Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile: Procesi i integrimit europian në Shqipëri – mundësitë për përfshirje të shoqërisë civile në procesin e negociatave, Tiranë, 15 prill 2026

Më 15 prill 2026, Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) dhe Partnerët Shqipëri organizuan një workshop në Tiranë, në kuadër të Qendrës Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile, një nismë e Partnerëve Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim, mbështetur nga Bashkimi Europian. Aktiviteti mblodhi organizata të shoqërisë civile, për të diskutuar nevojat e sektorit për ngritjen e kapaciteteve, ku ndodhen aktualisht negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë dhe si mund të përfshihet shoqëria civile në proces.

Arjola Agolli, Drejtore Programi pranë Partnerëve Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim, e hapi workshopin duke prezantuar Qendrën Burimore dhe rolin e saj në forcimin e kapaciteteve të organizatave të shoqërisë civile. Ajo u fokusua te ngritja e kapaciteteve si një proces i vazhdueshëm, që duhet t’i ndihmojë organizatat të kalojnë nga të qenit thjesht të informuara për integrimin europian te përfshirja aktive në vendimmarrje. Duke u mbështetur në përvojën e Qendrës Burimore, Agolli ndau rekomandime se si organizatat mund të ndërtojnë ekspertizën e tyre, të shfrytëzojnë më mirë mekanizmat ekzistues të konsultimit dhe të monitorimit dhe të forcojnë aftësinë për të dhënë kontribut me rekomandime dhe propozime konkrete e teknike në këtë fazë vendimtare të negociatave.

Sesioni mbi procesin e integrimit europian të Shqipërisë, me theks të veçantë te hapja e negociatave të anëtarësimit, u drejtua nga Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i EMA-s, dhe Nirvana Deliu, Drejtore Projekti në EMA. Ata fillimisht shpjeguan evolucionin e marrëdhënieve Shqipëri–BE, me fokus te procesi i screening dhe hapja e të gjitha grupkapitujve, vendosja e kritereve të ndërmjetme dhe pëmbyllëse për 33 kapitujt, analizim i periudhave kalimtare të kërkuara nga Shqipëria dhe kapitujt që pritet të jenë më sfidues. Më pas ata dhanë një pasqyrë të strukturave negociuese të Shqipërisë dhe zhvillimit të tyre që nga viti 2019, së bashku me dokumentet kryesore europiane dhe kombëtare, të cilat udhëheqin procesin, përfshirë Raportet Screening, Pozicionet Negocuese, IBAR, Raporti për Shtetin e së Drejtës, Raportin vjetor të Komisionit Europian, Planin Kombëtar për Integrimin Europian, si dhe LGA-në dhe IAGA-n. Së fundi, ata trajtuan rolin e organizatave të shoqërisë civile në procesin e anëtarësimit, veçanërisht përfshirjen e tyre në mekanizmat e monitorimit dhe të konsultimit: Platforma e Partneritetit për Integrimin Europian, Këshilli Kombëtar për Integrimin Europian, Konventa Kombëtare për Integrimin Europian dhe Komiteti i Përbashkët Konsultativ Shqipëri–BE pranë EESC.

Workshopi përfundoi me një diskutim mbi sfidat kryesore që has shoqëria civile në ndjekjen e procesit të anëtarësimit. Pjesëmarrësit theksuan mungesën e konsultimit cilësor, duke vënë në dukje se proceset e konsultimit shpesh janë formale dhe rrallë çojnë në veprime pasuese kuptimplota. Ata evidentuan gjithashtu kohën dhe burimet njerëzore të kufizuara për të ndjekur të gjitha zhvillimet legjislative, sidomos pasi procesi është intensifikuar. Natyra teknike e negociatave u ngrit si një pengesë tjetër, pasi e bën të vështirë për shumë organizata të ndjekin zhvillimet dhe të kontribuojnë me qëndrime të mirëargumentuara. Diskutimi nënvizoi nevojën për ngritje të vazhdueshme të kapaciteteve, informacion më të qartë dhe më të aksesueshëm dhe konsultim më kuptimplotë, që shoqëria civile të marrë pjesë në mënyrë aktive në proces.

***

Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile në Shqipëri është një platformë informacioni dhe ofrimi shërbimesh që kontribuon në forcimin e kapaciteteve të shoqërisë civile për të qenë aktorë më efektivë, transparentë, të përgjegjshëm dhe të pavarur, si dhe në krijimin e një mjedisi mundësues për shoqërinë civile, demokracinë pjesëmarrëse dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kjo nismë financohet nga Bashkimi Europian dhe zbatohet nga Partnerët Shqipëri në partneritet me Qendrën Shqiptare për Popullsi dhe Zhvillim (QShPZh) dhe Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA).

Më shumë mund të gjeni në: www.resourcecentre.al