ABC News / A2 CNN – Europa zhvendoset djathtas/ Deliu për zgjedhjet europiane: Nuk kishte surpriza të mëdha, 10-11 qershor 2024
Ekspertja për integrimin, Nirvana Deliu, ka thënë se në zgjedhjet europiane nuk pati surpriza të mëdha. Ajo thekson se koalicionet që njihen si pro-europiane kanë ende shumicën e mbështetësve. Sipas Deliut, për presidentin francez Emmanuel Macron ishte befasuese që partia e tij nuk ishte e para në Francë. Për disa vende ishte surprizë, por në përgjithësi ishte ajo që pritej, ku dy partitë e mëdha, e së majtës dhe së djathtës, morën shumicën e votave dhe vendeve në parlament, dhe shikohet një rritje e koalicioneve që janë më shumë të ekstremit të djathtë, si ata të reformistëve. Në përgjithësi, shprehet Deliu, vihet re se ato parti apo koalicione partish që njihen si mbështetëse të BE-së, janë të forta dhe së bashku bëjnë shumicën në parlament, por duhet kuptuar edhe dualiteti i votuesve në këtë drejtim. Ekspertja nënvizon se në Parlamentin Europian, ata votojnë si votues europianë dhe politikat i shohin në një mënyrë më makro, ndërkohë që kur votohet për zgjedhjet kombëtare interesat janë më lokale dhe janë drejtpërdrejt për çfarë prekin ata qytetarë të atij vendi. Deliu e përfundoi fjalën e saj duke sjellë në vëmendje edhe emërimin si eurodeputet të Belerit, duke e cilësuar atë si një lëvizje politike dhe duke uruar që kjo ngjarje të mos ndikojë gjykimin e drejtësisë shqiptare lidhur me fajësinë apo pafajësinë e kryebashkiakut të Himarës.