Manual mbi Mekanizmat Europianë të Luftës kundër Korrupsionit, 2026

Ky manual synon të sjellë më pranë studentëve, si dhe të profesionistëve të ndryshëm një njohje të strukturuar me kuadrin dhe mekanizmat europianë të parandalimit dhe luftës kundër korrupsionit. Fillimisht, manuali trajton shkurtimisht kuptimin e korrupsionit dhe formave të tij, nga konflikti i interesit, përvetësimi dhe zhvatja, te klientelizmi, patronazhi dhe ndikimi i paligjshëm, të gjitha të lidhura me dispozitat përkatëse të Kodit Penal shqiptar. Më tej, ai ndalet te kuadri europian dhe zhvillimet e fundit si Direktiva (BE) 2026/1021, që sjell standarde të përbashkëta për sanksionet, afatet e parashkrimit dhe strategjitë kombëtare, si dhe Raporti vjetor për Shtetin e së Drejtës, që monitoron progresin e shteteve anëtare dhe vendeve kandidate, përfshirë fushën e luftës kundër korrupsionit. Pjesa më e gjerë i kushtohet pesë mekanizmave (Prokuroria Publike Europiane (EPPO); Zyra Europiane Kundër Mashtrimit (OLAF); Agjencia e Bashkimit Europian për Bashkëpunimin e Gjyqësorit Penal (Eurojust); Agjencia e Bashkimit Europian për Bashkëpunim në Zbatimin e Ligjit (Europol) dhe Gjykata Europiane e Audituesve) që punojnë bashkë kundër korrupsionit dhe krimit ndërkufitar. Për secilin shpjegohen roli, baza ligjore, kompetencat, procesi i hetimit hap pas hapi dhe një rast praktik, shpesh të lidhur me realitetin shqiptar, për të kuptuar sesi këto institucione bashkëpunojnë në terren. 

Manual mbi Mekanizmat Europianë të Luftës kundër Korrupsionit, 2026

**Ky material është prodhuar në kuadër të projektit “Justice NextGen: Fuqizimi i të Rinjve në Luftën kundër Korrupsionit përmes Edukimit Ligjor dhe Debatit Akademik”, që po zbatohet nga Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), me mbështetjen financiare të Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMSHC).

Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA) dhe autorit, opinion i shprehur në të nuk është domosdoshmërisht opinion i AMSHC-së.