EuroSpeak: “Zgjedhjet parlamentare dhe Integrimi Europian” 22 prill 2021

 

 Më datë 22 prill EuroSpeak organizoi online aktivitetin informues me fokus “Zgjedhjet parlamentare dhe Integrimi Europian.” Ky ishte aktiviteti i katërt informues i EuroSpeak, pjesë e ciklit të aktiviteteve që po mbahen gjatë periudhës Janar – Maj 2021. Secili aktivitet do të trajtojë disa nga çështjet më me rëndësi që janë evidentuar nga autorët kontribues në EuroSpeak. Mundësimi i këtyre aktiviteteve bëhet nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA).

Mona Xhexhaj Kryeredaktore e EuroSpeak, përshëndeti pjesëmarrësit dhe bëri një përmbledhje mbi EuroSpeak si revista e parë shqip në Shqipëri që fokusohet në çështjet e BE-së. Xhexhaj dha informacione mbi rubrikat e EuroSpeak, adresoi disa nga temat e shtjelluara, dhe mënyrën se si autorët mund të bëhen pjesë e thirrjeve për artikuj.

Dr. Prof. Asoc. Roland Lami, lektor pranë Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, komentoi dhe analizoi gjuhën politike, përfshirë këtu ligjërimin dhe artikulimin, si përcjellës shumë të rëndësishëm të mesazhit tek audienca. Në prezantimin e tij, ai solli studimin e tij të kryer gjatë periudhës kohore 2018-2019, sa i përket gjuhës së përdorur të dy liderëve kryesorë në Shqipëri, Z. Edi Rama dhe Z.Lulzim Basha. Sipas këtij studimi, Lami konstantoi se terma si “Europa” dhe “Bashkimi Europian” janë më të përdoruarat në krahasim me terma si “Këshilli Europian” dhe “SHBA.” Lami shtoi se fokusi i lidershipit të Partisë Demokratike është i përqëndruar në terma si “Europa” dhe “BE”, duke i vlerësuar këto si institucione që mbartin një rol dhe influencë të veçantë në Shqipëri, ndërsa Kryeministri i Shqipërise, Z. Edi Rama, i përdor këto terma më shumë në nuance mbrojtje kundrejt qeverisë së tij. Pra, Lami doli në përfundimin se terma si “Bashkimi Europian” dhe “Europa” vlerësohen si organizma që legjitimojnë performancën dhe problematikat e Shqipërisë duke rikonstatuar kështu vlerën dhe rëndësinë që ka gjuha si tregues i një realiteti të caktuar politik.

Diskutime u ngritën mbi retorikën dhe diskursin e aktorëve lokalë në takime ndërkombëtare, duke perfshirë këtu edhe prioritetin e axhendave të ambasadës së SHBA-së dhe perfaqësuesit e BE-së në prioritizimin e çështjeve në Shqipëri.

Lutjona Lula, aktiviste rinore dhe kërkuese me përvojë të demonstruar në fushën e rinisë, bashkëpunimin rajonal, ciklit të menaxhimit të projekteve dhe temat e integrimit në BE, u përqendrua tek ndikimi i metodologjisë së re në procesin e integrimit në Shqipëri. Ajo foli për risitë e kësaj metodologjie, e cila synon të sjellë në fokus disa elementë të rëndësishme si: besueshmeria, politika, prioritetet, dinamikat, drejtimin më të fortë politik, pjesëmarrja e vendeve anëtare në proceset e monitorimit, si edhe parashikueshmëria. Gjatë prezantimit të saj, Lula foli për ndikimin e kësaj metodologjjie duke përmendur edhe kritikat kundrejt unionit, si kohëzgjatja e procesit të integrimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe duke theksuar kështu euroskepticizmin. Ajo përfundoi duke shtuar se përfshirja e metodologjisë së re e bën angazhimin në proces një element të rëndësishëm dhe të konsiderueshëm.

Elena Polo, Asistent-Lektore me kohë të plotë në Institutin e Studimeve Europiane, Universiteti i Tiranës, foli për rolin e sektorit privat në proceset negociuese dhe anëtarësuese të vendit. Duke u bazuar tek aktorët jo shtetërorë të cilët janë të përfshirë direkt ose indirekt në procesin e integrimit, ajo gjykoi se sektori privat dhe biznesi nuk konceptohen në mënyrë të mirëfilltë si shoqëri civile. Polo theksoi se BE e shikon sektorin privat si një grup të veçantë interesi, duke marrë si shembull Kroacinë, Serbinë dhe Estoninë, të cilat ndajnë ekperienca pozitive. Ajo përfundoi duke shtuar se edhe Shqiperia ka bërë përpjekje pozitive për këtë diskutim si Platforma e Partneritetit për Integrimin Europian.

EuroSpeak: “Zgjedhjet parlamentare dhe Integrimi Europian” 22 prill 2021