Dokument Politikash – Trajtimi i barabartë dhe mosdiskriminimi i operatorëve ekonomikë, qershor 2026

Ky dokument politikash, i hartuar nga Ana Duraku për Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA), shqyrton parimin e trajtimit të barabartë dhe mosdiskriminimit të operatorëve ekonomikë në prokurimin publik në Shqipëri, duke ofruar një analizë për përputhshmërinë e kuadrit ligjor dhe praktik me standardet e BE-së. Dokumenti argumenton se, ndonëse legjislacioni shqiptar i prokurimeve publike ka evoluar nga modeli i hershëm i UNCITRAL-it drejt një kuadri më modern me Ligjin nr. 162/2020, dhe është përafruar pjesërisht me acquis-in e BE-së, zbatimi praktik i parimeve të barazisë dhe mosdiskriminimit mbetet i fragmentuar dhe i ekspozuar ndaj interpretimeve arbitrare.

Dokumenti analizon tre dimensione të ndërlidhura: (i) kuadrin ligjor shqiptar, duke ndjekur zhvillimin historik të rregullimit nga Ligji nr. 7971/1995 deri te Ligji nr. 162/2020, si dhe ndërthurjen me Kushtetutën, Kodin e Procedurave Administrative dhe Ligjin nr. 10221/2010 “Për mbrojtjen nga diskriminimi”, për të vlerësuar nëse baza normative siguron mbrojtje efektive kundër trajtimit të pabarabartë; (ii) kuadrin ligjor të Bashkimit Europian dhe jurisprudencën e Gjykatës Europiane të Drejtësisë, me fokus te standardet e konsoliduara mbi transparencën, proporcionalitetin, ndalimin e favorizimit dhe të ndryshimit të rregullave gjatë procedurës, si dhe te dallimi konceptual midis trajtimit të barabartë procedurial dhe mosdiskriminimit të aksesit në treg; dhe (iii) praktikën kombëtare të zbatimit, përmes shqyrtimit të vendimeve të Gjykatës Administrative të Apelit dhe të Komisionit të Prokurimit Publik, për të identifikuar tendencat vendimmarrëse, hendekun ndërmjet rregullimit ligjor dhe zbatimit praktik, si dhe format më të shpeshta të diskriminimit të tërthortë nëpërmjet kritereve të paqarta e kërkesave joproporcionale.

Dokumenti arrin në përfundimin se shkeljet më të zakonshme janë praktika që prodhojnë avantazh të padrejtë ose kufizojnë konkurrencën, duke treguar se përafrimi formal me direktivat europiane nuk mjafton pa një harmonizim funksional të mekanizmave të zbatimit. Ai thekson se vendimmarrja e gjykatave dhe e KPP-së ka konsoliduar një standard minimum të detyrueshëm për ligjshmërinë procedurale, por autoritetet kontraktore ende krijojnë hapësira për diskrecion arbitrar përmes formulimeve të paqarta, kritereve kualifikuese që shërbejnë si filtra të panevojshëm, dhe ndërhyrjeve selektive gjatë vlerësimit.

Dokumenti përmbyllet me rekomandime konkrete për autoritetet kontraktore dhe mjedisin më të gjerë të politikëbërjes, duke theksuar se trajtimi i barabartë dhe mosdiskriminimi nuk duhet të mbeten vetëm parime të deklaruara në ligj, por të kthehen në kritere funksionale të përditshme.

Dokument Politikash – Trajtimi i barabartë dhe mosdiskriminimi i operatorëve ekonomikë, qershor 2026

*Ky material është prodhuar në kuadër të projektit “Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC-ve për procesin e anëtarësimit në BE”, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Lëvizjes Europiane në Shqipëri dhe autorëve, dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet dhe qëndrimet e Bashkimit Evropian.

Projekti “Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC-ve për procesin e anëtarësimit në BE”, po zbatohet nga Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) me mbështetjen financiaretë Bashkimit Evropian – IPA Civil Society Facility and Media 2021, në bashkëpunim me Akademinë e Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), Slovak Foreign Policy Association (SFPA) dhe Qendrën për Transparencë dhe Informim të Lirë (CTFI).