Gjyqi Simulues i GJED 2023 – Të drejtat e migrantëve dhe refugjatëve, 24 mars 2023
U zhvillua të premten më datë 24 mars 2023, Gjyqi Simulues i Gjykatës Europiane të Bashkimit Europian (e njohur GJED) me fokus të drejtat e migrantëve dhe refugjatëve në Bashkimin Europian, i organizuar nga EMA në bashkëpunim me Kolegjin Universitar Bedër. Qëllimi i këtij gjyqi simulues ishte rritja e njohurive teorike dhe praktike të pjesëmarrësve mbi funksionimin e Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Europian si dhe përmirësimin e aftësive analitike dhe juridike të pjesëmarrësve. Studentët e përfshirë u përzgjodhën në bazë të një aplikimi online ku shprehën interesimin e tyre dhe eksperiencat e mëparshme në këto lloj simulimesh dhe vinin nga formime të ndryshme si studentët të drejtësisë, të drejtës europiane, marrëdhënieve ndërkombëtare apo dhe shkenca sociale.
Në gjyqin simulues, ku u trajtua një rast fiktiv në lidhje me të drejtat e refugjatëve dhe migrantëve bazuar në legjislacionin e BE-së, u përfshinë 17 studentë, duke marrë përsipër rolet përkatëse si Avokatë të Viktimës, Agjentë Qeveritarë, Avokati i Përgjithshëm, President i Gjykatës dhe anëtarë/Gjyqtarë.
Përgjatë aktivitetit pjesëmarrësit vërejtën rregullat procedurale të seancave të GJED gjatë përgatitjes me shkrim, parashtrimit të argumenteve gojarisht, si dhe përgjigjet gjatë seancës. Trupa gjyqësore, pasi dëgjoi parashtrimet e avokatëve të viktimës dhe agjentëve qeveritarë mbi çështjen, vendosi ti japë palës statusin e refugjatit duke e bazuar vendimin përfundimtar jo vetëm në legjislacionin europian, por edhe praktikat e mëparshme të vetë gjykatës. Tema e diskutuar përfshinte elemente të lidhura e migracionin e parregullt, kontrabandimin e migrantëve, Sistemin e Dublinit dhe marrjen e statusit të refugjatit nga viktima.
Në përmbyllje të aktivitetit u shpërndanë ecertifikata pjesëmarrjese si dhe u vlerësuan katër perfomancat më të mira, ku studentët u vlerësuan në bazë të disa kritereve si, përgatija dhe parashtrimi i argumenteve, por edhe mbi respektimin e procedurave dhe sjelljes përgjatë seancës.
Para realizimit të këtij Gjyqi Simulues, një trajnim u realizua me studentët pjesëmarrës në mjediset e Kolegjit Universitar Bedër si dhe u asistuan gjatë punës përgatitore me disa sesione mentorimit të ndjekura nga trajnuesi dhe lektori, Prof. Asoc Denard Veshi.
*Gjyqi Simulues i Gjykatës Europiane të Drejtësisë (GJED) po zhvillohet nga Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) me mbështetjen e Grupa 484 (Serbi) në kuadër të projektit rajonal “Security for Human Beings and Borders – Combating Smuggling of Migrants in the Western Balkans” financuar nga Bashkimi Europian.