorbuese të IPA-s në Ballkanin Perëndimor.
  • Erasmus KA3 – Youth Committee for the Future (2018),është një projekt i zbatuar nga Insitute for the Future (Itali), në partneritet me Belgjikën, Shqipërinë, Lituaninë dhe Spanjën. EMA ishte organizata partnere që përfaqësonte Shqipërinë. Qëllimi i këtij projekti ishte simulimi i punës në komitetet e Parlamentit Europian, duke përdorur metoda të tilla si: vlerësimi i teknologjisë, ndërtimi i skenareve dhe praktikave largpamëse me qëllim përgatitjen e  të rinjve pjesëmarrës (për çdo shtet) në analizimin e temave të përzgjedhura, si dhe në propozimin e iniciativave që mund të implementohen  për të adresuar problematika në një periudhë afatgjatë. Gjatë simulimit, pjesëmarrësit patën mundësi për të diskutuar rreth ideve të tyre mbi politikat rinore dhe europiane me  politikbërës lokalë nga bashkia e Napolit, qeveria vendore ne Itali  si dhe Parlamenti Europian, përfshirë këtu dhe europarlamentarë.
  • Rritja e pjesëmarrjes së të rinjve në proceset zgjedhore (janar – shtator 2017 ). Qëllimi i kësaj nisme  financuar nga Programi i Ndihmës Direkte (DAP) nga Ambasada Australiane, është për të inkurajuar pjesëmarrjen e të rinjve në procesin e vendim-marrjes. Projekti do të kontribuojë në nxitjen e edukimit të tyre për rëndësinë e demokracisë pjesëmarrëse dhe sidomos atë të votuarit, duke kërkuar të rrisë njohuritë, të menduarit kritik dhe veprimin e të rinjve në institucionet lokale dhe proceset zgjedhore. Ai u zhvillua në 3 qytetet kryesore të Shqipërisë (Elbasan, Shkodër dhe Vlorë) përmes ligjëratave publike dhe aktiviteteve të trajnimit.
  • Zbërthimi i procesit të integrimit në BE (tetor 2016 – prill 2017). Qëllimi i kësaj iniciative të mbështetur nga Slovak Aid është informimi i më shumë se 25-30 të rinjve lidhur me dy tema të rëndësishme si: Mbrojtja e Konsumatorit dhe Çështjet Mjedisore. Veçoria e kësaj iniciative është se jo vetëm që të rinjtë kanë marrë informacione duke marrë pjesë në forume diskutimi ose nëpërmjet Broshurave Informative, por kanë marrë pjesë edhe në udhëtime studimore në vende të ndryshme: Durrës, Lushnje dhe Tiranë, duke evidentuar konkretisht problematikat në çështjet e mbrojtjes së konsumatorit dhe mjedisit.
  • Erasmus KA3 – ReFuGeeS (2016)- projekt i zbatuar nga Institute for Cultural Relations Policy, në Hungari si dhe 12 partnerë të tjerë, përfshirë këtu EMA si organizata partnere nga Shqipëria. Objektivi kryesor i  trajnimit ishte promovimi i respektimit të të drejtave të njeriut, lidhur kjo me problematikat e fesë dhe besimit, duke përdorur mjete edukimi formale dhe joformale për të krijuar një plan të mësuari ad hoc. Aktiviteti nxiti rolin aktiv të të rinjve dhe i prezantoi ata me qëndrime demokratike dhe pozitive.

  • Erasmus KA1  – NeCiWO (2016) –projekt i zbatuar nga organizata Life by Life në Itali, në partneritet me EMA dhe disa organizata të tjera partnere nga vende si Spanja, Franca, Kroacia etj. Objektivi kryesor ishte organizimi i një trajnimi socialo-edukues që do  t’u jepte mundësi të rinjve pjesëmarrës të zgjeronin njohuritë e tyre në fushën e qytetarisë dhe emigrimit, duke u fokusuar veçanërisht në njohjen e përkufizimeve të tilla si ‘klandestin’ apo ‘refugjat’. Metodat jo formale të të mësuarit  u përdorën për të eksploruar marrëdhëniet që ekzistojnë mes të huajve dhe qytetarëve europianë, për të treguar diferencat mes ligjeve të ndryshme kombëtare në termat për mbrojtjen dhe integrimin e të huajve. Rezultatet përfundimtare ishin informimi i pjesëmarrësve mbi konceptet ligjore si dhe rritja e ndërgjegjësimit mbi problemet e emigrimit në zonën e Mesdheut.

  • Programi TRAIN, i financuar nga Zyra e Jashtme Federale e Gjermanisë (Pakti i Stabilitetit për Europën Juglindore) dhe e drejtuar nga Këshilli Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë (DGAP) i ofron mundësi trajnimi organizatave të ndyshme nga Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova , Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia. Në një seri organizimesh, hulumtuesit pjesëmarrës punojnë në hartimin e dokumentave të politikave dhe strategjive advokuese në kuadër të procesit të integrimit në BE dhe gjithashtu kanë mundësinë për të diskutuar projektet e tyre përkatëse. Hulumtuesit e politikave të EMA-s kanë marrë pjesë në programin TRAIN në vitin 2011, 2014 dhe 2015 duke prezantuar punimet e mëposhtme: 1) Cili është roli i parlamentit shqiptar në procesin e integrimit në BE? Vlerësimi i rolit mbikëqyrës dhe kapacitetet administrative;  2) E-Prokurimi publik në nivel lokal në Shqipëri – Sfidat në Luftën kundër Korrupsionit 3) Kushtëzimi i BE-së, si një fuqi transformuese në rastin e Administratës Publike Shqiptare.
  • Të menduarit për qeverisje (2013-2014) një projekt i mbështetur nga fondi i Vishegradit +, mblodhi OJQ-të nga 10 shtete të ndryshme të Ballkanit Perëndimor. Dy tryeza të rrumbullakëta në Varshavë dhe Bratislavë i dhanë mundësinë gjithë pjesëmarrësve të ndanin eksperiencat e tyre dhe të binin dakord mbi një raport të përbashkët studimor të kontributeve të OJQ-të, i cili do të publikohej në gusht. Ekspertët e pranishëm të EMA-s ishin të angazhuar për të dhënë kontributin shqiptar në raportin që u publikua. Publikimi “Shoqëria Civile në Integrimin e BE të Ballkanit Perëndimor”, fokusohet në sfidat e bashkëpunimit mes qeverive dhe shoqërive civile në vendet e Ballkanit Perëndimor në gjashtë zona të përzgjedhura të mbuluara nga kapitujt 23 dhe 24 të negociatave të pranimit në Bashkimin Europian: monitorim efektiv të zbatimit të planeve të veprimit dhe strategjive; Çështjet e të drejtave të njeriut;politikat e migrimit dhe azilit ; gjyqësorit dhe sistemit të drejtësisë; politikat anti-korrupsion; dhe edukimi qytetar.
  • Rinia si agjent i forcimit të demokracisë pjesëmarrëse dhe llogaridhënies institucionale në Bashkinë e Shkodrës (janar 2012 – dhjetor 2014) mbështetur nga Olof Palme International Center. Qëllimi i këtij projekti është rritja e kërkesës për përgjegjshmëri institucionale nga ana e institucioneve të pushtetit vendor, sidomos nga Bashkia e Shkodrës duke stimuluar pjesëmarrjen e të rinjve dhe ushtrimin e presionit mbi bashkinë me qëllim përmirësimin e transparencës mbi veprimtarinë e saj dhe komunikimin me publikun.
  • Advokim mbi politikat e thithjes së trurit që synojnë ri-integrimin e profesionistëve të kthyer në Ballkanin Perëndimor (tetor 2010 – shtator 2011), mbështetur nga Balkan Trust for Democracy (BTD), një projekt i German Marshal Fund. Qëllimi i këtij projekti, drejtuar nga Grupi 484 në Beograd, ishte identifikimi i pengesave kryesore për integrimin e të kthyerve të kualifikuar në vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe mbështetja për zhvillimin e politikave dhe masave të ndryshme në nivel rajonal në kuadër të përmirësimit të situatën aktuale.
  • Përmirësimi i demokracisë pjesëmarrëse në nivelin lokal: Edukimi dhe përfshirja e të rinjve në institucionet e qeverisjes vendore, si dhe në zgjedhjet e 2011 (tetor 2010 – qershor 2011), financuar nga National Endowment for Democracy (NED). Qëllimi i këtij projekti ishte përfshirja e votuesve të rinj në vendim-marrjen lokale përmes edukimit qytetar mbi rolin dhe rëndësinë që institucionet e qeverisjes vendore luajnë në jetën e përditshme dhe aktiviteteve praktike të monitorimit të punës së institucioneve.
  • Uniteti përmes mobilitetit (janar 2010 – janar 2011) financuar nga Komisioni Europian dhe Drejtoria e Përgjithshme e Edukimit dhe Kulturës. Objektivi i përgjithshëm i këtij projekti ishte ngritja e një sistemi këshillimi bazuar në solidaritetin midis këshillave kombëtare të Lëvizjes Europiane Ndërkombëtare. Qëllimi i këtij sistemi ishte ofrimi i mbështetjes për këshillat më pak të zhvilluar në mënyrë që të ata të përfitonin nga eksperienca e këshillave më të konsoliduar. Gjatë këtij projekti EMA përfitojë nga eksperienca e Lëvizjes Europiane në Danimarkë.
  • Promovimi i pjesëmarrjes së të rinjve në Kuvendin e Shqipërisë (tetor 2009 – maj 2010) mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED). Kjo iniciativë u ndërmor për të rritur informimin e brezit të ri mbi punën e përditshme të Kuvendit të Shqipërisë nëpërmjet inkurajimit të pjesëmarrjes së tyre aktive duke ndikuar në punën e administratës publike me qëllim bërjen e saj më transparente, të hapur dhe demokratike.
  • Përmirësimi i efektivitetit të IPA-s në vendet e Ballkanit Perëndimor (qershor 2009 – shkurt 2010) mbështetur nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur, programi i qeverisjes vendore & iniciativës për reformë në shërbimin publik (LGI). Qëllimi kryesor i kësaj iniciative ishte identifikimi i karakteristikave kryesore të dy komponentëve të parë të IPA, dedikuar vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përpilimi i një dokumenti politik për Komisionin Europian që sugjeron mënyrat e përmirësimit për të përfituar efektivisht nga IPA. Në këtë projekt morën pjesë Shqipëria, Bosnje – Hercegovina, Maqedonia dhe Mali i Zi.
  • Inkurajimi i pjesëmarrjes së të rinjve në proceset politike (tetor 2008 – qershor 2009) financuar nga National Endowment for Democracy (NED). Projekti arriti të kontribuojë në përmirësimin e arsimimit dhe ndërgjegjësimit të votuesve të rinj për rëndësinë e demokracisë pjesëmarrëse duke i angazhuar ata në një raund debatesh publike të organizuara në 7 qytete universitare të Shqipërisë.
  • Monitorimi i procesit të Liberalizimit të Vizave me Shqipëri (mars 2009 – janar 2009) financuar nga Balkan Trust for Democracy (BTD), një projekt i German Marshall Fund. Ky projekt synonte mbështetjen e dëshirës së fortë të qytetarëve shqiptarë për të patur një regjim të lirë vizash me Komunitetet Europiane, duke monitoruar zbatimin e 42 standardeve të trupëzuara në Udhërrëfyesin e Liberalizimit të Vizave, që iu dorëzua qeverisë shqiptare më 3 qershor 2008. Ky projekt ilustron gatishmërinë e Shqipërisë për të qenë pjesë e listës së “bardhë” të Shengenit, duke qenë se procesi i monitorimit të standardeve të Udhërrëfyesit analizonte nivelin e përputhshmërisë së Shqipërisë me kriteret e Rregullores të BE Nr. 539/2001.
  • Drejt Listës së Bardhë të Shengenit – Monitorimi i Udhërrëfyesit – Përgjigja Rajonale e Ballkanit Perëndimor (dhjetor 2008 – janar 2009), mbështetur nga East East Partnership Beyond Borders Program dhe Fondacioni për Shoqëri të Hapur. Qëllimi i kësaj iniciative ishte identifikimi i mundësive për krijimin e një përgjigje rajonale të Ballkanit Perëndimor për çështjen e migracionit dhe procesin e liberalizimit të vizave me BE. Grupi 484 (Serbia) ishte udhëheqësi i ekipit, ndërsa partnerët e tjerë rajonal të përfshira ishin: EMA në Shqipëri, Qendra për Studimin dhe Hartimin e Politikave në Maqedoni (CRPM), Shoqata Alumni e Qendrës për Studime Ndërdisiplinore Pasuniversitare në Bosnjë – Hercegovinë (CIPS), Qendra për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut në Mal të Zi (CEDEM).
  • EuroMed-Scola (tetor – dhjetor 2008) mbështetur nga Delegacioni i Komisionit Europian në Shqipëri. Kjo iniciative kontribuoi në rritjen e informacionit dhe ndërgjegjësimit të brezit të ri mbi procesin e vendimmarrjes në BE përmes një loje simuluese që rrit ndërveprimin shoqëror, bazuar në vlerat e përbashkëta si: toleranca, liria dhe qytetërimi. Gjatë aktiviteteve të organizuara në kuadër të këtij projekt, 10 pjesëmarrësit nga Shqipëria u ftuan për të diskutuar, debatuar dhe miratuar rezoluta për çështje lidhur me Bashkimin për Mesdheun si dhe çështje me interes të përbashkët për Partneritetin Euro-Mesdhetar, me të rinj të tjerë nga 27 shtetet anëtare të BE dhe 12 vendet e Partneritetit Euro-Mesdhetar.
  • A ka me të vërtetë rëndësi liberalizimi i vizave për Ballkanin Perëndimor? (mars 2008 – gusht 2008), mbështetur nga King Baudouni Foundation and East-East Partnership without Borders Programe, Fondacionit Shoqëria e Hapur në bashkëpunim me European Citizen’s Action Service dhe me Stefan Batory Foundation. Projekti kishte për qëllim monitorimin e zbatimit të Marrëveshjeve të Lehtësimit të Vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor përmes vënies në dispozicion të një linje telefonike ku qytetarët ankoheshin lidhur me probleme që hasin gjatë aplikimit për vizë Shengen dhe realizimit të një sondazhi të hollësishme sasiore. Ky projekt rajonal është zbatuar në të njëjtën kohë në Shqipëri, Serbi, Mali të Zi, Maqedoni dhe Bosnje – Hercegovinë.
  • Udhëtim në Europë (janar  – qershor 2008) financuar nga Balkan Trust for Democracy (BTD), një projekt i German Marshal Fund dhe Fondacionit Robert Bosch. Ky projekt është zbatuar në partneritet me Lëvizjen MJAFT!, Lëvizjen Europiane në Serbi dhe Mal të Zi. Në fokusin e projektit ishin 30 studentë të përzgjedhur shqiptarë, të cilët nëpërmjet një turneu 30 ditor në disa nga kryeqytetet më të rëndësishme të Shteteve Anëtare të BE njihen me vlerat dhe kulturën e BE-së.