A2 CNN – Deliu: BE i mbyll dyert refugjatëve. A po i hap Shqipëria? 11 prill 2024

E ftuar për të folur rreth reformës për Emigracionin, ligjin e ri të miratuar nga Parlamenti Europian, Nirvana Deliu, eksperte integrimi dhe njohëse shumë e mirë e çështjeve të migracionit, u shpreh se ky ligj nuk mbyll dyert për migrantët, por shtrëngon rregullat dhe vendos kufizime të reja. Ajo u shpreh se në këtë legjislacion të ri, theksohet vetëm eleminimi i pranimit të kërkesave për azil-kërkuesit, të cilët nuk kanë një arsye të vlefshme dhe të qëndrueshme për të përfituar strehim, duke bërë që kategoritë të cilat përfitojnë strehim të jenë një listë shteruese. Ekspertja tregon se procesi do të shkurtohet, ashtu si edhe koha e kthimit të përgjigjes duke përmendur një para-proces, Eurodac, i cili do të shërbejë si një proces screening për të vërtetuar të drejtën e pretendentit për azil ose do e rrëzojë atë. Deliu u shpreh se Sistemi i Dublinit do të mbetet po i njëjtë, por me paktin e ri synohet parimi i solidaritetit drejtuar vendeve pa shumë fluks refugjatësh për t’u ardhur në ndihmë vendeve me fluks të papërballueshëm, si dhe do të ketë përjashtime me një listë shteruese të arsyetuar. Ekspertja shtoi se uniformiteti dhe harmonizimi për procedurat dhe kushtet e ofruara për refugjatët është e domosdoshme dhe e synuar parësisht nga legjislacioni i ri. Ajo po ashtu përmendi se një pikë tjetër e theksuar në paktin e ri është edhe bashkëpunimi me vendet e treta. Deliu e mbylli fjalën e saj duke konfirmuar se janë vendosur shifra të reja financiare për mbështetje individuale për refugjat dhe se pritet miratimi nga Këshilli Europian për të finalizuar legjislacionin.  

A2 CNN – Deliu: BE i mbyll dyert refugjatëve. A po i hap Shqipëria? 11 prill 2024