Modulet e Integruara MEL – Analiza dhe Raportimi i Rezultateve të Monitorim-Vlerësimit, Edicioni III, 13 maj 2025

Më 13 maj 2025, u zhvillua Moduli i tretë i edicionit të fundit të programit të Moduleve të Integruara MEL në kuadër të Politikave për Shtetin e së Drejtës në Shqipëri. Moduli u fokusua mbi analizën dhe raportimin e gjetjeve dhe rezultateve të Monitorimit dhe Vlerësimit.

Ekspertja e trajnimit, Mimoza Agolli, ndau pjesën teorike të trajnimit në tre pjesë. Së pari, ajo u përqendrua te metodat dhe mënyrat e mbledhjes dhe analizës së të dhënave dhe gjetjeve të dala gjatë monitorimit. Ajo përcaktoi hapat që duhen ndërmarrë, si: përcaktimi i llojeve të të dhënave të nxjerra, vlerësimi se cilat të dhëna janë me rëndësi për të nxjerrë në pah atë që po matim dhe vlerësojmë, llojet e matjes së të dhënave që mund të përdoren sipas qëllimit dhe llojit të tyre, mbledhja dhe menaxhimi i të dhënave, analizimi dhe prezantimi i gjetjeve.

Duke ofruar shembuj të larmishëm të përdorimit të të dhënave gjatë përgatitjes së raporteve të Monitorimit apo Vlerësimit, Agolli nxori në pah mënyrat dhe mjetet e ndryshme që mund të përdoren për mbledhjen dhe matjen e të dhënave, si dhe rezultatet që dalin bazuar në të dhënat e përdorura. Mjetet e përdorura, sipas Agollit, në radhë të parë përcaktojnë edhe llojin e të dhënave – nëse ato do të jenë të dhëna sasiore apo cilësore. Për të mbledhur të dhëna cilësore, metodat e përdorura përfshijnë intervistat e strukturuara apo gjysmë të strukturuara, fokus-grupet, observimet, lojën në role, analizën SWOT apo dhe përdorimin e rasteve studimore.Për çdo metodë, ajo theksoi që duhet të merren në konsideratë gjithmonë si çështjet etike të marrjes dhe përdorimit të të dhënave (mbrojtja e të dhënave personale, mbrojtja e të drejtave të fëmijëve, mosnxjerrja e të dhënave të klasifikuara etj.), ashtu edhe burimet e nevojshme financiare dhe njerëzore për të bërë të mundur që këto metoda të zbatohen siç duhet dhe të nxjerrin të dhëna sa më të sakta.

Gjatë pjesës së dytë të modulit, ajo u ndal në disa raste praktike mbi mënyrën sesi të dhënat përdoren dhe përpunohen gjatë fazës së monitorimit dhe vlerësimit, duke përdorur disa nga metodat shkencore si metoda eksperimentale dhe ajo quasi-eksperimentale, diferenca në diferencë, matja e efekteve shkakësore etj., duke theksuar që këto metoda kërkojnë përgatitje dhe aftësi teknike për t’u realizuar, si dhe mjetet e nevojshme për matjen dhe analizimin e të dhënave.

Në pjesën e fundit, ajo u fokusua te faza e tretë e ciklit MEL – Nxënia (learning). Pse kjo fazë është e rëndësishme dhe si ndërlidhet me gjetjet e raporteve apo komunikimin dhe konsultimin e tyre. Sipas Agollit, kjo fazë përmban tre elemente të rëndësishme që duhen plotësuar dhe marrë në konsideratë: Përfundimet Vlerësuese, Rekomandimet dhe Mësimet e nxjerra. Vetëm në këtë mënyrë mund të mbyllet cikli i MEL, por edhe të përmirësohen politikat dhe programet në zbatim për efekte dhe impakt më të mirë dhe të saktë, si dhe për përmirësimin e programeve dhe politikave në të ardhmen.

Në sesionin praktik të Modulit, vëmendja u përqendrua te prezantimi i detyrave paraprake të realizuara në grup nga pjesëmarrësit e trajnimit, ku ata parashtruan planet e tyre të Monitorimit dhe Vlerësimit për politikat që kishin marrë në shqyrtim. Ky sesion shërbeu si për të ndarë mendime dhe sugjerime mes grupeve, bazuar në punën dhe përvojën e gjithsecilit, ashtu edhe për marrjen e rekomandimeve dhe komenteve nga lektorja për orientim më të mirë dhe realizimin e plotë të detyrave.