ABC News – Çelja e Grupkapitullit të Tretë, Gjipali tregon se çfarë përfiton Shqipëria: Treg i lirë, zhvillim për biznesin, 14 prill, 2025
Shqipëria hapi sot grupkapitullin e tretë në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian, një hap domethënës që do të ndikojë ndjeshëm në administratën publike dhe sektorin privat. Eksperti Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, u shpreh se kjo fazë lidhet ngushtësisht me ekonominë dhe biznesin, duke sjellë kushte konkurrence të barabarta me tregun europian, ulje të kostove të transportit dhe reduktim të barrierave kufitare. Ai theksoi se hapja e këtij grupkapitulli kërkon përfshirje dhe përgatitje serioze nga vetë bizneset shqiptare, të cilat do të ndihen drejtpërdrejt nga ky proces.
Gjipali u ndal edhe te sfidat që e shoqërojnë këtë etapë, duke veçuar përafrimin e legjislacionit me atë të BE-së si një ndër më të rëndësishmit. Ai vuri në dukje se deri në fund të vitit 2027 synohet një përputhje e plotë e legjislacionit, e cila duhet jo vetëm të miratohet, por edhe të zbatohet me efikasitet. Për këtë, sipas tij, do të nevojitet një mbështetje e madhe institucionale dhe politike.



