Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile: Procesi i integrimit europian në Shqipëri – mundësitë për përfshirje të shoqërisë civile dhe të rinjve në procesin e negociatave për politikat sociale, punësimin, arsimin, dhe rininë, Pukë, 4 nëntor 2025
Më 4 nëntor 2025, në bashkëpunim me Qendrën Rinore Pukë, u zhvillua një workshop në kuadër të Qendrës Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile (NRC), një nismë e Partnerëve Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim, me partnerë edhe Lëvizjen Europiane në Shqipëri.
Aktiviteti u hap nga Xhoana Zeqo, Menaxhere Projekti pranë Partnerëve Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim, e cila prezantoi misionin dhe veprimtarinë e Qendrës Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile, që synon të krijojë ura bashkëpunimi dhe të nxisë angazhimin qytetar në nivel lokal. Ajo theksoi se zhvillimi i aktiviteteve përtej Tiranës është i rëndësishëm për të sjellë informimin dhe debatin mbi procesin e politikëbërjes dhe vendimmarrjes edhe në komunitetet lokale. Zeqo vuri në dukje se, në këtë fazë kaq të rëndësishme të procesit të integrimit, është thelbësore krijimi i hapësirave për informim, angazhim dhe aktivizëm qytetar në nivel vendor, veçanërisht për të rinjtë, të cilët duhet të nisin përfshirjen e tyre në këto procese sa më herët.
Nirvana Deliu, Drejtore Projekti në Lëvizjen Europiane në Shqipëri, ndau një përmbledhje të zhvillimeve më të fundit në procesin e integrimit europian, me fokus te negociatat dhe hapja apo mbyllja e grupkapitujve. Ajo theksoi nevojën për ta shtrirë dialogun për integrimin përtej Tiranës, duke përfshirë komunitetet lokale dhe duke e bërë Platformën e Partneritetit për Integrimin Europian më të qasshme për aktorët në qytete si Puka. Ajo sugjeroi që kjo mund të arrihet përmes aktiviteteve hibride dhe rritjes së aksesit në angazhimin dixhital.
Doc. Anila Shehi Dollani, eksperte për Bashkimin Europian, prezantoi një analizë të qasjes së BE-së ndaj kapitujve që lidhen me arsimin, rininë, kulturën dhe punësimin. Ajo ofroi një panoramë të shkurtër të rrugëtimit të Shqipërisë në procesin e integrimit europian, duke nxjerrë në pah sfidat kryesore për përmbushjen e kritereve të BE-së. Shehi solli shembuj konkretë të mundësive për përfshirje, mbështetje financiare dhe grante që BE ofron për vendet si Shqipëria në fushat e punësimit, arsimit dhe rinisë, duke theksuar mënyrat se si aktorët lokalë dhe të rinjtë mund të përfitojnë për rritjen e kapaciteteve dhe angazhimit të tyre qytetar. Në përfundim, ajo theksoi se pavarësisht vështirësive që ndeshin organizatat e shoqërisë civile lokale për shkak të burimeve të kufizuara, ato duhet të jenë më proaktive dhe të bashkëpunojnë për të forcuar ndikimin e tyre në proceset vendimmarrëse.
Diskutimi konfirmoi rëndësinë e angazhimit të aktorëve lokalë në ndërtimin e një procesi integrimi më gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm, duke vënë në dukje nevojën për më shumë informim mbi kërkesat dhe standardet e procesit të integrimit europian në komunitetet lokale.
***
Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile në Shqipëri është një platformë informacioni dhe ofrimi shërbimesh që kontribuon në forcimin e kapaciteteve të shoqërisë civile për të qenë aktorë më efektivë, transparentë, të përgjegjshëm dhe të pavarur, si dhe në krijimin e një mjedisi mundësues për shoqërinë civile, demokracinë pjesëmarrëse dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kjo nismë financohet nga Bashkimi Europian dhe zbatohet nga Partnerët Shqipëri në partneritet me Qendrën Shqiptare për Popullsi dhe Zhvillim (QShPZh) dhe Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA).
Më shumë mund të gjeni në: www.resourcecentre.al



