Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile: Procesi i integrimit europian në Shqipëri – mundësitë për përfshirje të shoqërisë civile dhe të rinjve në procesin e negociatave për politikat sociale, turizmin, arsimin, dhe rininë, Divjakë, 6 nëntor 2026
Më 06 nëntor 2026, u zhvillua nga Lëvizja Europiane në Shqipëri dhe Partners Albania workshopi i radhës në kuadër të Qendrës Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile, një nismë e Partnerëve Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim mbështetur nga Bashkimi Europian.
Fokusi kryesor i aktivitetit ishte identifikimi i mundësive për përfshirjen e shoqërisë civile, aktivistëve dhe të rinjve që veprojnë në fushat e punësimit, përfshirjes sociale, arsimit dhe rinisë, në procesin e negociatave dhe në nxitjen e informimit për mundësitë dhe zhvillimet në kuadër të procesit të negociatave për Grupkapitullin 3– Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse .
Aktiviteti u hap me fjalën përshëndetëse të Xhoana Zeqo, Menaxhere Projekti pranë Partnerëve Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim, e cila prezantoi qëllimin dhe aktivitetet e Qendrës Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile (NRC), e cila synon të nxisë mobilizimin qytetar dhe pjesëmarrjen aktive në jetën publike të aktorëve të shoqërisë civile me fokus të veçantë komunitetet përtej Tiranës. Ajo theksoi rëndësinë që nisma të tilla kanë për shoqërinë civile, institucionet dhe komunitetet lokale për tu informuar dhe për tu përfshirë në procesin e diskutimit dhe vendimmarrjes në këtë fazë të rëndësishme të procesit të integrimit: atë të negociatave të kapitujve me BE-në. Zeqo u shpreh që aktiviteti synon të luajë dy role kryesore: të ofrojë hapësirën për informim dhe për përfshirje dhe dialog mes institucioneve lokale, shoqërisë civile, rinisë dhe grupeve të interesit.
Nirvana Deliu, Drejtore Projekti pranë Lëvizjes Europiane në Shqipëri, u fokusua te gjetjet dhe përfundimet e Raportit vjetor të BE-së për 33 kapitujt, duke u përqendruar në vlerësimet e Komisionit mbi nivelin e përgatitjes dhe progresit, për kapitujt themelorë dhe grupkapitujt e tjerë. Ajo pasqyroi gjithashtu dhe planin sipas udhërrëfyesit të BE-së për mbylljen e kapitujve deri në fund të 2027 me fokus Grupkapitullin 3 – Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse me kapitujt përkatës. Deliu theksoi që shoqëria civile dhe grupet e tjera të interesit mund të angazhohen në strukturat e ngritura të konsultimit publik, duke përdorur edhe mundësitë e përfshirjes online si dhe këto aktivitete në kuadër të Qendrës Burimore për të përcjellë sugjerimet dhe shqetësimet e tyre.
Migena Kalthi, eksperte për Bashkimin Europian, ofroi një panoramë të detajuar mbi procesin e negociatave, si dhe informacion mbi përmbajtjen e kapitujve që lidhen me arsimin, rininë, punësimin, mbrojtjen sociale, por edhe mjedisin dhe bujqësinë. Ajo shpjegoi se si po funksionon procesi i negociatave dhe çfarë pritet nga aktorët e shoqërisë civile, ekspertët dhe grupet e tjera të interesit. Kalthi pasqyroi mundësitë për financime (grante) që BE ofron për Shqipërinë dhe mundësitë për përfshirje duke targetuar shoqërinë civile, të rinjtë por edhe pushtetin vendor, duke ofruar dhe shembuj konkretë të rasteve të suksesshme të projekteve të zbatuara në Shqipëri.
Pas prezantimeve, aktiviteti vijoi me një diskutim ndërveprues mes pjesëmarrësve, ku u evidentuan disa nga sfidat kryesore me të cilat përballen aktorët jo-shtetërorë lokalë ku mungesa e informacionit dhe përditësimit, kufizon mundësinë sidomos të të rinjve që të përfshihen sa më shumë. U theksua gjithashtu nevoja për më shumë bashkëpunim dhe rrjetëzim si dhe realizimin e takimeve periodike.
***
Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile në Shqipëri është një platformë informacioni dhe ofrimi shërbimesh që kontribuon në forcimin e kapaciteteve të shoqërisë civile për të qenë aktorë më efektivë, transparentë, të përgjegjshëm dhe të pavarur, si dhe në krijimin e një mjedisi mundësues për shoqërinë civile, demokracinë pjesëmarrëse dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kjo nismë financohet nga Bashkimi Europian dhe zbatohet nga Partnerët Shqipëri në partneritet me Qendrën Shqiptare për Popullsi dhe Zhvillim (QShPZh) dhe Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA).
Më shumë mund të gjeni në: www.resourcecentre.al



