Tryezë Informimi dhe Diskutimi “Lufta kundër korrupsionit në themel të rrugëtimit europian: perspektiva e të rinjve, shoqërisë civile dhe akademisë”, 28 tetor 2026, Elbasan

Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), në bashkëpunim me Platformën Thu’Je – Platformë për Demokracinë dhe Paqen udhëhequr nga PVN Albania, organizoi një tryezë informimi dhe diskutimi në Elbasan, më datë 28 tetor 2026.  

Nën moderimin e Lorena Haxhiymerit, Drejtore e Performancës në Bashkinë Elbasan, aktiviteti u përqendrua te lufta kundër korrupsionit, mekanizmat e BE për mbrojtjen e interesave financiare dhe forcimi i zbatimit të ligjit. Në kuadër të diskutimeve u prezantuan gjithashtu dy artikuj të botuar në Albanian Law Journal (ALJ), revistë e krijuar nga Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), si dhe një manual shpjegues mbi kuadrin dhe mekanizmat europianë kundër korrupsionit. Këto materiale u përgatitën në kuadër të nismave të EMA-s për rritjen e ndërgjegjësimit dhe forcimin e kapaciteteve në luftën kundër korrupsionit, me mbështetjen financiare të Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMSHC). 

Në fjalën e tij hyrëse, Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA), nënvizoi rëndësinë e diskutimeve të tilla për avancimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë, duke theksuar se lufta kundër korrupsionit mbetet një element thelbësor i reformave për forcimin e shtetit të së drejtës dhe përmbushjen e kritereve të anëtarësimit në BE. Ai vuri në dukje se procesi i integrimit europian nuk duhet të kufizohet vetëm në nivelin qendror, por duhet të përfshijë edhe qytetet dhe komunitetet jashtë Tiranës. Në këtë drejtim, ai theksoi nevojën për të rritur informimin, për të zhvilluar kapacitetet e institucioneve të pushtetit vendor dhe për të nxitur pjesëmarrjen e qytetarëve në proceset që lidhen me integrimin. Duke pasur parasysh se një pjesë e konsiderueshme e legjislacionit të BE-së zbatohet në nivel vendor, Gjipali vlerësoi rolin e organizatave të shoqërisë civile në mbështetjen e institucioneve vendore, përmes informimit, edukimit dhe forcimit të kapaciteteve për zbatimin e standardeve europiane. 

Më tej, Dr. Arsiola Dyrmishi prezantoi artikullin e saj, “Integriteti i biznesit shqiptar përballë standardeve të reja të Bashkimit Evropian kundër korrupsionit: nga përgjegjësia penale te kultura e pajtueshmërisë ligjore”, duke u ndalur te rëndësia e parandalimit të korrupsionit në sektorin privat dhe forcimit të mekanizmave të integritetit brenda bizneseve. Ajo shpjegoi se lufta kundër korrupsionit nuk mund të mbështetet vetëm te ndëshkimi pas kryerjes së shkeljeve, por kërkon edhe masa parandaluese, sisteme efektive kontrolli të brendshëm dhe një kulturë organizative të bazuar në respektimin e ligjit. Artikulli analizon kuadrin ligjor shqiptar për përgjegjësinë penale të personave juridikë, në raport me Direktivën (BE) 2026/1021 për luftën kundër korrupsionit dhe standardet ndërkombëtare të OECD-së, UNODC-së dhe ISO 37001. Një nga çështjet kryesore të trajtuara është mënyra se si ekzistenca dhe zbatimi real i programeve antikorrupsion mund të merren në konsideratë gjatë vlerësimit të përgjegjësisë së bizneseve dhe të pasojave juridike që mund të rrjedhin nga shkeljet. Për të plotësuar analizën ligjore, studimi përfshin edhe të dhëna empirike nga një pyetësor me 31 biznese që ushtrojnë aktivitet në Shqipëri. Rezultatet tregojnë se mekanizmat e brendshëm antikorrupsion mbeten ende pak të formalizuar: vetëm 6 biznese (19,4%) deklaruan se kishin një dokument të posaçëm antikorrupsion të miratuar dhe të zbatuar, ndërsa vetëm 3 biznese (9,7%) raportuan se kryenin vlerësime periodike dhe të dokumentuara të rrezikut të korrupsionit. Ndër pengesat kryesore për zbatimin e këtyre mekanizmave u evidentuan mungesa e stafit të specializuar, kostot financiare dhe kapacitetet e kufizuara të bizneseve të vogla. Në përfundim, Dyrmishi theksoi se përafrimi i legjislacionit shqiptar me standardet europiane duhet të shoqërohet me kritere të qarta për vlerësimin e efektivitetit të programeve të pajtueshmërisë dhe me kërkesa proporcionale me madhësinë, veprimtarinë dhe nivelin e rrezikut të secilit biznes. 

Në vazhdim, PhD(c) Sidita Zaja prezantoi artikullin “Gazetaria investigative e asistuar nga inteligjenca artificiale në luftën kundër korrupsionit në Shqipëri: të drejtat e njeriut, liria e medias dhe transparenca në procesin e integrimit evropian”. Prezantimi trajtoi rolin që mund të luajë inteligjenca artificiale në forcimin e gazetarisë investigative, duke vënë në dukje njëkohësisht rëndësinë e verifikimit të informacionit, ruajtjes së konfidencialitetit të burimeve dhe respektimit të të drejtave themelore. Zaja shpjegoi se përdorimi i IA-së mund t’u mundësojë gazetarëve të analizojnë dokumente të shumta, të krahasojnë të dhëna dhe të identifikojnë mospërputhje që mund të shërbejnë si pikënisje për hetime të mëtejshme mbi korrupsionin, veçanërisht në sektorë si prokurimet publike, partneritetet publike-private, shëndetësia, arsimi dhe administrimi i pronës. Megjithatë, ajo nënvizoi se rezultatet e gjeneruara nga këto mjete nuk mund të konsiderohen automatikisht prova dhe se çdo pretendim duhet të mbështetet në dokumentacion origjinal dhe verifikim të pavarur. Një tjetër aspekt i rëndësishëm lidhej me rreziqet që mund të lindin nga përdorimi i pakontrolluar i IA-së, duke përfshirë cenimin e privatësisë, ekspozimin e burimeve konfidenciale, përhapjen e informacionit të pasaktë dhe riprodhimin e paragjykimeve. Këto sfida u trajtuan në raport me realitetin e gazetarisë në Shqipëri, ku vështirësitë në aksesin në informacion, presionet ndaj gazetarëve dhe rreziku i padive abuzive mund të ndikojnë në pavarësinë dhe cilësinë e raportimit. Në këtë kuadër, prezantimi iu referua edhe instrumenteve evropiane që lidhen me rregullimin e inteligjencës artificiale, lirinë e medias dhe mbrojtjen e gazetarëve. Në përmbyllje, Zaja theksoi se përdorimi i IA-së në redaksi duhet të udhëhiqet nga mbikëqyrja njerëzore, verifikimi i pavarur i fakteve, mbrojtja e të dhënave dhe burimeve, transparenca dhe përgjegjësia editoriale. Ajo nënvizoi se teknologjia mund të përmirësojë kapacitetet e gazetarisë investigative, por nuk mund të zëvendësojë gjykimin profesional të gazetarëve dhe përgjegjësinë e tyre për informacionin që bëhet publik. 

Më tej, Ermelinda Muçaj, Oficere Projekti dhe autore e manualit, prezantoi kuadrin institucional dhe ligjor të BE për parandalimin, hetimin dhe ndëshkimin e veprave të korrupsionit. Duke u nisur nga format e ndryshme që mund të marrë korrupsioni, Muçaj theksoi se ky fenomen nuk lidhet vetëm me ryshfetin siç perceptohet gjerësisht nga të rinjtë, por përfshin edhe praktika të tilla si konflikti i interesit, mashtrimi, përvetësimi i fondeve, klientelizmi dhe patronazhi. Ajo shpjegoi se karakteri ndërkufitar i korrupsionit dhe ndikimi i tij mbi financat publike e kanë bërë të domosdoshëm forcimin e bashkëpunimit ndërmjet shteteve dhe zhvillimin e mekanizmave të përbashkët europianë, pasi sistemet kombëtare të drejtësisë, të organizuara kryesisht mbi bazën e juridiksioneve territoriale, nuk mund t’i trajtojnë gjithmonë në mënyrë të izoluar këto çështje. Në vijim, prezantimi u ndal te zhvillimet në kuadrin ligjor të BE-së, me fokus te Direktiva (BE) 2026/1021 për luftën kundër korrupsionit, e cila synon harmonizimin e përkufizimeve të një sërë veprash penale, forcimin e masave ndëshkuese dhe përmirësimin e mekanizmave kombëtarë të parandalimit. Ajo trajtoi gjithashtu rëndësinë e strategjive kombëtare, vlerësimit të rrezikut, trajnimit të vazhdueshëm dhe ngritjes së strukturave të posaçme për luftën kundër korrupsionit. Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe Raportit të Komisionit Europian për Shtetin e së Drejtës, si instrument monitorimi që kontribuon në identifikimin e problematikave dhe nxitjen e reformave, përfshirë në vendet kandidate si Shqipëria. Pjesë thelbësore e prezantimit ishte shpjegimi i roleve dhe kompetencave të institucioneve europiane që kontribuojnë në mbrojtjen e interesave financiare të BE-së dhe në luftën kundër mashtrimit e korrupsionit. Në këtë kuadër, u trajtuan funksionet e Prokurorisë Publike Europiane (EPPO), Zyrës Europiane Kundër Mashtrimit (OLAF), Eurojust-it, Europol-it dhe Gjykatës Europiane të Audituesve. Muçaj sqaroi se këto institucione kanë mandate të ndryshme, por plotësuese, në zbulimin e parregullsive, mbështetjen e hetimeve, bashkëpunimin gjyqësor dhe mbrojtjen e buxhetit të BE.  

Diskutimi përmbyllës u përqendrua te sfidat praktike të zbatimit të këtyre standardeve në Shqipëri, duke vënë theksin te nevoja për forcimin e kapaciteteve të institucioneve të pushtetit vendor dhe rritjen e informimit mbi detyrimet që burojnë nga procesi i integrimit europian. Gjithashtu, u diskutua përdorimi i inteligjencës artificiale në analizimin dhe përpunimin e informacionit, si dhe rëndësia e ruajtjes së kontrollit dhe gjykimit njerëzor për të garantuar saktësinë, ndjeshmërinë dhe përdorimin e përgjegjshëm të materialeve. Në këtë drejtim, u evidentua se përfitimet nga teknologjitë e reja varen edhe nga kapacitetet për t’i përdorur ato në mënyrë etike dhe në përputhje me standardet ligjore. 

 

*Kjo tryezë informimi dhe diskutimi  zhvillohet në kuadër të projektit “Justice NextGen: Fuqizimi i të Rinjve në Luftën kundër Korrupsionit përmes Edukimit Ligjor dhe Debatit Akademik” financuar nga Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMSHC).