7pa5 – Pasojat gjeopolitike të luftës
Drejtori Ekzekutiv i EMA, Gledis Gjipali ishte i ftuar më 3 mars 2022 në Vizion Plus TV për të diskutuar mbi qëndrimin e Bashkimit Europian në kushtet e një krize lufte. Ai u shpreh se presioni i Rusisë u rrit kur Ukraina nisi me orientimin e saj Europian duke përmendur rastin e Krimesë. Gjipali bëri me dije se vendet që më parë nuk kishin shfaqur interes për të qenë pjesë e NATO-s kanë filluar ta konsiderojnë si mundësi për shkak të rrezikut rus. Më tej, kërkesa e Ukrainës për anëtarësim të shpejtë në NATO u komentua si një mesazh i rëndësishëm politik por u theksua se traktatet e BE-së e pengojnë një veprim të tillë. Gjipali shtoi se për shkak të pandemisë, krizës financiare, retorikave të disa vendeve anëtare kundër zgjerimit dhe të huajve, qasja europiane ndaj proceseve integruese euro-atlantike ishte zbehur vitet e fundit por konfikti po ndikon që vëmendja të rikthehet te zgjerimi. Ai bëri dhe një analizë të shkurtër të situatës mes Kosovës dhe Serbisë duke u nisur nga kërkesa e Kosovës për tu bërë pjesë e NATO-s.



