Aktiviteti Hapës – Linja e Gjelbër për mbrojtjen e konsumatorit, 12 shkurt 2025
Qendra Alert në bashkëpunim me Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA) mbajtën Aktivitetin Hapës më datë 12 shkurt 2025, pranë mjediseve të Tirana International Hotel, në kuadër të projektit “Linja e gjelbër për mbrojtjen e konsumatorit – Siguria ushqimore dhe forcimi i mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve në Shqipëri nëpërmjet fuqizimit të OSHC-ve lokale”, financuar nga Bashkimi Evropian (IPA III/2024).
Fjala përshëndetëse u dha nga z. Granit Sokolaj – Drejtor Ekzekutiv, Qendra ALERT, i cili theksoi rëndësinë e këtij projekti për të rritur mbrojtjen e konsumatorit në vend dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për këtë të drejtë dhe nxitja e tyre të adresojnë ankesat e tyre pranë institucioneve publike. Përmes Linjës së Gjelbër, si një risi e zbatuar nga Qendra Alert, synohet që të gjitha ankesat e konsumatorëve të zgjidhen pranë institucioneve përkatëse dhe të bëhen publike në platformën e dedikuar për të rritur transparencën për këto çështje. Për më tepër, projekti synon forcimin e kapaciteteve të organizatave lokale të shoqërisë civile për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve, nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme të parashikuara, dhe mbi të gjitha me krijimin e një rrjeti OSHC-sh për mbrojtjen e konsumatorit si një mekanizëm për avokimin e përbashkët me institucionet politike për nisma ligjore dhe ndërhyrje në mbështetje të të drejtave të konsumatorëve.
z. Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv, Lëvizja Europiane në Shqipëri, nënvizoi se duke qenë se mbrojtja e konsumatorit është e përfshirë në Kapitullin 28 të acquis të BE-së, është një çështje që kërkon vëmendje të vazhdueshme nga aktorët përkatës. Kjo është veçanërisht e rëndësishme duke marrë parasysh nivelin ende në fazë të hershme të përgatitjes dhe progresit të kufizuar në këtë fushë, në kuadër të procesit të integrimit europian. Ai sqaroi se ky projekt do të përfshijë drejtpërdrejt të gjithë aktorët e interesuar në Tryezat e Diskutimit dhe Konsultimit të Platformës së Partneritetit për Integrimin Europian (PPIE) për Kapitujt 28, 12 dhe 1, me synim harmonizimin e legjislacionit shqiptar me acquis të BE-së, duke e thelluar dialogun dhe diskutimin për këtë fushë të rëndësishme dhe specifike që kërkon veprim të menjëhershëm.
z. László Árendás,Menaxher i Programit për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural në Delegacionin e BE-së në Shqipëri, përmendi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet aktorëve të ndryshëm në vend dhe vazhdimësinë e mbështetjes nga BE-ja që do të ofrohet për këtë çështje. Ai nënvizoi se Komisioni Europian e konsideron këtë fushë si një prioritet, duke e identifikuar si një sektor që ka nevojë për ndërhyrje dhe përmirësime, në mënyrë që legjislacioni i Shqipërisë të përputhet më ngushtësisht me atë të Bashkimit Europian. Po ashtu, zoti Árendás diskutoi përdorimin e disa pesticideve që janë ndaluar në Shqipëri në linjë me ndërhyrjen në BE, duke theksuar nevojën për informimin e prodhuesve dhe konsumatorëve për këto ndryshime.
z. Arian Jaupllari, Zëvendësministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, gjatë fjalës së tij u fokusua në rëndësinë e parandalimit të riskut, dhe ndërgjegjësimin sa më të lartë të konsumatorëve, si hallkë kyçe për të patur ndërveprim nga të gjitha palët për ruajtjen e sigurisë ushqimore në vend. Ai theksoi më tej, se nisma të tilla si linja e gjelbër, do të ndihmojnë gjithëpërfshirjen e të gjithë aktorëve për të mbrojtur të drejtat e konsumatorëve.
Panelistë të tjerë të aktivitetit nga projekti SANECA/GIZ; Helvetas Shqipëri, dhe Dhoma e Biznesit të Diasporës Shqiptare dhe pjesëmarrës të tjerë nga institucionet publike, shoqëritë private, organizatat e shoqërisë civile dhe aktorët mediatik, vendosën në vëmendje çështje të tjera si 6 aktet e Bashkimit Europian në fushën e konsumatorit që legjislacioni ynë duhet t’i reflektojë dhe të zbatohen në praktikë; adresimi i fushave të tjera, jo vetëm ai i sigurisë ushqimore, si tregtia elektronike, bimët medicinale, apo paketat turistike për mbrojtjen e konsumatorit ndaj abuzimeve, mashtrimeve dhe shërbimeve të papërshtatshme; rreziqet nga pretendimet e gjelbra; ankimimi i qëndrueshëm nga konsumatori dhe cilësia e tyre.
Ky aktivitet hapës pati si qëllim të prezantojë më në detaje këtë projekt, duke përfshirë qëllimet dhe objektivat e tij, aktivitetet e planifikuara, në mënyrë që të rrisë aktivizimin e aktorëve të ndryshëm me interes në këtë fushë gjatë fazave të tjera të projektit. Gjithashtu, u synua ofrimi i mundësive të bashkëpunimi dhe angazhimit për të gjithë pjesëmarrësit.
**Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të projektit “Linja e gjelbër për mbrojtjen e konsumatorit – Siguria ushqimore dhe forcimi i mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve në Shqipëri nëpërmjet fuqizimit të OSHC-ve lokale”, financuar nga Bashkimi Evropian (IPA III/2024), që po zbatohet nga Qendra Alert në bashkëpunim me Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA).



