Alsat MK/ABC News/Ora News – Zgjedhjet europiane/ Gjipali: Nuk priten ndryshime në politikat ndaj Ballkanit Perëndimor, 7-10 qershor 2024
Eksperti për integrimin, Gledis Gjipali, shprehet se nuk priten ndryshime në politikat ndaj Ballkanit Perëndimor pas përfundimit të zgjedhjeve europiane, por megjithëatë ai vuri në dukje se pritet një forcim i së djathtës në disa vende të rëndësishme të BE, si Gjermania dhe Hollanda. Gjipali theksoi se pritshmëritë për zgjerimin e Ballkanit Perëndimor janë të ulëta, pasi zgjedhjet përcaktojnë Parlamentin Europian, i cili ka pak ndikim në këtë proces. Nuk dihet nëse plotësimi i detyrimeve do të sigurojë hyrjen e Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, shprehet ai, duke mbajtur në vëmendje se këto zgjedhje, që zgjasin katër ditë, lejojnë 360 milionë shtetas të 27 vendeve anëtare të BE-së të votojnë. Gjipali nënvizoi se kandidatë të së djathtës ekstreme janë bërë të zakonshëm dhe kanë shënuar rekorde në 20 vitet e fundit. Ai shtoi se ky institucion nuk ka ndikim të madh, por zgjedhjet janë një matje e pulsit politik në secilin vend. Në disa raste, thekson eksperti, zgjedhjet janë një test për qeverinë dhe kanë rëndësi kombëtare. Gjipali solli në vëmendje rastin e Francës, ku forcimi i së djathtës ka nxitur testimin e elektoratit në zgjedhje të përgjithshme duke lëkundur impaktin e mazhorancës. Eksperti e përmbylli mendimin e tij duke ritheksuar se këto janë trende normale në 15 vitet e fundit, me shfaqjen dhe forcimin e së djathtës ekstreme dhe ndodhitë e viteve të fundit jo vetëm kundrejt Ballkanit Perëndimor, por dhe vendeve të Europës Lindore.