SANECA – Tryezë diskutimi: Lëvizja e lirë e mallrave në Shqipëri dhe hartimi i udhërrëfyesit kombëtar, 2 qershor 2022

Në datë 2 qershor 2022 u mbajt tryeza e diskutimit për lëvizjen e lirë të mallrave në Shqipëri dhe hartimin e udhërrëfyesit kombëtar. Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të projektit SANECA – Komponenti i përfshirjes së shoqërisë civile, organizuar nga GIZ dhe European Movement Albania (EMA). Në këtë takim morën pjesë anëtarë të tyezave për Kapitujt 1, 3, 20 dhe 28, si edhe përfaqësues nga institucionet e autoritetet përgjegjëse shtetërore, dhomat e tregtisë dhe industrisë, prodhues dhe operatorë biznesi, si dhe ekspertë nga shoqëria civile dhe universitetet. Aktiviteti u zhvillua në formantin hibrid, me pjesëmarrje fizike në ambientet e Xheko Imperial Hotel dhe online në platformën ZOOM. 

Takimi u hap nga Laureta Spahiu, këshilltare e projektit SANECA/GIZ, e cila pasi falenderoi pjesëmarrësit dhe shpjegoi se në këtë tryezë do të trajtohen dy çështje shumë të rëndësishme si: lëvizja e lirë e mallrave dhe udhërrëfyesi për levizjen e lirë të mallrave. 

Fjalën e mori Julian Lupo, ekspert për kapitullin 1, i cili foli për levizjen e lirë të mallrave dhe  pasurimin e kuadrit ligjor dhe institucional. Llupo e nisi prezantimin duke dhënë një kuadër të gjerë të legjislacionit dhe pikat që janë për t’u përmirësuar. Ai solli një informacion të përgjithshëm për produktet që ndalohen, që sipas tij janë edhe thelbi i problematikës. Më tej theksoi se: Shqipëria ashtu si vendet e tjera aspirante, të cilat kanë transpozuar legjislacionin e Kapitullit 1 pjesërisht apo plotësisht, detyrohen që të aplikojnë të njëjtat standarde. Pra, një produkt i cili përmbush detyrimet ligjore që të prodhohet apo importohet në Shqipëri mund të lëvizë lirshëm në çdo vend të BE-së (psh, lodrat, ashensorët, elektroshtëpiaket etj). Më tej, u ndal të shpjegojë se cilat janë përfitimet që sjell lëvizja e lirë e mallrave siç janë: rritja e sigurisë së produkteve joushqimore, rritja e konkurrencës së lirë e të ndershme, çmime konkuruese për konsumatorët etj. Por sipas . Llupo rreth 55% e akteve të këtij kapitulli janë harmonizuar pjesërisht, ndërsa rreth 45% ende jo. Në fund të prezantimit të tij, theksoi se është shumë e rëndësishme që prodhuesit e brendshëm të njihen me proceduart, që në fazat e para të implementimit sepse ky proces shkakton probleme të ndryshme. 

Më tej, fjalën e mori Alma Bilali, Këshilltare, GIZ Shqipëri – projekti SANECA. Ajo u shpreh se kërkesa për hartimin e një dokumenti të tillë siç është Udhërrëfyesi për lëvizjen e mallarave është bërë nga disa raporte dhe nisur nga eksperienca e vendeve të rajonit tregohet se negociatat për këto vende janë hapur vetëm pas plotësimit të këtij kushti. Shqipëria ka pasur kohën dhe eksperiencën e nevojshme për të shkruar një dokument të tillë, pa qenë nevoja që ai të vendoset si kusht nga Bashkimi Europian. Ky dokumet ka një qëllim dhe objektiv multidimensional. Nga viti 2020 e deri më tani është bërë një punë e madhe nga Ministria e Financave për marrjen e inputeve për hartimin dhe dokumentimin e këtij dokumenti. Aktualisht dokumenti është në një fazë shumë të avancuar, sigurisht që ende ka nevojë për përmirësime dhe mbledhje të dhënash. Sipas Bilali dokumenti është i mirëstrukturuar dhe për hartimin e tij u panë modelet e Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, por duke futur edhe elemente të tjera shtesë. Analiza që është bërë është shumë të hollësishme. Bilali theksoi rëndësinë e konsultimeve sepse për bizneset ende mungon informacioni. Sipas saj, për biznesin do të ishte shumë i rëndësishëm roli i dhomave të tregtisë dhe të organizatave ombrellë për të marrë informacionin e nevojshëm për çfarë përmban kapitulli dhe si preken bizneset nga procesi. Aspekt tjetër shumë i rëndësishëm është harmonizimi i një legjislacioni dhe hartimi i një direktive, gjë që jep mundësi për përshtatjen e tij. Në fund të prezantimit ajo theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me grupet e interesit. Nga pjesëmarrësit ishte me interes të dihej më shumë për pjesën e monitorimit dhe përshtatjes së këtij legjislacoini, masat afatgjatë, afatmesme e afatshkrurtër dhe si koordinohet me masat e vendosura nga Plani Kombëtar për Integrimin Europian , si edhe sfidat që do të vijnë si pasojë e implementimit të këtij legjislacioni.  

Më tej, takimi u vijua në formë diskutimi me pjesëmarrësit dhe lektorët, ku nuk mungoi shkëmbimi i eksperiencave dhe përvojave mes tyre. Llupo gjatë diskutimit theksoi se ky legjislacoin vendos përballë biznesin me shumë detyrime dhe për pasojë kjo ndikon drejtëpërdrejt te konsumatorët për të patur produkte të sigurta. Sipas tij për konsultimin duhet të ketë ekspertizë dhe një informim më të detajuar e të targetuar. MFE e ka nisur tashmë një proces të tillë, por është e rëndësishme që operatorët të njihen me detyrimet  dhe sfida më e madhe mbetet zbatimi.