ABC News Albania & A2 CNN – Varhelyi i ashpër me BE: Hapni kapitujt e parë me Shqipërinë tani! Deliu: Moment pozitiv, reformimi i BE-së i nevojshëm, 21 – 23 mars 2024
Ekspertja e integrimit pranë EMA, Nirvana Deliu, e ftuar në A2 CNN dhe ABC News Albania për të dhënë ekspertizën e saj mbi ndodhitë e fundit në sferën e integrimit të Shqipërisë në BE u shpreh se ndodhemi në një moment goxha pozitiv që mund të shihet si fillimi i një procesi negociatash të shëndetshëm dhe meritokratik. Duke lënë mënjanë problematikat e brendshme të shtetit tonë lidhur me procesin e integrimit, ndër vite kemi vënë re dhe jemi përballur edhe me bllokimet nga shtetet anëtare të BE me vetot e ngritura nga ato, ku ndër këto veto ajo e cila mund të quhet si më e paargumentuara është veto-ja e Greqisë, e cila qartësisht ka vetëm arsye politike. Deliu nënvizoi edhe qëndrimin e Varhelyit, i cili duket të jetë në anën tonë, duke dhënë komente se BE po shkon drejt një reformimi. Reformim i cili, sipas ekspertes, është mëse i nevojshëm për të bërë të mundur integrimin e shteteve të cilat i bëjnë siç duhet ‘detyrat e shtëpisë’ dhe për të minimizuar vetot e paarsyetuara. Po ashtu ajo u shpreh se BE po shkon çdo ditë e më shumë drejt partnerëve të lindjes si Ukraina, Moldavia apo Gjeorgjia, gjë e cila tregon se BE po hap shtrirjen e saj në kufi. Deliu po ashtu theksoi se reformimi i BE-së është vetëm një propozim i Komisionit Europian, i cili nuk ka fuqi vendimmmarrës, por fakti që Komisioni dhe Parlamenti janë goxha vokalë për këtë propozim tregon që Këshilli Europian mund të ketë një qasje pozitive në momentin e shqyrtimit të këtij propozimi. Në fund të fjalës së saj, ekspertja ngriti nevojën për punën e vazhdueshme të vendit tonë, mbajtja e konferencës tjetër ndërqeveritare do të shënjonte kështu edhe hapjen e negociatave për Grup-Kapitullin 1 – Themeloret.



